Dështon edhe OKB, tani pavarësia
• Ka qenë thjesht një formalitet për t’u kryer mbledhja e djeshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për herë të fundit, kosovarët dhe serbët i ndanë mendimet e tyre të kundërta në bisedime. Nga dje, përjashto Rusinë, të gjithë shtetet e tjera të mëdha të botës, kanë ezauruar të gjithë mundësitë e arritjes së një pakti. Nga dje, Kosova ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj diplomatike, para se të shpallë pavarësinë. Kjo u duk qartë edhe nga deklarata e SHBA, Italisë, Grupit të Kontaktit, pas takimit të OKB. “Delegatet e Kosovës dhe ata të Serbisë nuk do të arrijnë kurrë një marrëveshje për statusin”. Me këtë fjali, para Këshillit të Sigurimit, Presidenti i Kosovës, Sejdiu, i mbylli të gjitha shtigjet e vazhdimit të negociatave. Ai u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të marrin në shqyrtim opsionin e pavarësisë së Kosovës në kontekstin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe jo si rast i shkëputjes etnike. Sejdiu“Propozimi i Presidentit Ahtisari konstaton dhe pranon se pas shpërbërjes së dhunshme, jokonsensuale dhe ngjarjeve të tmerrshme të viteve ’90, nuk kishte asnjë mundësi që Kosova dhe Serbia të mbeteshin bashkë në të njëjtin shtet. Shpërbërja e Jugosllavisë filloi në vitin 1989, kur Beogradi, në mënyrë të paligjshme, revokoi autonominë e Kosovës dhe vendosi në vend të saj një sistem sundimi mbi baza etnike. Sejdiu përmendi edhe propozimet e bëra nga Beogradi, si modelin e “autonomisë substanciale”, që ai e cilësoi “një model i paqëndrueshëm dhe i pazbatueshëm”. “Populli i Kosovës, ashtu si çdo popull tjetër i lirë, asnjëherë nuk do ta pranonte një marrëveshje të tillë. Negociatorët serbë përmendën edhe autonominë e modelit të Hong-Kongut apo Ishujve Aland. Këta dy shembuj nuk kanë asgjë të përbashkët apo të ngjashme me historinë e spastrimit etnik, me shpërbërjen shtetërore dhe administratën e përkohshme të OKB-së që karakterizojnë Kosovën. Kosova do vazhdojë t’i shtrijë dorën e miqësisë Serbisë dhe nuk do tërhiqet nga oferta e shprehur nga Ekipi i Unitetit në Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit. Kjo është kohë e vështirë për popullin tim, me plot pritje dhe frikë për të ardhmen. Jemi të rraskapitur nga pothuaj dy dekada izolimi, lufte dhe harrese politike”. Po dje, ambasadori amerikan në OKB tha se situata në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se mbajtja e status-kuos sjell probleme për rajonin dhe gjithë Evropën. “Nëse Rusia nuk mbështet planin Ahtisari, SHBA dhe BE janë të gatshme të vazhdojnë rrugën lidhur me këtë çështje”, nënvizoi Zalmay Kahlilzad. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Rusisë. Ambasadori rus pranë OKB, Vitali Çurkin, është shprehur kundër njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nëse ajo nuk do të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit, sikundër edhe vendosjes së misionit të BE-së pa një vendim të këtij organizmi ndërkombëtar. Diplomati italian, Masimo D’Alema, vendi i të cilit kryeson KS e OKB-ve, nënvizoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje e Bashkimit Evropian, por e qeverive nacionale, andaj ai nuk mund të shprehet se çfarë do të bëjnë shtetet veç e veç. Kundër shtyrjes së negociatave ka qenë edhe Anglia. Ambasadori britanik, Xhon Sojers, tha se nuk sheh mundësi të vazhdimit të negociatave të tjera për statusin e Kosovës dhe se duhen ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshëm për zgjidhjen e këtij problemi.