E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli bashkiak, pro privatizimit të kabinave të plazhit

Privatizimi i kabinave të plazhit në Durrës do të vazhdojë, ndërsa përplasjet që mund të lindin duhet të zgjidhen në gjykatë. Ky ka qenë vendimi i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, ndërsa një pjesë e mirë e afro 500 familjeve përfituese do të përballen me pronarin e truallit dhe konflikte të tjera që mund të lindin nga mosrespektimi i ligjit. Me votim, aleanca e të djathtëve ka hedhur poshtë kërkesën e Bashkisë së Durrësit për të shpallur të pavlefshëm vendimin e marrë në fund të shtatorit për nisjen e procedurave të privatizimit në favor të banorëve qiramarrës. Anashkalimi i administratës bashkiake dhe titullarit të saj në marrjen e vendimit dhe kapërcimi i kompetencave ligjore, sipas bashkisë, mund të çojnë në një varg problemesh mes pronarit të truallit dhe qiramarrësve, të cilëve u është dhënë mundësia të privatizojnë objektet që nuk klasifikohen si godina banimi, po pushimi. Ligji mbi bazën e të cilit Këshilli Bashkiak i Durrësit në vjeshtë dha "OK"-in e privatizimit, cenohet ndjeshëm, dhe vendimi është marrë në kundërshtim me të, duke e kthyer atë në të pavlefshëm. Sipas juristëve të bashkisë, ish-kabinat e plazhit janë nën administrimin e Ndërmarrjes Komunale Plazh dhe si të tilla nuk mund të marrin statusin e fondit të banesave sociale për sa kohë nuk janë regjistruar në emër të bashkisë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për të krijuar mundësinë e ndryshimit të gjendjes juridike. Vendimi i privatizimit bie ndesh edhe me Kodin Civil, në bazë të së cilit bashkëpronari ka të drejtën e parablerjes, dhe shitjet pa i bërë atij ofertën konsiderohen të paligjshme. Pronar i truallit në disa prej godinave është një subjekt privat dhe situata krijon konflikte të reja mes palëve. Ndonëse bashkia kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së këtij vendimi, që nuk e respekton bazën ligjore ekzistuese, forca e kartonit e hodhi poshtë kërkesën, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm dhe dhënë përparësi banorëve-qiramarrës të vijojnë me privatizimin. Edhe në këtë rast demokratët kanë pranuar se vendimi i tyre ka qenë politik, por që është mirëpritur nga shumë familje që menduan se do të rrezikonin privatizimin e objekteve ku jetojnë prej më shumë se 10 vjetësh të detyruar nga pamundësitë e tjera të strehimit, ndërsa vendimi i KB-së u jep të drejtën e pronës në një nga zonat më të preferuara të qytetit bregdetar.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›