E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli bashkiak: Metalurgjia po na vdes nga kanceri

Studimi i mjekëve ka treguar se qyteti i Elbasanit është një nga më të ndoturit dhe kancerogjenët në Shqipëri

ELBASAN- Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka vendosur t’i drejtohet kryeministrit për të ndalur ndotësit e mëdhenj që vazhdojnë të shkaktojnë shumë dëme për qytetin e Elbasanit. Në një raport të publikuar nga Komisioni i Mjedisit i ngritur në Këshillin Bashkiak, është publikuar se rreth 70 % e vdekjeve nga kanceri i takojnë rrethit të Elbasanit ndërsa mosha mesatare e jetës është 55-65 vjeç. E krahasuar me Tiranën që ka një numër disa herë më të madh të popullsisë ku vdekshmëria nga tumoret është 594, kjo zonë mban vendin e parë për këto sëmundje. Ndërkohë ka edhe numër më të madh të malformimeve të lindura nisur nga numri i popullsisë ku në 10 mijë lindje lindin 10 fëmijë me malformime.

Mjekët e këshillit bashkiak të shqetësuar

Raporti është sjellë nga mjeku Edmond Laho, pas një monitorimi të bërë mesatarisht 16 ditë në muaj për periudhën janar-qershor 2008. Sipas këtij raporti, LGP lëndë e ngurtë pezull në ajër është 220 deri në 270 mgr-m3, kur norma e Ministrisë së Mjedisit është 140 ndërsa ajo e Bashkimit Europian 60. PM10 është 150-180 mgr-m3 aktualisht kur normat e Ministrisë së Mjedisit janë 60 ndërsa ato të Bashkimit Europian 30. Këto grimca kanë në brendësi lëndë toksike të cilat formojnë smogun dhe shiun acid që mbushin rrugët e frymëmarrjes. I njëjti raport i ka cilësuar pasojat e këtyre lëndëve të dëmshme tek sëmundjet e mushkërive dhe tumorale. Faktorët që ndikojnë në këto rezultate, sipas hartuesve të raportit, vijnë nga Zona Industriale me Kurum, Ferrokrom, ECF dhe fabrikat e tullave ku filtrat shpesh stakohen në mbrëmje. Këshilli Bashkiak ka ftuar mbledhjen e kaluar edhe përfaqësues të kompanive industriale por në deklarimin e tyre shifrat e ndotjes janë nën normë.Faktori i dytë që ndikon në ndotjen e mjedisit është ndotja urbane dhe mos sistemimi i mbetjeve që rrezikojnë deri edhe ujin e pijshëm duke shtuar këtu transportin me automjetet e vjetra dhe shtimin e numrit të tyre. Në materialin e paraqitur nga Komisioni i Mjedisit, u kërkua që të analizohet edhe hekuri me radioaktivitet që dyshohet se vjen e përdoret si skrap në Uzinën e çelikut.

Kërkesat

Grupi i Mjedisit, i mbështetur edhe nga Këshilli Bashkiak, ka vendosur t’i drejtohet qeverisë shqiptare për mbylljen e kompanisë “Kurum” deri në vendosjen e filtrave që garantojnë uljen e nivelit të ndotjes. Ndër kërkesat e Bashkisë së Elbasanit do të jetë kërkesa për ngritjen me urgjencë të një vendgrumbullimi të ri për plehrat sipas parametrave bashkëkohore. Bashkia Elbasan do të kërkojë edhe ngritjen e një agjencie të pavarur për monitorimin e ndotjes së ajrit në Elbasan. Një tjetër masë e kërkuar nga ky komision që pritet të realizohet nga vetë pushteti vendor është zgjerimi i rrugëve si ai i segmentit tek Shtëpia e Kulturës dhe funksionimi i unazës së jashtme me mjetet e rënda. Një tjetër propozim i këtij komisioni është që Bashkia të zbatojë projektin për vendosjen e një tabele treguese të nivelit të ndotjes për të krijuar kështu mundësinë e transparencës me komunitetin. Po kështu është kërkuar që dy qendrat e tjera monitoruese në qytet të kenë një varësi edhe nga Bashkia e Elbasanit.

Anëtarët e Këshillit bashkiak debatojnë për emrin e njërës prej rrugëve të qytetit

Shefqet Verlaci fut në sherr bashkinë e Elbasanit

ELBASAN- Emri i Shefqet Verlacit ka vënë përballë të majtë e të djathtë teksa diskutohej për vendosjen e emrave të rrugëve në qytetin e Elbasanit. Janë 440 emra që pritet të vendosen pas miratimit në parim të listës së atdhetarëve, patriotëve, ish-kryetarëve të bashkisë Elbasan, ish-prefektëve, dëshmorëve, të përndjekurve, mësuesve të popullit, mësuesve të merituar dhe njerëzve të shquar të qytetit. Për listën e përcaktuar është marrë mendimi i grupeve të interesit dhe komisioni është bazuar në vëllimin e enciklopedisë. Pasi kanë shtuar emra që i mungonin kësaj liste, këshilltarët janë ndalur në një emër i cili sipas të majtëve nuk duhet të jetë në emërtimin e rrugëve të qytetit ndërsa sipas të djathtëve është një figurë që nuk duhet parë bardhë e zi. Kreu i grupit të socialistëve, Agim Leka, tha se nuk duhet të ketë rrugë me emrin e Shefqet Verlacit pasi ai nuk ka dhënë ndonjë kontribut të madh në fushën patriotike por ishte vetëm një përfaqësues i feudalizmit. Ndërkohë grupi i të djathtëve ka reaguar nëpërmjet pedagogut Roland Gjini. Ky i fundit e ka cilësuar Vërlacin pjesë e historisë nga viti 1909 deri në vitin 1944. Si një ndër kryeministrat në kohën e zogut ai ka një kontribut në ngritjen e flamurit në Elbasan duke qënë edhe një prej dyerve më të mëdha të kohës përkrah atyre të Vlorës dhe të Vrionit. Emri i Shefqet Verlacit pritet të vlerësohet edhe nga historianët nëse duhet të ketë një emër rruge apo jo. Po kështu u diskutua mbi toponimet si Sheshi i Bezistanit, rruga “Pusi që lahet vetë”, rruga e Blinave apo edhe toponime të tjera të hershme që vazhdojnë të përdoren nga qytetarët elbasanas. Rrugët kryesore do të emërtohen me emra të njohur ndërsa ato më pak kryesore do të marrin emra në bazë të kontributeve për gjithsecilin. Qendra e qytetit do të jetë edhe për automjetet

ELBASAN- Qendra e qytetit të Elbasanit e sapo rikostruktuar do të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit pas një kërkese të këshilltarëve të djathtë dhe sidomos pas një shkrese të përcjellë nga Drejtoria e Policisë për hapjen e kësaj rruge për shkak të problemeve të mëdha që krijohen në qarkullim. Kërkesa u mor parasysh nga këshilltarët dhe u vendos që të lejohet qarkullimi. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Dritan Çepa, ky segment është lënë i mbyllur për t’i shërbyer qytetarëve por edhe për faktin se brenda pak kohësh do të fillojnë punimet në segmentin e “1 Maji” duke bllokuar sërish qarkullimin aty. Në fund të diskutimeve u vendos që qendra e qytetit të jetë e lirë edhe për automjetet duke u bllokuar vetëm për një periudhë të shkurtër në mbrëmje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›