E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton shkurtimin e shpenzimeve në buxhetin e vitit 2010

- Kryeministri Berisha u shpreh se këto shkurtime janë absolutisht të domosdoshme, në mënyrë që të përballemi me sukses me këtë mjegullnajë financiare dhe ekonomike që ka pushtuar një pjesë të gjerë të kontinentit

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi shkurtimin e shpenzimeve në buxhetin e vitit 2010. Këto shkurtime, u shpreh Kryeministri Berisha, - diktohen nga vendimi ynë i prerë për të ulur deficitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxhit.

Më tej, Kryeministri u shpreh se “mbledhja e sotme, zotërinj ministra, kërkon mirëkuptimin tuaj, të punonjësve tuaj dhe agjencive që varen nga ju. Këto shkurtime janë absolutisht të domosdoshme, në mënyrë që të përballemi me sukses me këtë mjegullnajë financiare dhe ekonomike që ka pushtuar një pjesë të gjerë të kontinentit”.

Më gjerësisht, lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zotërinj ministra, jemi mbledhur sot për të miratuar shkurtimet e mëdha të shpenzimeve në buxhetin e këtij viti, shkurtime të cilat diktohen nga vendimi ynë i prerë për të ulur deficitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxhit. Ky vendim bëhet i domosdoshëm, jo se qeveria nuk mund të marrë borxh, pasi janë të shumtë dhe të panumërt ata që do të donin t’i jepnin borxh qeverisë, por se borxhi publik përbën një shpatë e Demokleu mbi sektorin privat. Dhe do të ishte shumë e gabuar që ne të jepnim mesazh tjetër në një periudhë kur kreditimi i këtij sektori ka një rëndësi përcaktuese për zhvillimin e vendit.

Duke vendosur që të mos lejojmë rritjen e borxhit dhe mundësisht ta ulim atë, ç’ka përbën mesazhin më pozitiv drejt tregjeve në tërësi dhe tregut financiar në veçanti, ne në një farë mënyre përshtatemi dhe me situatën e krijuar nga kriza e borxheve. Po qarkullon nëpër Evropë një krizë, e cila ka vendosur monedhën e dytë të botës, Euro-n, në pozita realisht të vështira. Shqipëria nuk është vend anëtar i Euro-s, por Shqipëria dhe disa ekonomi të tjera jashtë saj, përjashto këtu ekonominë britanike, janë thellësisht të eurizuara. Dikur thuhej: kur teshtin Franca – mbërdhin Evropa, tani duhet të themi: kur teshtin Euro – mbërdhin monedha të tjera në Evropë, sepse është monedha kryesore.

Ndaj le të bëjmë këtë përkujdesje, e cila është e diktuar nga rrethanat. Por nga ana tjetër, zotërinj ministra, dua t’ju them se entuziazmi, dinamizmi dhe rritja e ekonomisë reale shqiptare është në përmasat më të mëdha se ndonjëherë më parë. Prodhimi industrial në Shqipëri, eksport dhe konsum, vendi ka njohur këto gjashtë muaj rritjen më të madhe në historinë e tij. Eksportet nga 48 miliardë që kanë qenë vitin e kaluar kanë arritur në 82 miliardë gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Industria, prodhimet industriale në konsum vendi janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Transporti ka në rritje dyshifrore. Tregtia ka një rritje dyshifror. Një rritje, nuk mund të them dyshifrore, por të përfillshme ka krediti. Ka rritje dyshifrore në depozitat e bankave.

Pra këto masa që po marrim janë përkujdesje dhe qëndrime të përgjegjshme që duhen mbajtur në një situatë kur monedha kryesore e kontinentit është në gjendje të vështirë, kur borxhet e disa vendeve të zhvilluara përreth nesh janë të përmasave më të mëdha. Dhe, siç mund të keni konstatuar, të gjitha qeveritë po bëjnë shkurtime shumë të mëdha. Qeveria gjermane votoi dje një shkurtim prej 80 miliardë Euro të shpenzimeve. Silvio Berluskoni paketën e shkurtimeve e shndërroi në votëbesim, në një akt të madh kurajoz. Ju jeni dëshmitarë se David Cameron shkurtoi më 75 përqind të të gjitha bonuseve që merrte administrata, bllokoi tërësisht rrogat e larta dhe po bën shkurtime të mëdha shpenzimesh. Pra, është një përpjekje e madhe e re që këtë krizë ta shndërrojmë në një mundësi për të rivendosur ekonominë në baza të reja makro- stabiliteti. Në këtë kontekst, Shqipëria, mençurisht, duhet të marrë qëndrimet e duhura, të vendosë për qëndrimet e përshtatshme. “No man is an island”- thotë John Donne. “Asnjë njeri nuk është ishull”, lërë më një vend në kohët globale.

Zotërinj ministra, edhe mbledhja e sotme kërkon mirëkuptimin tuaj, të punonjësve tuaj dhe agjencive që varen nga ju. Këto shkurtime janë absolutisht të domosdoshme, në mënyrë që të përballemi me sukses me këtë mjegullnajë financiare dhe ekonomike që ka pushtuar një pjesë të gjerë të kontinentit”.


08/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›