Samiti i vendeve të Mesdheut, Sarkozy fton Berishën
Me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Nikolas Sarkozy, Kryeministri Sali Berisha pritet të marrë pjesë në samitin e vendeve të Mesdheut dhe vendeve anëtare të BE-së. Ky aktivitet zhvillohet më 13 korrik 2008, në Paris. Me anë të kësaj ftese, Presidenti Nikolas Sarkozy fton Kryeministrin Berisha të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare që shtron për nder të pjesëmarrësve. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave, kreu i shtetit të Francës ka bërë edhe një ftesë për pjesëmarrje në festimet madhështore me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe për të marrë pjesë në paradën që zhvillohet në sheshin "Champs Elysee", më 14 korrik 2008 dhe në drekën që Presidenti Sarkozy shtron me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë shqiptare, kjo ftesë është pritur dhe pranuar me shumë kënaqësi nga Kryeministri Berisha. Udhëtimi i kreut të ekzekutivit shqiptar pritet të jetë jo pak më interes. Kjo pasi do të jetë takimi i parë me kreun e shtetit Francës, Nikolas Sarkozy. Takime të tilla vlerësohet se shërbejnë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve. Më tutje mendohet që Kryeministri Berisha të shfrytëzojë rastin të lobojë për të siguruar mbështetjen e Francës në proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ashtu sikurse pranohet se po punohet për të siguruar mbështetje sa më të gjerë nga faktori ndërkombëtar për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë.