E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria feston 1-vjetorin në NATO, Rama: Ne do të protestojmë



Erald Kapri

Nën tingujt e 100 instrumentistëve frymorë, Shqipëria festoi 1- vjetorin e anëtarësimit në NATO. Krerët e shtetit festuan dje përvjetorin e parë të anëtarësimit në NATO, në vendin kur në 46 vitet e diktaturës komuniste zhvilloheshin parakalime ushtarake për të treguar forcën kundër aleancës perëndimore. Përpara Pallatit të Kongreseve, Ministria e Mbrojtjes organizoi një koncert me instrumentistët më të mirë të vendit e me një repertor artistik të zgjedhur. Me uniforma të bardha, nën dirigjimin e 4 dirigjentëve të njohur, instrumentistët luajtën himnin e NATO-s dhe Himnin Kombëtar, e më pas një përzgjedhje artistike nga repertori i Franc Shupes, Rosinit etj. Të pranishëm ishin Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministra të kabinetit, deputetë, trupi diplomatik si dhe të ftuar të tjerë. Për rreth 60 minuta, e transmetuar direkt nga mediat elektronike, të ftuarit por edhe qytetarët ndoqën koncertin, i cili nga kritikët artistikë u vlerësua si unik në llojin e vet.
Festimet për përvjetorin e parë të anëtarësimit të NATO nisën më herët. Trafiku në bulevardin qendror u ndalua që në drekë, ndërsa kudo ishin vendosur flamurët e NATO-s dhe Shqipërisë. Paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në jubileun e NATO-s, të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes. Ai deklaroi se në këtë përvjetor, Shqipëria është më krenare ndërsa realizoi zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë. "Në rast se i kthejmë sytë dhe analizojmë, në vitin e parë si aleatë të NATO-s, ne mund të numërojmë me krenari arritje të shumta, më të shumta se në histori tjetër. Në vitin e parë të anëtarësimit në NATO, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht themelor i funksionimit të lirisë dhe institucioneve të një vendi demokratik. Në vitin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne merituam të votëbesoheshim nga qeveritë e 27-të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për statusin e vendit kandidat për në BE", tha Berisha.
Të pranishmit dëgjuan edhe mesazhin që komandanti i Komandës Supreme të NATO-s në Evropë, admiral James Stavridis, kishte dërguar për të përshëndetur 1-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami vuri theksin në reformimin e Forcave të armatosura. Më pas, Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet lidhjes telefonike ka biseduar me komandantin e Kontigjentit të 6-të Paqeruajtës në Herat të Afganistanit, major Sokol Pitamina. Ai foli në telefon edhe me komandantin e trupave paqeruajtëse në Bosnjë-Hercegovinë.

Imami dekoron 42 ushtarakë

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dekoroi dje 42 ushtarakë shqiptarë për kontribut të veçantë të tyre, dhënë për forcat e Armatosura të vendit. Ceremonia u zhvillua në sheshin qendror të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Ushtarakët e dekoruar ishin pjesë e një njësie ushtarake dhe të disa ushtarakëve e punonjësve civilë, për kontributin që kanë dhënë për anëtarësimin në NATO, si dhe gjatë operacionit për përballimin e situatave emergjente të krijuara gjatë muajit janar të këtij viti në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pasi përshëndeti ushtarakët e rreshtuar në shesh, u dorëzoi medaljet të dekoruarve. Ushtarakët e dekoruar u vlerësuan nga ministri për kontributin e dhënë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Medalje "Për shërbime të shquara" iu dha Batalionit Malor të Forcave Tokësore në Vaun e Dejës, me motivacionin "Për dedikimin, profesionalizmin dhe realizimin me sukses të detyrës që ju caktua në ndihmë të popullatës së zonave të përmbytura në Veri të Shqipërisë".

