Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme një numër vendimesh të rëndësishme të karakterit social. U miratua vendimi "Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin nr.321, datë 15
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme një numër vendimesh të rëndësishme të karakterit social.
U miratua vendimi "Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin nr.321, datë 15.5.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe masën e mbulimit të çmimit të tyre".
Vendimi parashikon ndryshime dhe shtesa në listën e barnave që rimbursohen, si dhe mbulimin 100% të çmimit të barnave të kësaj liste, për kategorinë e pensionistëve.
Mbulimi 100% i çmimit sjell përfitimit falas për kategori e pensionistëve, gjë që do të shoqërohet me një rritje 30% të shpenzimeve aktuale të rimbursimit.
Shpenzimet vjetore të rimbursimit, për këtë kategori, arrijnë në 888260 mijë lekë nga 688260 mijë lekë që janë aktualisht. Efekti financiar i rimbursimit për vitin 2003, do të përballohet nga buxheti i ISKSH.
Kategoria "pensioniste" ka qenë në vazhdimësi një kategori e favorizuar nga skema e sigurimeve shëndetësore. Heqja e bashkëpagesës për kategorinë "pensioniste" sjell përfitimin falas të barnave.
Konkretisht, ndryshimet konsistojnë në përfshirjen në listë të barit Erythropoietinum beta, i domosdoshëm për trajtimin e anemisë të shkaktuar nga Insufiçienca Renale Kronike. Gjithashtu, përfshihen ndryshimet e çmimeve referencë të disa barnave të firmave farmaceutike Novartis, Janssen-Cilag dhe Ebeëe Pharmaceuticals.
U miratua projektligji "Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake".
Qëllimi i këtij projektligji është trajtimi i punonjësve që kanë punuar me intensitet të lartë, me ngarkesa maksimale psiqike dhe të ekspozuar ndaj sëmundjeve profesionale, në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe zbutja e problemeve sociale të këtyre punonjësve.
Në bazë të këtij projektligji, përfitojnë trajtim të veçantë rreth 1020 punonjës, të cilët do të përfitojnë mesatarisht pagë mujore në shumën 6800 lekë dhe kontributin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.
Punonjësit në Kombinatin Mekanik Poliçan, Uzinën e lëndëve Plasëse Elbasan, Uzinën Mekanike Gramsh, Uzinën e Pilave Gramsh dhe Uzinën e Riparimit të Aviacionit në Kuçovë, për vetë natyrën e proçeseve teknologjike, kanë një specifikë të veçantë kundrejt degëve të tjera të ekonomisë, pasi në këto vende pune kryhen proçese fiziko-kimike e piroteknike, që shoqërohen me shkallë të lartë rrezikshmërie, për zjarre, eksplozione, çlirim gazrash e lëndë të tjera të dëmshme për shëndetin.
U miratua vendimi "Për mënyrën e liçensimit dhe të funksionimit të Agjensive Private të Punësimit".
Vendimi parashikon kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë subjektet private për marrjen e liçencës për ndërmjetësim për punësim jashtë shtetit, ndalimin e marrjes së liçencës nga persona të inkriminuar, si dhe dokumentacionin përkatës që duhet të paraqesin këto subjekte.
Agjencitë private të punësimit kanë filluar të liçencohen nga Ministria e Punëve dheÇështjeve Sociale që nga viti 1999 duke u dhënë kështu munësi subjekteve private të kryejnë shërbime të ndërmjetsimit në punë paralelisht me zyrat shtetërore të punësimit duke rritur konkurencën për këto shërbime në treg.
U miratua vendimi "Për trajtimin e punonjësve civilë, që preken nga reforma në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar".
Vendimi synon zbutjen e efekteve sociale që rrjedhin nga shkurtimi i rreth 170 punonjësve, si rezultat i ristrukturimit të Spitalit Ushtarak Qendror Universitar, në kuadër të reformimit dhe modernizit të Forcave të Armatosura.
Në bazë të këtij vendimi, parashikohet trajtimi financiar për një periudhë 6-mujore të këtyre punonjësve me pagën bazë që kanë përfituar në momentin e shkëputjes së marërdhënieve financiare, shtesën për vjetërsi dhe kontributin e sigurimit të detyrueshëm.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për organizimin e drejtorive arsimore të rretheve në drejtori arsimore rajonale dhe në zyra arsimore.
Vedimi përcakton që drejtoritë arsimore rajonale të funksionojnë në çdo qark. Ato janë person juridik, publik, buxhetor, në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe shkencës. Vendimi përcakton detyrat dhe detyrimet e drejtorive arsimore rajonale dhe të zyrave arsimore.
Drejtoria arsimore rajonale është përgjegjëse për sigurimin e cilësisë së shërbimit arsimor, në nivel qarku dhe kryen këto funksione kryesore:
• harton politikat e zhvillimit në fushën e arsimit parauniversitar, në nivel qarku, duke marrë parasysh veçoritë demografike, të terrenit, të klimës, të zhvillimit ekonomik dhe të infrastrukturës vendore.
• realizon politikat rajonale në përputhje dhe të strategjisë kombëtare të zhvillimit të arsimit
• harton dhe zbaton projekte me karakter vendor apo kombëtar, nëpërmjet marrëveshjes dypalëshe etj.
Zyrat arsimore rajonale funksionojnë në çdo rreth që nuk funksionon si qendër qarku. Ato janë në varësi të drejtorive arsimore rajonale. Në çdo rreth që shërben si qendër qarku, vendimi përcakton që zyra arsimore të jetë pjesë përbërëse e strukturës së drejtorisë arsimore rajonale. Ajo ka për detyrë të trajtojë problemet e burimeve njerëzore, emërimet dhe lëvizjet e stafit mësimor e drejtues, zhvillimin e karrierës etj.