E Diel, 1 Nëntor 2026

“Procedurat dixhitale garantojnë transparencë dhe godasin korrupsionin”

01-03-2012 / Gazeta 55

Reformat në fushën e luftës kundër korrupsionit

Kryeministri Berisha theksoi dje se reformat në fushën e luftës kundër korrupsionit, duhet të jenë një proces i pandërprerë. Duke u përqendruar në këtë temë, kryeministri përgëzoi Ministrinë e Arsimit, e cila aplikoi për herë të parë në historinë e vendit, provimin  e shtetit, dixhital.
Duke e vlerësuar këtë si një hap të madh, të rëndësishëm, kryeministri kërkoi që të bëhet gjithçka nga Ministria e Arsimit dhe strukturat përkatëse për shtrirjen dhe ridimensionim më të madh të provimeve dixhitale në sistemin tonë arsimor. “Ministria e Arsimit aplikoi për herë të parë në historinë e vendit, provimin  e shtetit dixhital, jashtë çdo lloj ndërhyrje dhe indiference, jashtë çdo lloj praktike të përfolur, ose korruptive. Ky fillim, ky hap i madh, i parë le të na shërbejë ne vetëm si projekti pilot për ta shtrirë dora dorës në të gjitha universitet publike dhe private te vendit”, u shpreh Berisha.
Duke sjellë shembullin e disa vendeve të zhvilluara evropiane, të cilat aplikojnë këtë sistem, kryeministri tha se edhe Shqipëria mund të renditet krahas tyre për të rritur cilësinë e sistemit të saj arsimor.
Berisha theksoi se do të ishte shumë e rëndësishme që dekanët dhe rektorët që do të fillojnë detyrën në këto poste të kenë si përparësi instalimin e praktikave të provimeve dixhitale në fakultetet dhe degët që ata drejtojnë.
“Thirrja ime më miqësore për rektorët dhe dekanët që nisin detyrat, të zgjedhur për herë të parë apo me mandate të rifreskuara, le ti venë vetes detyrë për ta patur si një trashëgimi të tyre, instalimin në maksimumin e mundshëm të praktikave të provimeve dixhitale në fakultetet dhe degët që ata drejtojnë”, u shpreh kryeministri.
Duke cilësuar procedurat dixhitale, si levën më të fuqishme të transparencës, kryeministri përgëzoi Bashkinë e Tiranës për hapjen e sportelit unik për lejet dhe licencat.
“Ky sportel, u shpreh kryeministri, së bashku me sportelin One Stop Shop Qendror, e cila ka dy vjet që funksionon, përbën një hap tjetër të madh në luftën kundër korrupsionit”. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Brendshme që ky shembull për lejet dhe licencat tu mundësohet të gjitha bashkive të mëdha kryesore te vendit.
“Është shumë e rëndësishme tu garantojmë mbështetjen e duhur, të kërkojmë mbështetjen e IFC dhe atyre që u asistuan bashkisë së Tiranës, e cila në një kohe rekord realizoi, ndërtoi një institucion shumë të çmuar për transparencën dhe eficencën”, tha kryeministri.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›