Këshilli i Ministrave miraton disa marrëveshje të rëndësishme
Qeveria shprehu dakordësi për miratimin në parim të marrëveshjes ndryshuese nr. 3 në kontratën financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për financimin e projektit të rrugës Levan-Vlorë. Kryeministri Berisha ftoi opozitën, në ushtrim të rolit të saj, të kontrollojë koston e urës mbi Vjosë dhe preventivin e rrugës.
Këshilli i Ministrave miratoi dje edhe disa marrëveshje me institucionet institucionet financiare ndërkombëtare, për financimin e disa projekteve të rëndësishme në vend.
Kryeministri Berisha, duke paraqitur vendimin, qartësoi se shkaku i shtyrjes së përfundimit të kësaj vepre ishte rishikimi i projektit. Me përfundimin e bypass-i të Fierit, me gjatësi 22 kilometra, kompletohet aksi rrugor Milot-Vlorë. Kryeministri kërkoi nga ministri i Punëve Publike të bëhet sa më shpejt i kalueshëm ky aks, edhe në 3 kilometrat e mbetura në Poçem, pasi kjo do të lehtësojë shumë lëvizjen.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të djeshme edhe marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve, për financimin e asistencë teknike për projektin e ujësjellësit të Durrësit. Lidhur me këtë financim, Kryeministri tha se ujësjellësi i ri do t’i japë përgjigje përfundimtare furnizimit me ujë qytetit të Durrësit.
Gjithashtu, u miratua edhe Marrëveshja financiare me Bankën Evropiane të Investimeve, për zbatimin e projekteve në sektorin e rrugëve në Shqipëri.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin për autorizimin e një kompanie për importin e mbetjeve të polietilenit, për qëllime riciklimi. Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në mbrojtjen e mjedisit, Kryeministri i bëri thirrje asaj të ngrejë një sistem monitorimi për të gjitha importet e mbetjeve për qëllime riciklimi.