E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Ilmi Ozkok

Sot, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneralin Ilmi Ozkok.

Në takim, kryeministri Berisha dhe gjenerali Ozkok vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona që shtrihen në të gjitha fushat, në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në fushën ushtarake.

Kryeministri Berisha falenderoi gjeneralin Ozkok për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që Turqia dhe ushtria turke i ka dhënë Shqipërisë dhe ushtrisë shqiptare. Bashkëpunimi midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve dhe ndihma logjistike, financiare dhe në fushën e arsimit për forcat detare dhe tokësore të ushtrisë shqiptare kanë ndihmuar në reformimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe afrimin e saj me NATO-n.

Kryeministri Berisha theksoi se anëtarësimi në NATO është ndër prioritetet madhore të Shqipërisë dhe qeveria do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për modernizimin e ushtrisë dhe përmbushjen e të gjitha standarteve dhe kushteve për anëtarësim në NATO. Në këtë drejtim, qeveria shqiptare do të rrisë buxhetin për ushtrinë, si dhe do të thellojë reformat strukturore në Forcat e saj të Armatosura.

Nga ana e tij, gjenerali Ozkok shprehu mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe do t'i japë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe shpresën se ky anëtarësim do të ndodhë sa më shpejt. Gjenerali Ozkok theksoi se zgjerimi i NATO-s është i domosdoshëm. NATO-ja u fuqizua dhe mbijetoi sepse u adoptua me situatat e reja, tha gjenerali Ozkok, duke shtuar se kushtet e reja kërkojnë që edhe vendet e Ballkanit perëndimor të bëhen anëtare të NATO-s.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›