E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të heqë dorë nga sulmet mjerane kundër investitorëve”

12-07-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha zbulon si synim madhor krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritjen e investimeve në 2 miliardë dollarë

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, se orientimi i gjithë axhendës qeveritare është drejt nxitjes së punësimit, si interesi jetik i qytetarëve shqiptarë. Duke risjellë në vëmendje të dhënat e fundit të certifikuara nga raportet ndërkombëtare, raporti i UNCTAD dhe ai i Komisionit Europian, që flasin për tendencën e një rritjeje progresive të punësimit në Shqipëri, Kryeministri kërkoi nga ministrat të rishqyrtojnë programin e punës së tyre në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe mbështetjes më të madhe të sektorit privat, veçanërisht bizneseve që punësojnë shumë.
Duke e përcaktuar zgjerimin e hapësirave të iniciativës private dhe punësimit jetike, në një kohë kur kriza evropiane dhe më gjerë është shumëdimensionale dhe jo afatshkurtër, Kryeministri theksoi se objektivi duhet të jetë ulja edhe më madhe e papunësisë.
“Kryefjalë e kësaj mbledhjeje është e do të mbetet krijimi i vendeve të punës si një nga qëllimet më madhore, për të mos thënë më kryesori, i të gjitha reformave tona. Sot, beteja për vendet e punës është beteja më kryesore që zhvillohet në Evropë e në botë. Për njeriun, pas shkollimit, asgjë nuk ka më të rëndësishme, sesa punësimi i tij. Është fat i madh që në një periudhë, kur papunësia edhe në vende të zhvilluara kap vlera mbi 20 për qind, kur papunësia është rritur më shpejt e më shumë se kurrë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, dy raporte serioze ndërkombëtare faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se ajo jo vetëm nuk u rrit, por njohu ulje progresive. Raporti i UNCTAD-it dhe raporti i Komisionit Europian, të dy këto raporte theksojnë se në Shqipëri, punësimi u rrit. Të dy këto raporte theksojnë se punësimi në Shqipëri u rrit për shkak të fuqizimit të sektorit privat, me një rritje që në total është 5.5 për qind. Kjo rritje njohu edhe rritjen e ndjeshme të punësimit”, duke renditur si faktorë të kësaj rritje, suksesin e reformave dhe i modelin ekonomik që kjo qeveri ndjek.
Kreu i qeverisë kërkoi nga anëtarët e kabinetit të shqyrtojnë potencialet në bazë të një plani konkret, për t’i ofruar sektorit privat zgjerimin e hapësirave edhe përmes një kuadri ligjor të përmirësuar. Vëmendje të veçantë, kërkoi kryeministri, t’i kushtohet sektorit të bujqësisë, aty ku ekziston një potencial i madh prodhimi.
“Të hapim hapësira për biznesin, edhe duke u rrudhur vetë si sektor publik. Një nga të dhënat më pozitive të këtyre raporteve është zvogëlimi i administratës në Shqipëri. Kjo është shumë pozitive. Këtu dallon koncepti ynë me konceptin e quajtur progresist apo marksist, i cili e konsideron administratën si ndërmarrje punësimi... Një potencial i madh ekziston në bujqësi dhe e vërteta është se, nëse ka një sektor që ka rritur në mënyrën më të ndjeshme prodhimin, ai është bujqësia. Megjithatë duhet të bëjmë gjithçka, zoti ministër, që të nxisim sa më shumë këtë iniciativë, me qëllimin madhor: punësimin. Duhet ta kemi qëllim në vetvete punësimin. Nëse ka një gjë që është qëllim në vetvete e kjo në asnjë mënyrë në sektorin publik, por në atë privat, ky është punësimi”, tha ai.
Duke theksuar se Shqipëria ka pasur një performancë të shkëlqyer në thithjen e investimeve, ndërsa synohet realizimi i objektivit të 2 miliardë dollarë investime për vendin, shefi i ekzekutivit Sali Berisha ftoi opozitën të heqë dorë nga taktika e sulmit kundër investitorëve, me deklarata për anulimin e privatizimeve, koncesioneve apo veprimtarisë private, vetëm për faktin se ato vendime janë marrë nga qeveria.
“E vërtetë është se raporti i UNCTAD-it vlerëson se Shqipëria ka marrë më shumë se potenciali, çka do të thotë se Shqipëria ka pasur një performancë të shkëlqyer në thithjen e investimeve. Sidoqoftë, objektivi ynë duhet të jetë të kapim 2 miliardë dollarë investime për vendin. Do të ftoja opozitën të heqë dorë nga sulmet mjerane kundër investitorëve, të heqë dorë nga deklaratat bajate të anulimit të këtij apo atij privatizimi, koncesioni apo veprimtarie private. Opozita është e ftuar dhe e mirëpritur të kontrollojë në çdo qelizë veprimtarinë e kësaj qeverie, por sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundër produktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë edhe për vendin. Është bërë zakon që pas çdo vendimi tonë për t’i hapur rrugë iniciativës së lirë, opozita del e zotohet se do ta anulojë atë. Absolutisht, ardhja e saj në qeveri mbetet një horizont i paarritshëm, derisa të vazhdojë në këtë mënyrë! Roli i opozitës nuk është ky, por të kontrollojë e të bëjë transparencën dhe jo të shkelmojë apriori çdo gjë e t’u premtojë bizneseve taksën e Marksit. Opozita duhet të ndjekë zhvillimet e të matet dhjetë herë, kur të mendojë se mund të rrisë taksat për të shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune, në kohën më delikate për punësimin e shqiptarëve. Të shkatërrosh vendet e punës për inat të qeverisë, nuk është kjo rruga!”, tha më tej ai.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›