Lufta e Akademisë së Filmit “Marubi” gjen mbështetjen e Hollivudit
Konflikti mbi pronësinë e së vetmes shkollë filmi të Shqipërisë, Akademisë së Filmit “Marubi” në Tiranë, ka hyrë në javën e pestë me përpjekje të ripërtërira nga ana e qeverisë për të kufizuar në vazhdim hyrje-daljet normale të stafit dhe studentëve në ambientet e saj.
Akademia u ngrit pesë vjet më parë si një institucion publik në një pjesë të ish-studios shtetërore të filmit.
“Albafilm”, një organ që varet nga Ministritë e Kulturës dhe Ekonomisë në ish-shtetin e izoluar komunist, kërkon që një kinoteatër veror, lulishtet që iu shërbejnë studentëve të artit dhe një pjesë ku është planifikuar të zhvillohet në prill Festivali Ndërkombëtar i Filmit të të Drejtave të Njeriut, të dorëzohet për t’u shndërruar në një parking makinash për një studio televizive aty pranë.
Beteja e akademisë për të mbajtur ndërtesën dhe lulishten, ka bërë që një peticion i paraqitur në internet të nënshkruhet nga mijëra mbështetës, përfshirë regjisorë të shquar si Gus Van Sant, Nick Broomfield, Jon Jost, Richard Linklater, Abel Ferrara, Chris Hegedus, D.A. Pennebaker dhe Albert Maysles.
Tensionimi i fundit që ndodhi të mërkurën, kur zyrtarë të “Albafilm”-it dhe kontraktorë të një shoqërie private sigurimi u përpoqën të ngrinin një gardh të dytë përreth hyrjes së akademisë, i cili u hoq nga studentët, tregon se qeveria ende nuk është gati të heqë dorë nga pretendimi i saj mbi këto ambiente, sipas Kujtim Çashkut, regjisor shqiptar dhe rektor i akademisë.
“Janë dy gardhe që u vunë në hyrje të akademisë. Duket si një burg i vogël, me një gardh dhe një portë, dhe një tjetër gardh dhe portë para hyrjes së shkollës”, - tha Çashku. “U mbushën tashmë 35 ditë që kur na u ndalua hyrja normale me automjete në akademi, e cila është e vetmja hyrje, me anë të së cilës nxjerrim dhe fusim brenda pajisjet e xhirimit. Kjo do të thotë që studentët nuk mund t’i realizojnë filmat që duhet t’i realizojnë si pjesë e programeve të tyre akademike”.
Konkurrimi për vende në akademi është i fortë dhe standardet të larta: vitin e kaluar vetëm 8 nga një klasë prej 12 studentësh që duhej të diplomoheshin mundën të merrnin diplomat përfundimtare.
Gjendja është e ndërlikuar nga fakti se, ministri i Kulturës Ylli Pango, i cili ka udhëhequr sulmin mbi shkollën, u shkarkua në fillim të këtij muaji nga kryeministri, Sali Berisha, për abuzim të rëndë të detyrës, në lidhje me një çështje që kishte të bënte me një vajzë, e cila kërkonte një punë në ministri.
Megjithatë, urdhrat ekzekutivë nënshkruar prej tij lidhur me shkollën e filmit mbetën në fuqi.
John Jost, gjurmët e shënuara të të cilit si regjisor i pavarur dhe mbrojtës i demokracisë kinematografike datojnë që nga vitet 1960, kur ishte themelues i Chicago Film Coop, u shpreh për “Variety”: “Jam gjithmonë në mbështetje të atyre, zërat e të cilëve janë të shtypur, qoftë për arsye politike, qoftë për arsye ekonomike. Historia e Shqipërisë është ende me dhimbje, nuk e ka kapërcyer atë çka ka përjetuar nën regjimin e ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, kështu që sulmet me dorë të rëndë që ka pësuar akademia “Marubi” përbëjnë një shqetësim të veçantë, duke treguar kështu një prirje që ekziston ende në shtet për të shtypur çdo gjë që mund të sfidojë kontrollet që ky i fundit zotëron”.
Van Sant, në prononcimet e tij të publikuara në faqen e internetit të akademisë, është shprehur: “Shpresoj që kjo shkollë të mund të vazhdojë të mësojë dhe frymëzojë studentët e filmit të Tiranës. Filmi është edhe kështu mjaft i vështirë për t’u mësuar pa shkolla si akademia “Marubi.”
* Artikull i marrë nga revista më e madhe hollivudiane, “Variety”, botuar më 26 mars 2009