Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme disa projektligje dhe vendime përmes të cilave synohet përmirësimi i sistemit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në vend. Këshilli i M
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme disa projektligje dhe vendime përmes të cilave synohet përmirësimi i sistemit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në vend.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për projektin e zhvillimit të bashkëpunimit "ALB/002 ujësjellës-kanalizime, në rajonin e Dibrës"".
Marrëveshja e mësipërme parashikon përmirësimin e infrastrukturës së ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në rajonin e Dibrës. Përfituesit kryesorë të këtij projekti do të jenë rreth 13 000 banorë, të cilët do të furnizohen me ujë 24 orë në ditë.
Ky projekt, fondi i të cilit është 4 365 000 Euro ka si qëllim:
1. Të ndërtojë një sistem të ri furnizimi me ujë të pijshëm në komunat e Maqellarës dhe Shupenzës, duke përfshirë një strukturë të re menaxhuese dhe të ndërtojë një sistem të ri kanalizimi për qytetin e Maqellarës.
2. Të asistojë komunën e Lunzit në identifikimin e projektit të Ujit dhe Kanalizimeve. Në këtë mënyrë, komuna e Lunzit do të asistohet në formulimin e projekteve në këtë fushë, të cilat mund të jenë subjekt i një financimi në të ardhmen.
Kohëzgjatja e projektit parashikohet të jetë 30 muaj. Komponenti i ujit të pijshëm të 16 fshatrave të Maqellarës dhe Shupenzës. Të 16 fshatrat kanë një popullsi prej 13 mijë banorësh, të cilët përmes realizimit të këtij projekti do të furnizohen 24 orë në ditë me ujë të pijshëm.
Ndërsa sistemi i kanalizimeve, që do të ndërtohet, synon ofrimin për 1000 banorët e komunës së Maqellarës e një rrjeti kanalizimesh të rindërtuar prej 2 km dhe të një sistemi të ri të përpunimit të ujrave të zeza.
U miratua vendimi "Për miratimin e strategjisë së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në zonat rurale".
Strategjia e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në zonat rurale synon të adresojë dhe të zgjidhë problemet e sigurimit kostant dhe plotësimit të nevojave për ujin e pijshëm, largimin dhe trajtimin e ujrave të përdorura në zonat rurale të vendit. Kjo strategji është hartuar në kuadrin e deçentralizimit të kopetencave të pushtetit vendor duke i dhënë hapësirë pushtetit lokal për të vepruar në zonat përkatëse të shërbimit në rritjen e kujdesit ndaj komunitetit.
Kjo strategji është përgatitur nga Banka Botërore në bashkëpunim me donatorë të tjerë si PNUD-i. Banka Botërore është shprehur se do të mbështesë financiarisht implementimin e saj.
U miratua vendimi "Për miratimin e strategjisë kombëtare të furnizimit me ujë dhe të sanitetit".
Strategjia kombëtare e furnizimit me ujë dhe sanitetit përmbledh një numër politikash të Qeverisë në sektorin e ujë-kanalizimeve, duke patur si me qëllim t'i shërbejë ristrukturimit të këtij sektori, rritjes së mbulimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe cilësisë së shërbimeve në këtë sektor.
Strategjia synon të realizojë këto objektiva kryesorë:
- Plotësimin e kërkesave të konsumatorëve dhe shërbimi i njëjtë për të gjithë popullatën
- Menaxhimin e burimeve ujore dhe mbrojtjen e mjedisit
- Rritjen e mbulimit me furnizim me ujë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve
- Pjesëmarrjen e sektorit privat në sigurimin e shërbimeve
Sektori i ujit në Shqipëri po kalon nëpërmjet një proçesi reformash të suksesshme dhe autoriteti për sigurimin e shërbimeve po deçentralizohet në nivelet lokale të Qeverisë. Qeveria Shqiptare ka patur asistencën e Bankës Botërore në përgatitjen e kësaj Strategjie.
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin "Furnizimi me ujë dhe shkarkimi i ujërave të zeza në Shqipërinë e mesme-komponenti i Lushnjes".
Në bazë të kësaj marrëveshje Qeveria gjermane bie dakort të financiojë projektin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe shkarkimit të ujrave të zeza në Shqipërinë e Mesme - komponenti Lushnje, me një financim prej 4.601.626,93 Euro.
Projekti do të bëjë të mundur jo vetëm furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Lushnjes, por do të mundësojë dhe rregullimin e kanalizimeve të ujrave të zeza.
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për grantin japonez për përgatitjet e projektit të tretë të rehabilitimit të ujitjes dhe kullimit".
Në bazë të kësaj marrëveshje, bëhet lëvrimi i një granti të Qeverisë japoneze prej 432.750 USD për përgatitjen e projektit të tretë të rehabilitimit të ujitjes dhe kullimit.
Qëllimi i Grantit është të ndihmojë në përgatitjen e projektit të tretë të Rehabilitimit të Ujitjes dhe Kullimit, i cili ka si objektiv kryesor:
- Të rrisë prodhimin bujqësor nëpërmjet shërbimeve të përmirësuara të ujitjes dhe kullimit;
- Të sigurojë qëndrueshmërinë e këtyre shërbimeve nëpërmjet mbështetjes së vazhdueshme ndaj shoqatave të përdoruesve të ujit në bazë komuniteti;
- Të fillojë investimet për ndërtimin e hidroçentraleve të vegjël në veprat ujitëse për të ndihmuar në uljen e ndërprerjeve të energjisë elektrike në zonat rurale;
- Të marrë masa urgjente për menaxhimin e përmbytjeve.
Projekti i tretë do të shtrihet në të gjithë vendin në ato skema ujitëse ku fermerët nëpërmjet SHPU-ve do të jenë të gatshme të paguajnë kontributin si dhe në shumë skema kulluese dhe mbrojtje nga gërryerjet e lumenjve si dhe do të trajtojë shumë diga rezervuaresh për të rritur sigurinë e tyre.