E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Gati koalicioni,pavarësia shumë shpejt

• Thaçi nuk pret më për pavarësinë. Nga Nju Jorku vetëm pak çaste para takimit të Këshillit të Sigurimit, ai theksoi se ka gati koalicionin e ri qeverisës me përfaqësim shumë etnik, duke lënë të kuptohet edhe pakicat serbe.Por më e rëndësishmja për kreun e PDK dhe kryeministrin e pamandatuar është afati i pavarësisë.  “Unë jam në favor të veprimeve të shpejta. Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Është koha për vendim. Ne jemi unik dhe shumë të përgatitur. Kemi përgatitur edhe kushtetutën, edhe simbolet. Jemi zotuar për respektimin e të drejtave të pakicave në kuptimin më afirmativ dhe mund të them se me ato garanci që kemi dhënë për respektimin e të drejtave të pakicave, dhe sidomos të serbëve, ndoshta jemi vendi që respektojmë më së tepërmi pakicat në Evropë”, tha ai për “Zërin e Amerikës”. Duke u ndalur tek trajtimi i Mitrovicës, Thaçi theksoi se, “Kosovën e trajtoj si tërësi dhe punoj në tërësi për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë. Veriu i Mitrovicës është çështje e rëndësisë së veçantë. Institucionet legjitime të Kosovës do të ushtrojnë autoritetin e tyre në tërë territorin e Kosovës”. Thaçi i ka quajtur të mbyllura negociatat për qeverinë e re. “Negociatat për formimin e qeverisë së re kanë përfunduar. Kemi arritur marrëveshje me partitë politike, që ato të kthejnë përgjigje në lidhje me parimet tona bazë. Disa prej partive politike i kanë kthyer tashmë përgjigjet. Ato do të respektohen. Autoritetet jo-serbe të pakicave e kanë siguruar përfaqësimin e tyre dhe dy grupet politike serbe kanë shprehur gatishmërinë që të jenë në qeveri, kështu që nuk ka problem për sa u përket numrave. Megjithatë, unë dëshiroj që të kem një qeveri cilësore dhe shumetnike. Dhe kjo do të arrihet shpejt”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›