Topi: Anëtarësimi në NATO, ngjarja më e madhe në historinë e Shqipërisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi e cilësoi anëtarësimin në NATO si ngjarjen më historike për shtetin shqiptar. "Kombi shqiptar, një vit më parë, përjetoi ngjarjen më të madhe në historinë e tij, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Sigurisë dhe të Paqes, në NATO. Sot, ne festojmë një-vjetorin e kësaj ngjarje, duke shprehur mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, që besuan në forcën tonë, në angazhimin tonë, në vendosmërinë tonë, në seriozitetin tonë, në ëndrrën tonë dhe në aspiratën tonë, për të lënë përfundimisht mbrapa të kaluarën historike dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombeve të lira të botës së qytetëruar", deklaroi Topi. Kreu i shtetit në deklaratën e tij thekson se sot është dita për të falenderuar të gjithë popullin shqiptar, të gjithë ata që nuk e humbën shpresën dhe luftuan me diktaturën për të prekur lirinë, të gjithë ata që patën frymëzim demokracinë dhe dita për t'u përulur ndaj kujtimit të atyre që luftuan dhe dhanë jetën që kombi shqiptar të jetojë ëndrrën e vet. "Ne do të mbetemi të vendosur në angazhimet tona dhe në përgjegjësitë tona dhe se anëtarësimi në NATO na bën më të përgjegjshëm ndaj sfidave tona të brendshme dhe të jashtme, por edhe më të sigurt se nuk jemi vetëm në përballjen e tyre. Ne jemi së bashku me vendet dhe popujt e lirë të botës së qytetëruar", thekson Presidenti. Tashmë, sipas kreut të shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e tjera, mike dhe aleate, diskutojnë me Shqipërinë sot çështje të rëndësishme të karakterit global dhe ndajnë me ne përgjegjësi të karakterit rajonal dhe të sigurisë, nga pikëpamja politike dhe ushtarake, formulojnë së bashku me ne qëndrime për të ndërtuar strategjitë e sigurisë për të sotmen dhe të ardhmen e Aleancës.

“Skënderbej”, Rama: Berisha të hapë kutitë

Lidhur me konfliktin më të fundit të Bashkisë së Tiranës me Qeverinë, për sheshin "Skënderbej", Rama akuzoi Berishën se çdo ditë gjen nga një arsye për të ngatërruar edhe më shumë çështjet e vendit. "çdo ditë, Kryeministrit i duhet një shesh për të bërë përshesh. E gjithë Shqipëria është futur në përsheshin e 28 qershorit, nga burojnë të gjitha të vërtetat e hidhura dhe lajmet e papëlqyeshme që shqiptarët marrin në aspektin e ekonomisë familjare". Dy ditë më parë, në Parlament, Kryeministri Berisha i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës të bashkëpunojë me Qeverinë për të gjetur një zgjidhje më të mirë për rikonstruksionin e sheshit kryesor të Tiranës.

