Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi disa projektligje, vendime dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare. • Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi disa projektligje, vendime dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
• Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për shpronësimin për interes public të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i autostradës Lushnje-Fier".
Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë me një vlerë të përgjithshme prej rreth 508 milion lekë. Projekti i ndërtimit të autostradës Lushnje-Fier financohet me kredi nga qeveria italiane, në kuadrin e investimeve të ndërmarra për kompletimin e korridorit veri-jug, sipas standarteve europiane.
• U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.405, datë 8.1.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për administrimin e rrjetit rrugor kombëtar dhe rrjetit rural të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.
Segmenti rrugor Elbasan-Gjinar, me gjatësi 24 km, përfshihet në rrjetin kombëtar rrugor për rëndësinë ekonomike dhe sociale të tij, pasi lidh qytetin me qendra të rëndësishme të qarkut, duke kaluar në territore me popullsi të konsiderueshme prej rreth 18 mijë banorësh, si dhe mundëson lidhjen me zonën turistike të Gjinarit, e cila ka një fluks të madh lëvizjesh në mjete dhe njerëz.
• U miratua vendimi "Për përdorimin e fondeve buxhetore për rehabilitimin e infrastrukturës ne komunat Vig-Mnel, Hajmel dhe Bashkinë e Vaut të Dejës në qarkun e Shkodrës dhe për dhënie ndihmë familjeve të dëmtuara nga përmbytjet e lumit Gjadër".
Këshilli i Ministrave miratoi fondin prej 57 850 000 lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, që do të përdoret për dhënie ndihme 123 familjeve të dëmtuara nga përmbytjet e lumit Gjadër.
Këshilli i Ministrave vendosi që Komunës Vig-Mnel, në buxhetin e miratuar për vitin 2004, t'i shtohet fondi prej 45 900 000 lekësh për t'ua shpërndarë si ndihmë kryefamiljarëve të fshatrave Kullajxhi, Mnel e Vogël dhe Mnel e Madhe, të cilëve u janë dëmtuar banesat nga përmbytjet e lumit Gjadër. Po ashtu komunës Hajmel í akordohen 6 300 000 lekë si ndihmë për familjet e fshatit Hajmel, të cilave u janë dëmtuar banesat nga përmbytjet e lumit Gjadër. Edhe bashkisë së Vaut të Dejës i jepet fondi prej 5 650 000 lekë qëdo të përdoret për familjet e fshtrave Naraç e Gomsiqe dhe qytetit të Vaut të Dejës, të cilave u janë dëmtuar banesat nga përmbytjet e lumit Gjadër.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi përdorimin e fondit prej 41 500 000 lekë nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Ministrisë së Trasportit dhe Telekomunikacionit për rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar në komunat Vig-Mnel, Hajmel dhe bashkinë e Vaut të Dejës në qarkun e Shkodrës.
• Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për lejimin e bashkisë së Shkodrës, që fondin prej 10 000 000 (dhjetë milion) lekësh të përdorë procedurën "Prokurim i drejtperdrejtë për realizimin e punimeve emergjente të sistemimit të objekteve të mbrojtjes përgjatë brigjeve të lumit Drin".
Ky vendim merret se gjatë vitit të kalur e në vazhdim si rezultat i rreshjeve të shumta ka patur dëmtime të konsidreueshme në masat mbrojtëse të brigjeve të limit Drin. Për të stabilizuar masat parandaluese dhe evitimin e pasojave kërkohet një ndërhyrje e menjëherëshme me këto fonde për riparimin e brigjeve të lumit Drin, me ndërtim të paneleve dhe mureve mbajtës, në një gjatësi prej 230 ml.
Për shkak të afrimit të dimrit dhe të shkurtimit të afateve Bashkia e Shkodrës lejohet të përdorë procedurën "Prokurim i drejtperdrejtë" për realizimin e punimeve emergjente. Nga bashhkia e Shkodrës është bërë përzgjedhja e firmës ndërtuese e cila është "Drini A shpk".
• Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Eksport-Import të Koresë, për projektin e elektrifikimit të zonave rurale".
Republika e Koresë do të financojë projektin e elektrifikimit të zonave rurale nëpërmjet huasë prej 25 milion USD nga Fondi i Bashkëpunimit për Zhvillimin Ekonomik. Projekti përfshin riforcimin e sistemit trasmetues nëpërmjet ndërtimit të një linje trasmetuese 220 kv dhe synon: të rrisë cilësinë e furnizmit me energji elektrike; të zvogëlojë ndërprerjet e energjisë në zonat rurale; të kontribuojë në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të këtyre zonave.
• Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për projektin e zhvillimit të bashkëpunimit "ALB/003: asistencë teknike në mbështetje të strategjisë shqiptare të furnizimit me ujë dhe shërbimeve sanitare".
Kjo marrëveshje me një fond grand prej 2 milion eurosh është pjesë përbërëse e një programi të gjërë që parashikohet të financohet nga burime të ndryshme financiare, me nje vlerë totale 73.2 milion euro. Ky projekt do të ofrojë asistencë teknike në kuadrin e këtij programi që operon në qytetet bregdetare Durrës, Lëzhë/Shëngjin, Sarandë si dhe në Korçë.
• U miratua vendimi "Për procedurat dhe kushtet për dhënien e lejes së përpunimit të nënprofukteve të naftës".
