E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nacionalizmi ekonomik



Dhoma Evropiane e Tregtisë në Kinë publikoi raportin e saj vjetor. Në përgjithësi firmat evropiane janë të kënaqura me biznesin e tyre në Republikën Popullore. Por vështirësitë nuk janë pakësuar, përkundrazi janë shtuar.

"Libri, për fat të keq, po bëhet gjithnjë e më i madh. Vitin e kaluar ishin 20 faqe, tani 400 faqe. Kjo shkakton një tronditje të vogël".

Një tronditje pasi pikërisht komisari i BE-së për tregtinë, Peter Mandelson, prej vitesh i kërkon Kinës rregulla të ndershme konkurrence, deri tani me sa duket me sukses të kufizuar. Kështu, 1.400 firma të Dhomës Evropiane të Tregtisë duhet të luftojnë gjithnjë e më shpesh me nacionalizëm:

"Ky nacionalizëm në ekonomi konstatohet tek proteksionizmi. P.sh. ne nuk mund të blejmë firma çeliku, dhe edhe në sektorin e industrisë së makinave pengesat janë në rritje. Ne kemi ende pengesën që na kufizon në blerjen e jo më shumë se 50 për qind të kapitalit në një firmë, ndërkohë që kinezët mund të blejnë edhe 100 për qind të Roverit".

Presidenti i Dhomës Evropiane të Tregtisë, Wuttke, thotë se nuk di asnjë shembull suksesi të ndonjë koncerni evropian që është përpjekur të blejë një biznes në Kinë. Edhe nga tenderat publikë të huajt janë të përjashtuar. Rregullat për themelimin e firmave të përbashkëta evropiano-kineze janë të prapambetura dhe të padobishme. Po aq të papërshtatshme janë edhe rrugët nëpërmjet të cilave në Kinë vendosen standardet:

"Në vendosjen e standardeve kemi të bëjmë me sektorin më të madh të proteksionizmit. Ekspertiza e huaj, edhe kur është fjala për punonjës kinezë, mbahet gjithnjë jashtë mbledhjeve ku diskutohet për standardet. Ne mendojmë se kjo është një fushë ku ne mund të sillnim shumë ekspertizë, por nuk kemi mundësi të marrim pjesë. Dhe janë pikërisht standardet ato që përcaktojnë biznesin e ardhshëm. Ne përpiqemi të bëjmë të qarta avantazhet për Kinën, nëse do të na jepej mundësia të merrnim pjesë. Laboratorët, p.sh., nuk janë aq të mirë. Rezultatet janë shumë të dyshimta, ne mund të sillnim shumë përvojë. Ne në Evropë kemi kapacitete të shkëlqyera për testet që mund t'i ofronim edhe këtu, por kjo ende nuk është e mundur".

Pasojat e nacionalizmit ekonomik janë ndër të tjera fatale për konsumatorët kinezë. Kështu, teknika mjekësore shumë e avancuar nga jashtë për luftimin e tumoreve hyn shumë ngadalë ose aspak në treg. Një problem gjigand janë rregullat jotransparente:

"Në sektorin financiar pati një ndalim të kredive ku Banka Qendrore këshilloi vetëm gojarisht që të kishte më shumë përmbajtje në dhënien e kredive. Nuk pati asnjë ligj, asnjë direktivë apo dokument. Kjo kërkesë për të ushtruar një lloj autocensure ka bërë që kreditë për bizneset e mesme të jenë vërtet të pakta".

Përmirësim ka pasur megjithatë në aksesin e bankave të huaja në tregun kinez.

Jörg Wuttke, nga Dhoma Evropiane e Tregtisë është megjithatë i bindur se problemet me mjedisin do ta detyrojnë Kinën të ndryshojë. Kështu, pronarët e fabrikave duhet t'i vënë në punë pajisjet pastruese, në vend që t'i mbajnë të shuara deri në inspektimin e radhës.

Dhoma Evropiane e Tregtisë përshëndet edhe ligje të ndryshme, si ai për sigurinë e produkteve:

"Në pjesën më të madhe të rasteve autoritetet qendrore këtu në Pekin bëjnë punë shumë të mirë në ligjvënie dhe zbatim. Por, sa më shumë i largohesh qendrës, aq më i vështirë bëhet zbatimi. Këtu ka shumë punë për të bërë ende, Kina është një kontinent e jo një vend".

Dhe kjo vlen edhe për problemin e vazhdueshëm, kopjet e paligjshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›