E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj dorëzohet: Mangësitë e policisë shqiptare

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pranon mangësitë gjatë ushtrimit të detyrës së vartësve të tij, ndërsa premton se do të veprojë me "dorë të hekurt" ndaj çdo punonjësi që nuk zbaton ligjet e policisë dhe shtetit shqiptar. Në një letër-këmbim me Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, Burgaj pranon se nga kontrollet e Departamentit të Sigurisë Publike e shërbimeve mbështetëse janë bërë prezent rastet e shkeljeve e të mosrespektimit të të drejtave kushtetuese e ligjore të personave që shoqërohen, ndalohen e arrestohen gjatë aktivitetit praktik nga Shërbimet e Policisë së Shtetit. Ai thotë se për rregullimin e këtyre mangësive ka nxjerrë një letër-porosi me 14 pika.

Shkeljet
Në letër-porosinë e drejtorit të Policisë së Shtetit, nr. 1328, ai evidenton edhe shkeljet përkatëse. "Shumë persona të dyshuar si autorë të veprave penale, si dhe të dënuar me vendim të formës së prerë me burgim në mungesë, mbahen dhe trajtohen në ambientet e policisë si të shoqëruar. Ndaj, persona për të cilët disponohen të dhëna për shkelje të ligjit, apo kanë dijeni për rrethana të dobishme për hetimin, shoqërohen në mënyrë të detyrueshme. Në regjistrat e personave të shoqëruar nuk shënohen arsyet dhe shkaku i vërtetë i shoqërimit, por në të shumtën e rasteve shënohet "për verifikim" apo "për konflikt", kur në të vërtetë janë të dyshuar, autorë të veprave të ndryshme penale apo autorë të kundravajtjeve administrative", deklaron Burgaj. Sipas tij, ka shkelje dhe në rubrikën për njoftimin e familjarëve apo të të afërmve. Në disa raste pasqyrohen numra telefoni, duke mos u bërë në fakt njoftimi, si dhe shënohen numra telefoni që nuk u përkasin familjarëve dhe të afërmve të personave të shoqëruar. "Personave të shoqëruar u bëhet kontroll vetjak e u bllokohen sendet personale si: orë, telefon xhepi, varëse, byzylykë, unaza, rrip mesi, lidhëse këpucësh etj., në kundërshtim me ligjet. Në procesverbalet e arrestimit në flagrancë nuk pasqyrohet ora e vërtetë e privimit të lirisë, por pasqyrohet ajo e përpilimit të procesverbaleve, duke mos llogaritur në këtë kohë orët e qëndrimit si i shoqëruar. Ka raste që personave të ndaluar/arrestuar nuk u bëhen të njohura të drejtat, si ajo për të pasur avokat, për të mos bërë asnjë deklaratë. Ndaj të ndaluarve/arrestuarve nuk kryhen vizitat dhe kontrollet mjekësore. Ka raste që të miturit mbahen në dhoma të përbashkëta me të ndaluarit e të arrestuarit e moshës madhore", vijon Burgaj, duke shtuar se mbajtja e trajtimi i personave të shoqëruar, ndaluar e arrestuar shpesh herë bëhet në mjedise e ambiente që nuk plotësojnë as minimumin e kushteve.

Porositë
Duke u bazuar te shkeljet e mësipërme, Burgaj porosit të gjitha komisariatet e Drejtoritë e Policisë në të gjitha qarqet, se "drejtuesit e strukturat vendore të policisë duhet të marrin masa të plota për organizimin, drejtimin dhe monitorimin e punës së shërbimeve të policisë lidhur me njohjen, zbatimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese dhe ligjore të personave që shoqërohen, ndalohen dhe arrestohen në mjediset përkatëse të njësive policore". Për rastet e konstatimit të shkeljeve e mosgarantimit të plotë të të drejtave të këtyre personave nga punonjësit e policisë, sipas Burgajt, të mbahet qëndrim administrativ, duke filluar procedurat për ecurinë disiplinore. Ai porositi që personat e dyshuar si autorë të veprave penale, të mos trajtohen e mbahen si të shoqëruar, por ndaj tyre të aplikohet marrja e masave të menjëhershme e arrestimit në flagrancë apo ajo e ndalimit. Për personat që kanë dijeni për veprën penale të thirren dhe nëse nuk pranojnë të zbatohet ligji për shoqërim të detyrueshëm. Në regjistra të pasqyrohet shkaku i shoqërimit dhe këtyre personave të mos u bëhet kontroll fizik. Ndaj personave që arrestohen duhet të mbahet një orë e saktë e privimit të lirisë dhe atyre t‘u bëhen të ditura të gjitha të drejtat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›