E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Europës do të “testojë” në shtator zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë

Më 28 shtator është parashikuar seancë e posaçme për Shqipërinë. Koerien Jonker do të raportojë për ecurinë e procesit zgjedhor

Eljona Ballhysa
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të testojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Në sajtin zyrtar të KE-së në internet është parashikuar që në seancën e Asamblesë Parlamentare të datës 28 shtator të diskutohet rreth procesit zgjedhor në Shqipëri. Për këtë çështje do të raportojë kryetarja e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, Korien Jonker, e cila ishte pjesë e misionit të vëzhguesve gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Kjo seancë parlamentare e Asamblesë së Këshillit të Europës ka një rëndësi të veçantë për shkak se qëndrimi që do të mbahet në këtë seancë dhe vlerësimi që do të marrë procesi zgjedhor në Shqipëri ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në proceset integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Kjo për faktin se Shqipëria ka paraqitur dhe kërkesën për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, si dhe aspiron të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e BE-së. Ndërkaq, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike ka qenë kusht i kahershëm i ndërkombëtarëve për Shqipërinë. Pritet që raportimi i parlamentares Jonker të jetë në të njëjtën linjë me vlerësimet e raporteve paraprake të OSBE-ODIHR-it mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa raporti përfundimtar i ODIHR-it pritet të publikohet javën e parë të muajit shtator.
Raportet
Kryetarja e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Korien Jonker, deklaroi vetëm një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri se “këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si vendet e tjera europiane”. Misioni Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, në raportin paraprak të zgjedhjeve të datës 28 qershor në Shqipëri, vlerësoi se është vërejtur një progres i prekshëm, por gjatë procesit zgjedhor janë shënuar një sërë problemesh. “Zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm përsa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore, dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një proces që më parë kishte qenë burim polemikash. Këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike, si edhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elemente këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor”, - shkruhet në raport. Në raport është bërë e ditur se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti u shoqërua me akuza të ndërsjella midis partive politike.
Përsa i përket ecurisë së fushatës zgjedhore vëzhguesit vërejtën se fushata u zhvillua në një klimë tejet të politizuar. “Fushata zgjedhore u zhvillua në një klime politike tepër të politizuar dhe, si në zgjedhjet e mëparshme, u karakterizua nga një numër i madh aludimesh kundër partive në pushtet për shkelje zgjedhore. Fushata ishte aktive dhe e gjallë në shumë rajone, me një numër partish që konkurronin në zgjedhje duke u ofruar votuesve zgjedhje të vërtetë. Në përgjithësi, klima e zgjedhjeve ishte e qetë me disa raste dhune dhe me përdorim të herëpashershëm të një gjuhe të ashpër. Pati një sërë aludimesh presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe studentëve që të merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, apo që të shmangnin aktivitetet e opozitës. Në mënyrë të përsëritshme qeveria përdori aktivitetet zyrtare për fushatë partiake, ashtu siç bëri edhe kryetari i PS-së, edhe pse në një masë më të vogël”, - shkruhet në raportin e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë. Po kështu vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan se partitë politike janë përgjegjëset kryesore për mosarritjen e standardeve në zgjedhje. Në raport theksohet se partitë politike bllokuan procesin e numërimit të votave sa herë që shikuan një rezultat të afërt në disa zona zgjedhore. Në raport vlerësohet se dita e zgjedhjeve kaloi me qetësi, por përmirësimet e vëna re u zbehën nga politizimi i anëve teknike të procesit nga partitë politike dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës zgjedhore, që e ulën besimin e publikut te procesi zgjedhor.

Ecuria e zgjedhjeve në Shqipëri do të shqyrtohet dhe nga Asambleja Parlamentare e NATO-s

Edhe Asambleja Parlamentare e NATO-s do të marrë në sesionin e vjeshtës në shqyrtim ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. Për këtë çështje pritet të raportojë kryetari i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Brus Xhorxh, i cili ishte i pranishëm dhe monitoroi nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri. Madje Xhorxh, gjatë publikimit të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë ka qenë më i ashpër se përfaqësuesit e tjerë në vlerësimin e ecurisë së zgjedhjeve. Ndërsa vuri re progresin e shënuar në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005, Xhorxh tha se ende nevojiten përpjekje më të mëdha nga të gjitha forcat politike me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Kjo është kritika e parë që bëhet nga NATO-ja për Shqipërinë pas pranimit si vend anëtar me të drejta të plota në këtë aleancë.

