Rrihet në mes të rrugës kryebashkiaku
• PERRENJAS – Rreh në mes të rrugës kryetarin e bashkisë së Përrenjasit. Policia ndaloi dje 37-vjeçarin Agim Kokonozi, të akuzuar për dhunë për shkak të detyrës ndaj kryebashkiaku Artur Topi.Ngjarja ndodhi të martën, në qendër të qytetit të Përrenjasit, kur pas debatit mes dy personave, Kokonozi nuk ka ngurruar që të qëllojë me grushte, deri në gjakosje kreun e bashkisë. Menjëherë pas denoncimit në polici të Topit është ndaluar 37-vjeçari. Ai është marrë në pyetje mbi rrethanat që e çuan në përplasjen fizike me kryebashkiakun, por shkaqet nuk bëhen të ditura zyrtarisht. Nga burime të brendshme të policisë mësohet se i arrestuari i ka kërkuar Topit që t’i miratojë dhënien e një licence për një aktivitet privat. Kundërshtimi i dhënies së lejes ka krijuar dhe acarimin e marrëdhënieve mes tyre. Burime të tjera pranë bashkisë së Përrenjasit pohojnë se pak kohë më parë, disa biznesmenë kanë tentuar të rrahin kreun e këtij institucioni, duke e akuzuar për shkelje të procedurave të një tenderi, pasi nuk e kishte zhvilluar atë në ditët e shpallur nga Agjencia e Prokurimeve Publike. Po ashtu, kreu i bashkisë Përrenjas është bërë personazh dhe në rrahjen e këshilltarëve të kësaj bashkie muaj më parë. Deri në qartësimin e motiveve, 37-vjeçari Kokonozi do të qëndrojë në qeli me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Vetë kryebashkiaku Topi pas denoncimit të bërë në polici ia ka lënë çështjen në dorë organeve kompetente, ndërsa ka vijuar normalisht punën në zyrën e tij. a.k