Këshilli i Europës mirëpret marrjen e presidencës prej Shqipërisë

Pasi u anëtarësua në KiE në 1995, megjithë deklarimin e Namik Dokles se Shqipëria s’e meritonte, tani ka ardhur koha që, vendi ynë të drejtojë organizatën më të madhe të vendeve demokratike në Evropë. Forcimi i integrimit dhe anëtarësimi i Kosovës paraqiten prej ministrin Haxhinasto si prioritete të kësaj presidence
“Këshilli i Europës po mirëpret presidencën e ardhshme të Shqipërisë. Kjo gjë është me rëndësi jo vetëm se është hera e parë që merrni presidencën por kjo gjë vjen në një moment kyç dhe shënon një hap të rëndësishëm në rajon. Nëse çdo gjë shkon mirë, në kohën e presidencës suaj, situata do jetë me fitim për të gjitha palët. KE qëndron në gatishmëri t`u asistojë dhe kontribuojë në integrimin e Shqipërisë në Evropë, në bashkëpunim me ju, qeverinë shqiptare dhe BE”.
Ky ishte qëndrimi i ardhur pak minuta më parë nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, Gerard Stoudmann në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Ndërkohë ministri Haxhinasto ka theksuar se Shqipëria, gjatë presidencës së Këshillit të Europës, në maj të këtij viti, do të japë kontributin e saj të veçantë për çështjet e tolerancës, bashkëjetesës dhe kontributin e saj për rajonin.
“Diskutuam lidhur me përgatitjet për presidencën e ardhshme të Europës, që siç e dini fillon në Maj të këtij viti. Kemi folur për prioritetet e kësaj presidence, me qëllim që ato të jenë në përputhje të plotë si me presidencën aktuale britanike ashtu dhe me atë të ardhshme. Sigurisht që Shqipëria në këto prioritete ka futur edhe kontributin e saj të veçantë përsa i takon çështjeve të tolerances, bashkëjetesës si edhe kontributit te saj të veçantë për rajonin. Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë, hapësirat konkrete që krijohen për Kosovën që të ndërmarrë hapa në drejtim të anëtarësimit në Këshillin e Europës, sidomos mbas marrëveshjes së arritur në Bruksel me Serbinë për integrimin e Republikës së Kosovës në të gjitha iniciativat dhe organizatat rajonale”, u shpreh Haxhinasto. Njëkohësisht, referuar takimit mes tyre, kryediplomati shqiptar theksoi se gjatë bashkëbisedimit me Stoudmann ka diskutuar edhe për situatën politike në vend ku disa nga çështjet ku duhet të fokusohet politika shqiptare janë reforma zgjedhore, procedurat parlamentare dhe miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar.
“Një vëmendje të veçantë në bisedën tonë patën reforma zgjedhore, procedurat parlamentare dhe miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar”, tha ai.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, Gerard Stoudmann vlerësoi se Presidenca e Shqipërisë do të krijojë një situatë ku të gjithë aktorët do të dalin të fituar.