Socialistët kanë depozituar “dosjen e zezë” te ndërkombëtarët

Selia rozë ka depozituar pranë asambleve parlamentare të OSBE-së, NATO-s dhe Këshillit të Europës “dosjen e zezë” të zgjedhjeve, e cila përmban të gjitha parregullsitë e konstatuara dhe të dokumentuara nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste gjatë dhe pas procesit të votimit. Sekretarja Ndërkombëtare e Partisë Socialiste, Arta Dade, ka bërë të ditur pak kohë më parë se materiali që përmban parregullsitë e konstatuara i është dërguar Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, përfshirë edhe grupimeve socialiste dhe socialdemokrate brenda këtyre organizmave. “Sigurisht që nuk është një risi që Partia Socialiste, ashtu sikurse ka vepruar në vazhdimësi në të gjitha veprimet e saj politike, ka venë në dispozicion të partnerëve tanë ndërkombëtarë një material, i cili shpreh të gjitha parregullsitë e konstatuara nga përfaqësuesit tanë para fushatës elektorale, gjatë fushatës elektorale, ditën e votimit dhe mbas votimit, pra përkatësisht në kohën që numëroheshin votat. Unë kam qenë këto ditë në takime me përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe sigurisht, materiali që ne u kemi vënë atyre në dispozicion është duke u studiuar prej tyre. Njëkohësisht materiali është dërguar te të gjithë partnerët edhe parlamentet, sikurse është Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, përfshirë këtu edhe partnerët tanë të grupimeve socialiste dhe social-demokrate, brenda këtyre organizmave”, - ka bërë të ditur Dade.
Ky veprim politik i PS-së synon jo vetëm informimin e faktorit ndërkombëtar për parregullsitë, por edhe përfshirja e këtyre kontestimeve në raportet përfundimtare që ata do të hartojnë për vlerësimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri.

Raporti paraprak i ndërkombëtarëve
Aspektet negative të procesit
• Anëtarët e KQZ-së mbajtën qëndrime të ndryshme për shumicën e çështjeve të kontestueshme. Në të shpesh u votua në bazë të përkatësisë partiake. Përfaqësuesit e dy
partive kryesore në KQZ bënë shpesh deklarata politike që e rritën tensionin.
• Mosdorëzimi i informacionit të duhur për përgatitjen logjistike, si edhe moscaktimi i anëtarëve të komisioneve të nivelit më të ulët brenda afateve ligjore ndikuan në mënyrë
negative në punën e KQZ-së. Kjo gjë çoi jo vetëm në ngritjen me vonesë të komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor dhe të komisioneve të qendrave të Vvtimit, por edhe në probleme për t’i trajnuar të gjithë anëtarët e komisioneve.
• Pati polemika pasi shumë njësi të qeverisjes vendore ose nuk caktuan hapësira publike për afishimin e posterave të fushatës, ose nuk i informuan partitë se ku gjendeshin ato.
• Ministria e Brendshme shpesh nxori shifra në dukje kontradiktore për ecurinë e procesit të aplikimit për kartat e identitetit, gjë e cila e uli besimin e publikut në saktësinë e
informacionit të dhënë nga qeveria duke nxitur aludimet.
• Transmetuesit që u monitoruan ishin të njëanshëm në pasqyrimin e partive kryesore dhe dhanë një pasqyrim të kufizuar të konkurrentëve të tjerë. Shumicës së organeve të medias, në mënyrë të veçantë transmetuesve televizivë, u mungoi pavarësia editoriale dhe transparenca në lidhje me pronësinë e tyre.
• Disa herë Bordi Monitorues i Medias (BMM) dha vlerësime që treguan mungesën e pavarësisë dhe përdori një metodologji të pamjaftueshme për të kryer detyrat e saj, ashtu siç parashikohen në Kodin Zgjedhor.
• Boshllëqe në dispozitat ligjore për të siguruar përfaqësimin e grave si kandidate krijuan mundësi për ta anashkaluar qëllimin, duke e ulur ndikimin e dispozitave.
• Shqetësim serioz ishte mungesa e transparencës për financimin e fushatës zgjedhore. Në përgjithësi, dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe paqësore, pa raste dhune apo incidentesh të mëdha, edhe pse tensioni ishte i ndjeshëm në raste të izoluara. Vëzhguesit e MNVZ-së e vlerësuan procesin e votimit si pozitiv në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit që u vizituan. Megjithatë, ata konstatuan shkelje procedurale, përfshirë procedurat e bojës, votimin familjar shumë të përhapur, si edhe hapjen me vonesë të qendrave të votimit. Mbyllja e qendrave të votimit dhe marrja e materialeve zgjedhore në qendrat e numërimit të votave u vlerësuan përgjithësisht në mënyrë pozitive. Është ende herët për të dhënë vlerësim për numërimin e votave, pasi ky proces është ende në vazhdim.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›