E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Ballkanit, Topi vizitë në Greqi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, është nisur dje në krye të delegacionit zyrtar shqiptar për të marrë pjesë në Samitin e Shtatë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore. Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga zyra e kreut të shtetit, takimi do të zhvillohet në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, në datat 13 dhe 14 qershor. Presidenti shqiptar, sipas axhendës së përcaktuar, do t‘i adresohet me një fjalim seancës plenare të Samitit. Temë kryesore e të cilit është diskutimi dhe shkëmbimi i mendimeve rreth "Pikëtakimeve ndërkulturore të rrugë-lundrimeve në det, lumë dhe liqen të Evropës Juglindore". Kreu i shtetit, Topi, është takuar dje me drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura.

Në këtë takim, Presidenti theksoi "vlerat kulturore dhe shoqërore të popullit shqiptar, ku përfshihet dhe toleranca dhe harmonia ndërfetare, kanë rolin e tyre të rëndësishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e urave të komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të Ballkanit". Presidenti Topi vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të UNESCO-s dhe zyrës së saj në Venecia për ruajtjen dhe evidentimin e pasurisë kulturore dhe historike të vendit tonë. Ai vlerësoi dhe përpjekjet personale të z.Macura për të përfshirë qytetin 2400-vjeçar të Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Një takim tjetër është përcaktuar të realizohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, si dhe me homologë nga rajoni. Samiti organizohet nën kujdestarinë e Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias, dhe drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura. Largimi i Topit nga vendi bëhet në një moment kur është në zhvillim e sipër debati i brendshëm politik për çështjen e dekreteve të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Konflikti mes tij dhe mazhorancës ka arritur pikën kritike dhe vota e javës së ardhshme në Kuvend do përcaktojë fituesin në këtë përplasje. Sakaq, udhëtimet jashtë vendit të kreut të shtetit kanë qenë pjesë e punës së kreut të shtetit, Bamir Topi, që prej zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›