I zoti i tokës
Isha kapur për një bisht ëndrre. Ajo ishte më fantastike se ëndrrat e Markezit. Pasi e kisha liruar Majën, në kalë të bardhë, tamam si në këngët tona popullore, zbritja tatpjetë gjysmë i fjetur. Me një litar të fortë e të trashë e tërhiqja Vozhdin, këmbë e duar lidhur. Nuk mbaj mend kur isha nisur dhe prej nga vija, por pas lija një pluhur të madh, të padepërtueshëm. Ai nuk e shihte fare kalin tim të bardhë. E ndiente vetëm litarin kah e tërhiqte zvar turma. Kishin kaluar ditë, muaj e vite të mundimshme derisa arrita atje poshtë, ku turma e përgjakur priste gojëhapur. Britmat e kishin mundur dhe Golgotën. Në drejtim tim ecte rëndë koha. Frenova kalin. I shikova ato fytyra të lodhura, ngrita dorën dhe para këmbëve na hodhën: “Vozhdin Merreni! Bëni ç’të doni me të! Nuk përlyhen duart me të”.
Dhe, kur prisja fundin e tij, një shpullë e fortë më shkundi “Zgjohu! Në demokraci nuk jetohet si në komunizëm pa punë! Nuk të jep kush bukë badihava”. E nxora kokën nga fundi i plafit. Ishte Xhambazi, i cili e mbante telefonin në dorë. “ǒështë, bolshevik? Pse nuk më lë ta shoh fundin e Kasapit?”, i thashë gjysmë në ëndërr e gjysmë në gjumë. Hi, hi hi u shqye gazit. Ma lëshoi telefonin në shtrat: “Të thërrasin në një takim letrar për fëmijët shqiptarë në Cyrih. Vijnë nga mbarë Europa”. Më erdhi keq që ndahesha nga ëndrra ime. Të shihja bile në ëndërr Vozhdin si hiqte shpirt para kërbaçëve të turmës së uritur.
E ngrita kufjen: “Në telefon, Aliu”. Në anën tjetër të telit dëgjoja zërin, të cilin mezi e kuptoja. “Mirë, mirë… Po u pres poshtë. A e dini ku gjendet Redaksia e Demokracisë? Ashtu… Pranë stacionit hekururdhor…” E mbylla telefonin. Xhambazët i shikoja me një pikëllim dhe i luta të më ndihmonin se ata vinin për pesëmbëdhjetë minuta. Njërën anë të fytyrës ma rroi Xhambazi Një, tjetrën anë Xhambazi Dy. Shaipi ma solli kravatën, të cilën ia hodha për fytyrë. Vetes nuk doja t’i vë lak. Këtë marri nuk kisha pranuar ta bëj as ditën kur kisha parë Hënën time. Në kujtesën e përgjumur ende më parakalonte fytyra e mufatur e Vozhdit. Me të ç’bënte turma? Në mënyrën time i shava Xhambazët pse më kishin ndarë nga ëndrra dhe dola duke murmuruar.
Kishte dhjetë minuta që më priste një makinë e bardhë: “Oh, zot në çfarë qenka shndërruar kali im i gjorë!”. Dy vasha të veshura në mënyrë europiançe, me karakteristika mjaft dalluese shqiptare, buzëqeshën dhe më thanë se duhet të ngutemi, programi sa nuk ka filluar. Unë ende nuk kisha mundur të ndahem nga Golgota ime. Pasi i kaluam disa rrugë, njëra ma ofroi një cigare. I thashë se nuk e pi, për juve do ia qes tymin. Ajo buzëqeshi: “Quhem Rozafa, shoqja ime Teuta”. Lëshoi një shirit pastaj. Kur u krye kënga, çela gojën: “Emra të bukur kanë njerëzit e bukur. Emra të bukur mund të ketë vetëm një popull i lashtë”. E pamë njëri-tjetrin dhe buzëqeshën. Rozafa, që i grahte makinës, më pyeti a i kujtohem? Unë rrudha krahët. Ajo ma kujtoi Stokholmin: “Tani dukeni më i ri”, shtoi duke kthyer kokën nga unë. “Ujë i Kosovës, buka e Kosovës, ajri i Kosovës të rinon” ia prita duke i përvjelë buzët. Prapë qeshën ato. “Do të gëzohen nxënësit që do të ju dëgjojnë, tha pak më vonë. Teuta tregoi se i ngjanin Afërdites së Spases: njëra nga Rrafshi i Dukagjinit, tjetra nga Tomori. Unë vazhdova t’u kërkoj falje se mezi i dëgjoja. Fytyrat e tyre të pastërta herë pas here më përziheshin me do fytyra që i kisha parë dikur. U thashë se mbrëmë isha kthyer vonë; kisha patur një takim tronditës me refugjatët shqiptarë. Rozafa më tregoi se numri i tyre rritej. Ndërkaq Teuta ma vërtetoi thënien e dukagjinasit se nuk ishin të atillë siç flitej për ta, por secili shikon punën e vet. Kjo më gëzoi. Dhe kur nisën të flasin për nxënësit e tyre, kishim arritur në një sallë teatri. Dikush tha: Me Vozhdin ç’të bëjmë? Ishte shfaqur Çlirimtari. Ka Zot ky vend.