Shtohet optimizmi për Statusin në 100 vjetorin e Pavarësisë
BE përshëndet konsensusin për reformën
Takimi i 5-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, nisi me frymë optimizmi për realizimin e kritereve të statusit. Përfaqësuesit e Brukselit e shohin frytdhënës bërjen e detyrave dhe premtojnë se do t’u bashkëngjiten festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, duke akorduar statusin e vendit kandidat brenda këtij viti
Takimi i pestë i Stabilizim-Asociimit ka filluar me një klimë shumë të favorshme: lajmin e arritjes së marrëveshjes së reformës elektorale. Kjo ka qenë në qendër të vëmendjes të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të BE-së që kanë qenë prezent në takim.
“Lajmi që po dëgjojmë nga ministrja Majlinda Bregu dhe nga deputeti Fatos Beja janë sinjale pozitive që mund të na japin sensin e sigurisë sërish. Do të presim me shumë vëmendje arritjen e konfirmimit përfundimtar lidhur me reformën zgjedhore”, u shpreh drejtori i përgjithshëm në KE, Stefano Sanino.
“Po bëhen përpjekje të shumta për të përmbushjen e rekomandimeve para zgjedhjeve të përgjithshme të viti të ardhshëm. Ne po dëgjojmë një progres shumë të rëndësishëm për reformën elektorale. Ky është vërtet një lajm pozitiv. Është e një rëndësie shumë të madhe dhe Këshilli i Ministrave ka insistuar në këtë pikë më shumë se një herë në konkluzionet e saj. I është përkushtuar një vëmendje politike rekomandimeve të tjera në opinionin e Komisionit të vitit 2010 dhe ne do ti shohim me vëmendje përmbushjen e tyre”, vlerësoi shefi i EEAS, Johan Johanson.
Sipas eurodeputetit, Eduard Kukan, BE-ja do t’i bashkëngjitet festimit të 100 vjetorit të pavarësisë, por për këtë nevojiten vetëm 3 fjalë nga pala shqiptare.
“Ne na nevojitet një mesazh shumë telegrafik nga ju për ftesën: 12 rekomandimet u përmbushën”, vuri në dukje Kukan.
Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu informoi të pranishmit me disa nga treguesit e arritur në reforma gjatë muajve të fundit. Krahas reformës zgjedhore, tha Bregu, parlamenti i ka hapur rrugë procedurave për shqyrtimin e projekt-ndryshimeve kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe të gjyqtarëve.
“Kjo do të jetë një seancë e jashtëzakonshme (6 gusht), çka dëshmon vullnetin për ta zgjidhur këtë çështje madhore për luftën kundër korrupsionit”, tha ajo.
Në vijim, ministrja prezantoi arritjet kryesore në përmbushjen e prioriteteve kyçe të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ndër më kryesoret ishin: reforma në administratën publike; miratimi me konsensus i Ligjit për Gjykatat Administrative në maj; ligji për Shërbimin Civil është miratuar përmes një procesi të gjerë konsultimesh; Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit për eliminimin e kontratave të përkohshme, këto kontrata janë ulur nga 20 për qind në 6.9 për qind dhe deri në shtator do të ulen në 2.5 për qind, siç parashikohet në Planin e Veprimit. Përveç progresit të arritur në lidhje me imunitetin e nëpunësve publikë, Ministrja prezantoi disa rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, ministrja Bregu theksoi progresin e qenësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, i arritur përmes zbatimit të ligjit Antimafia, përfshi konfiskimin e pasurive kriminale si edhe përmes rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar.