E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keshilli i BE-se mirepret bashkepunimin mes PD-PS

Këshilli i BE-së, mirëpret hapat e fundit pozitive lidhur me bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, në krijimin e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhor, një grupi pune për reformën e rregullave të Parlamentit, si dhe një kalendar për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votive të parlamentit, që ka çuar në miratimin e tre ligjeve të tilla.
Këto zhvillime pozitive duhet të ndihmojnë për të kapërcyer bllokimin që ka dominuar skenën politike të vendit-thuhet në deklaratë. Me tej theksohet se zgjedhjet lokale në muajin maj u vlerësuan në përgjithësi si konkurruese dhe transparente.
Megjithatë, keshilli i BE-së nënvizon se gjatë procesit zgjedhor u shfaqën disa mangësi, të cilat duhet të adresohen në kuadrin e një reforme të plotë zgjedhore. Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kritereve politike për anëtarësim dhe 12 prioritetet kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE-së - thuhet në deklaratën e përbashkët.
Këshilli i BE-së inkurajon qeverinë dhe opozitën në Shqipëri të ndërtojnë mbi këto zhvillime të fundit pozitive, mbajtjen e rivendosjen e plotë të një dialogu konstruktiv politik, për të mbështetur funksionimin e duhur dhe pavarësinë e institucioneve kryesore demokratike, sidomos parlamentit dhe gjyqësorit. Bashkimi Europian mbetet i angazhuar ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendit në këtë proces.
Në përputhje me perfundimet e 20 Qershorit 2011, Këshilli i BE inkurajon gjithashtu autoritetet shqiptare të intensifikojne përpjekjet në axhendën e reformave, në zbatim të veçantë të 12 prioritetetve kryesore.
Përpjekje të mëtejshme, thuhet në deklaratë, janë të nevojshme, veçanërisht në fushat kyçe, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, mbrojtjen e të gjitha pakicave, si dhe të drejten e pronës.
Në deklaratën e këshillit të BE-së nënvizohet se duhet të ketë një bashkepunim mes qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile për një reformë të plotë zgjedhore, duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që nga viti 2007 para zgjedhjeve të ardhshme. Vetëm pas përmbushjes së detyrimeve të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje të ecë përpara drejt BE-së, në përputhje me Konkluzionet e Këshillit të dhjetorit 2010.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›