Rama: Plani A,B,C, vetëm protesta

Aristir Lumezi

Në një-vjetorin e anë-tarësimit në Aleancën Euro-Atlantike, Shqipëria është në protesta për standardet e NATO-s. Kështu u shpreh dje Edi Rama në selinë rozë, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ndërkohë që Qeveria në një takim zyrtar festonte një-vjetorin e anëtarësimit.
Kryetari i socialistëve, Edi Rama tha dje "1 vit i Shqipërisë në NATO ka qenë një vit plot padrejtësi të bëra nga Qeveria karshi vullnetit të lirë të popullit për transparencë, duke sjellë kështu shkeljen e parimeve të vendosura nga NATO. "Drejtësia dhe liria kanë qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm. Ky është bilanci në këtë 1 vjetor të Shqipërisë në NATO. Ky përvjetor i parë i hyrjes në aleancën e parimeve dhe vlerave të demokracisë, na gjen në mungesë të garancive më elementare për qytetarët. Deformimi i vullnetit të popullit, që i pati rrënjët te zgjedhjet. Në një vit pati protesta në gjithë vendin", tha Rama. Sipas kreut të socialistëve, protestat po vijojnë edhe në këtë nisje të vitit të dytë të Shqipërisë si vend aleat i NATO-s. "Pas 30 prillit vjen 1 maji, dhe më 30 prill, më 1 maj, më 2 maj e më 3 maj dhe në majin në vazhdim, ne do të jemi në protestë, do të jemi me të papunët, do të jemi me më të varfrit, me të pambrojturit, do të jemi me ata që vuajnë mungesën e konkurrencës në të gjitha rrugët ku garantohet mirëqenia e gjithsecilit në demokraci", u shpreh Rama. Arsyet që kreu socialist renditi për protestat janë pikërisht grabitja e votave dhe çdo hapësirë tjetër transparence. "Pasi u grabitën votat, po grabitet përditë hapësira e lirë ekonomike, shoqërore e politike në këtë vend. Sot i ndalohet shqiptarëve e drejta themelore e transparencës, ndërkohë shqiptarëve u vijnë përditë fatura dhe vendimmarrje jo transparente, që burojnë nga padituria e një pushteti që rëndon përditë e më shumë te qytetarët", tha Rama. I pyetur nga mediat se cilët do të jenë planet e tjera pas protestave, Rama tha se nuk do të ndalet "protesta, protesta dhe vetëm protesta, ky është plani A, B, C, protestat", theksoi Rama. Kreu socialist tha se opozita ka qenë më prezente se çdo herë me misionin e garantimit të demokracisë. "Vetëm mungesa e opozitës nuk e pranoj se është ndier në këto kohë, sepse në gjithë këto kohë, Shqipëria ka më shumë se çdo gjë forcën e opozitës tonë, sot opozita, PS në krye të saj, janë garanti i vetëm i një demokracie që është seriozisht në rrezik dhe i një ekonomie që pazgjidhshmërisht është seriozisht në rrezik", u shpreh Rama. Për kreun socialist, mohimi i të drejtës së opozitës për të hetuar zgjedhjet nga ana e maxhorancës por dhe gjendja e rënduar ekonomike dhe rritja e shkallës së papunësisë, bëjnë që protestat të përkrahen nga masa e gjerë e popullit. "Protestat janë instrumenti në duart e popullit për të ndalur një tatëpjetë, e cila mund të bëhet e pandalshme, për shkak se makinës së ekonomisë, i janë hequr të gjitha ato element sigurish dhe garancish që garantojnë atë stabilitet të domosdoshëm pa të cilin një ekonomi është përditë e rrezikuar. Jetojmë në një demokraci dhe në një ekonomi të rrezikuar. Ky është fakti dhe s'ka nevojë të argumentojmë dhe kundër argumentojmë mes palësh politike, sepse këtë fakt e ndiejnë përditë shqiptarët në xhepat e tyre, në tryezën e bukës së familjes së tyre, me shpenzimet gjithmonë e më të pamundura që duhet të bëjnë për të përballuar muajin dhe ekzigjencat e gjithë anëtarëve të familjes", u shpreh kreu socialist.

Topalli: Pas NATO-s vjen liberalizimi i vizave

Të rinjtë festuan dje në Kuvendin e Shqipërisë një-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ngjarja më e madhe historike e kombit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë në 1912. Ishte pikërisht Parlamenti shqiptar, një ndër institucionet kryesore që zhvilloi lobim të fortë dhe nëpërmjet diplomacisë parlamentare të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe të deputetëve shqiptarë, që bëri të mundur kurorëzimin me sukses të Ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit, nga parlamentet dhe senatet e 26 vendeve anëtare të NATO-s. "Ky përvjetor përkon me një tjetër përvjetor të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, me 20-vjetorin e rrëzimit të komunizmit. Nuk ka krenari më të madhe për ne shqiptarët, sesa të shohim veten si qytetarë të NATO-s. Unë e vlerësoj anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si momentin më të ndritshëm pas vitit të shpalljes së Pavarësisë në 1912 dhe rrëzimit të komunizmit", deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendi i siguroi të rinjtë se, 2010 do të jetë viti i heqjes së vizave, ëndrra e kahershme e shqiptarëve, që po bëhet realitet nga kjo mazhorancë, sikurse në 2009 realizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Unë jam e sigurt se në fund të këtij viti, ne do të realizojmë që shqiptarët të lëvizin pa viza, në mënyrë që baballarët, nënat, motrat, vëllezërit tanë të mund të shkojnë të shikojnë familjarët e tyre, fëmijët, nipat e mbesat e tyre në vendet fqinje ku ata jetojnë e punojnë. Fituam garën në kohë për t'u anëtarësuar në NATO. E mbajtëm premtimin. Në fakt nuk kishim premtuar anëtarësimin në NATO, ne kishim premtuar vetëm ftesën në NATO. Ne e tejkaluam veten tonë dhe kështu do të ndodhë me të gjitha proceset e viteve të ardhshme", deklaroi Topalli. Aktiviteti me të rinjtë në Kuvend "Një Vit, Shqipëria në NATO", vijoi me një bashkëbisedim të Kryetares së Kuvendit me të rinjtë, mbi reformat që po ndërmerr Parlamenti, Qeveria dhe institucionet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›