Vendimi përcakton procedurat dhe kushtet për dhënien e lejes së përpunimit të naftës e nënprodukteve të saj. Krahas kërkesave që kanë të bëjnë me personin juridik dhe dokumentacionin identifikues të shoqërisë, në vendim specifikohen edhe kërkesat për projektin teknologjik për impiantin e përpunimit, është parashikuar kërkesa për planbiznesin për aktivitetin që do të kryejë shoqëria, si dhe për kontratën e punësimit sëbashku me dokumentat e formimit profesional të drejtuesit teknik të këtyre shoqërive.
• U miratua vendimi "Për mbajtjen dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë për naftën, gazin dhe nënprodukteve të tyre".
Qëllimi i vendimit është garantimi i mbajtjes së një rezerve sigurie të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre dhe përdorimi i saj për përballimin e nevojave të konsumit kombëtar me këto produkte gjatë periudhave të krizës. Vendimi merr në konsideratë se këto produkte vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishmë në plotësimin e nevojave të vendit me burime energjitike, si dhe duke konsideruar çdo vështirësi me ndikim në reduktimin e furnizimit me të tilla produkte ose në rritjen e ndjeshme të çmimeve të tyre duke patur në këtë mënyrë efekte në aktivitetin ekonomik.
Rafineritë e naftës, instalimet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, të cilat janë pajisur me lejet përkatëse, janë të detyruara të mbajnë rezervë sigurie për naftën, gazin dhe nënproduktet e tyre për mbulimin e nevojave të konsumit kombëtar në periudha krizash.
• U miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Kiotos, të Konvetës Kuadër të Kombeve të Bashkuara, për ndryshimet klimaterike".
Marrëveshja e Kiotos, e nënshkruar më 17 dhjetor 1997, është një marrëveshje ndërmjet vendeve të ndryshme të botës që synon uljen e përqëndrimit të gazeve me efekt serrë në nivele të tilla që të mund të parandalohen pasojat e rrezikshme që vijnë nga shkarkimet e tyre.
• U miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin ndryshues të Konvetës Europiane për Televizionin Ndërkufitar".
Protokolli ka për qëllim zhvillimin e kushteve lehtësuese nëpërmjet palëve për trasmetimin dhe ritrasmetimin e programeve televizive. Gjithashtu ai parashikon detyrimin e çdo pale për të siguruar nëse trasmetimi është i zbatueshëm dhe me mjetet e përshtatshme, brenda juridiksionit të saj, të rezervojë për veprat europiane pjesën më të madhe të kohës së trasmetimit, përveç kohës së caktuar për lajme, veprimtari sportive, lojra, reklama, shërbime teleteksi dhe tele-shitje.
Protokolli riafirmon rëndësinë e parimit të lirisë së shprehjes dhe informimit të parashikuara në Konventën Europiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, e cila ndërton një nga bazat kryesore të një shoqërie demokratike, të rëndësisë së trasmetimit televiziv për zhvillim dhe kulturë, për informimin e lirë të opinionit publik në kushtet e ruajtjes së mundësive të barabarta për të gjithë subjektet, për përdorimin e kapaciteteve satelitore për televizionin dhe radion.
• U miratua vendimi "Për procedurat dhe rregullat bazë të funksionimit të organizimit të autorizuar për kryerjen e vlerësimit të konformitetit".
Vendimi ka për qëllim që nëpërmjet vlerësimit të konformitetit nga organet e autorizuara, të krijojë kushte në sigurinë e hedhjes në treg ose vënien në shërbim të produkteve të sferës së detyruar. Përmbajtja e tij ka jo vetëm karakter teknik, por në zbatimin e tij legjitimohet kontrolli i produkteve të prodhuara në vend dhe të lëndëve të para të importuara për këto produkte.
• U miratua vendimi "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.198, datë 4.5.1993, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin e Entit Kombëtar të Banesave", të ndryshuar.
Vendimi reflekton ndryshimet në politikat e strehimit që përcaktohen në ligjin e miratuar në maj të vitit 2004 "Për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane". Bazuar në këtë ligj, fondet buxhetore për strehimin duke nisur nga viti 2005-2006 do t'i akordohen bashkive për administrimin e programeve sociale të strehimit. Në këto kushte është e domosdoshme specifikimi i një roli të ri të EKB dhe ligjërimi i aktivitetit të saj për të operuar në tregun e lirë të banesave. Përdorimi i fondeve të akumuluara nga shitja e tyre do të përdoren: një pjesë për zgjerimin e aktivitetit dhe një pjesë për mbështetjen e programeve sociale të strehimit. Kjo është një skemë mjaft e njohur në vende të tjera të rajonit dhe në mënyrë të veçantë në SHBA.
Në bazë të këtyre ndryshimeve, objekti i veprimtarisë së Entit Kombëtar të Banesave është financimi, ndërtimi dhe shitja e banesave në kushtet e konkurencës së lirë për sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për vazhdimin e veprimtarisë për mbështetjen e politikave sociale të strehimit dhe për sigurimin e banesave me kosto të ulët.
• U miratua vendimi "Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2004, miratuar për ministrinë e Kulturës, Rinisxë dhe Sporteve".
• U miratua në parim Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Hollandës, për sigurimin e automjeteve ushtarake dhe të pjesëve të këmbimit për nevojat dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".