E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli: Të hënën i hiqet imuniteti Mediut

Kuvendi do të votojë ditën e hënë për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu, dhe dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj tij. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, i cili është mbledhur pas seancës parlamentare dhe ka zgjatur vetëm 20 minuta. Pas mbledhjes, anëtari i këtij këshilli, Petro Koçi, është shprehur se nuk ka pasur shumë diskutime, ndërkohë që të gjithë anëtarët kanë rënë dakord që t‘i kërkojnë Kuvendit heqjen e imunitetit, ndërkohë që po i jepet dora e fundit raportit nga dy relatorët. Raport, i cili nuk do të ketë një qëndrim unik, pasi relatorët kanë vlerësime të ndryshme për sa u përket fakteve dhe dokumenteve që ka sjellë organi i akuzës. Opozita nëpërmjet relatorit të saj, Besnik Dërvishi, i mbështet këto fakte, ndërsa mazhoranca nëpërmjet relatorit të saj, Arjan Madhi, i kundërshton ato. Këto qëndrime do t‘i bëhen të ditura edhe Kuvendit.

Madhi

Këshilli i Rregullores ka marrë vendimin që të dy raportet e paraqitura nga relatorët, të mos i bëhen të ditura mediave, ndërkohë që burime bëjnë të ditura për gazetën, disa nga pikat kryesore që relatori i PD-së, Madhi, kundërshton faktet e sjella nga Prokuroria e Përgjithshme. Në raport thuhet se Prokuroria akuzon Mediun se ka shpërfillur strukturën e Forcave të Armatosura, në lidhje me procesin e hartimit të urdhrave dhe udhëzimeve të tij. Pretendim ky, i papranuar, sipas raportit të hartuar nga relatori, Madhi, pasi Mediu gjatë fjalës së tij në këshill, ka sjellë argumente dhe prova që e kundërshton këtë dhe nga ballafaqimi i provave të ardhura nga prokuroria dhe provave shtesë nuk rezulton bindëse kjo akuzë. Sipas raportit, kjo akuzë përbën rast për prokurorinë, sepse në të gjitha rastet vërtet se është ndjekur procedura sipas ligjit dhe të gjitha projektet janë hartuar nga strukturat ushtarake dhe strukturat civile.

Dervishi

Relatori i çështjes për opozitën, socialisti Besnik Dervishi, ka hartuar materialin e raportit për atë pjesë që i takon kampit të majtë për këtë çështje. Në raportin e tij, Dervishi është pro heqjes së imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Në konkluzionet përfundimtare, socialisti thekson se heqja e imunitetit lidhet se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe deputeti, për të cilin organi i akuzës kërkon ndjekje penale për të. "Këshilli, duke pasur parasysh zbatimin me përpikmëri të procedurave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit; evitimin dhe shmangien e vonesave të panevojshme në shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë dhe të gjithë procesit në këshill; vullnetin e deklaruar të të gjithë spektrit politik në favor të mospërdorimit të imunitetit parlamentar kur kërkohet hetimi nga organi i prokurorisë; deklarimin e deputetit Fatmir Mediu për të lënë imunitetin parlamentar në shërbim të hetimit të ngjarjes, i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë të votojë pro dhënies së autorizimit për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu", thuhet në relacionin e PS-së. Gjithashtu, një ndër arsyet e tjera përfshihet edhe paraqitja e materialeve të administruara, ku prezumohet se kemi të bëjmë me veprime ose mosveprime objekt i hetimit penal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›