Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një vizitë në Qarkun e Fierit, në Komunën Zharrë. Qëllimi i kësaj vizite ishte promovimi i projektit për shpërndarjen e karburantit pa akcizë p
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një vizitë në Qarkun e Fierit, në Komunën Zharrë. Qëllimi i kësaj vizite ishte promovimi i projektit për shpërndarjen e karburantit pa akcizë për bujqësinë.
Kryeministri Nano është pritur në këtë vizitë nga qindra fermerë, me të cilët ka biseduar dhe ka ndjekur nga afër punën e tyre me mjetet bujqësore. Ndërsa fermerët nga ana e tyre, falënderuan Kryeministrin për mbajtjen e premtimit të bërë dhe e konsideruan projektin për heqjen e akcizës si hap të rëndësishëm për ta dhe pwr familjet e tyre, pwr shtimin e të ardhurave dhe nxitjen e prodhimit. Ata vlerësuan politikat e ndjekura nga Qeveria për mbështetjen dhe stimulimin e zhvillimit të bujqësisë dhe produkteve vendase.
Gjithashtu, Kryeministri Nano shpërndau për fermerët tollona të karburantit pa akcizë për mjetet e tyre bujqësore.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri tha se, "sot po konkretizojmë një reformë shumë të rëndësishme, siç është heqja e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore". "Kënaqësia ime si Kryeministër është e dyfishtë, pasi dy vjet më parë, me marrjen e detyrës për të drejtuar qeverinë dhe në pajtim me programin tone qeverises, u angazhova para peshkatarëve dhe fermerëve për ta ndihmuar prodhimin bujqësor vendas, jo përmes slloganeve pa bukë dhe deklaratave boshe, por nëpërmjet politikave të reja dhe realiste të zhvillimit, përmes uljes së kostove dhe rritjes së prodhimeve dhe të fitimeve tuaja. Sot ju jeni dëshmia e gjallë e mbajtjes së këtyre premtimeve", iu drejtua Kryeministri Nano fermerëve të kësaj zone.
Më tej, zoti Nano kujtoi se, që prej muajit shkurt 2004, mbi 200 anije dhe barka peshkimi kanë përfituar rreth 3 milionë litra naftë pa akcizë, duke rritur numrin e të punësuarve, duke rritur prodhimin 15 përqind,krahasuar me cmimin e pacliruar te naftes nga akciza, si dhe ka ndikuar në rritjen e eksportit.
Nisja e punimit të tokës me karburantin pa akcizë, vijoi Kryeministri, është konsideruar nga shoqatat e fermerëve dhe të mekanikës bujqësore, si revolucioni i dytë në sektorin agrar, pas miratimit dhe zbatimit te ligjit 7501 mbi tokën, në vitin 1991.
"Dua të kujtoj se fermerët dhe mekanizatorët shqiptarë kishin që në vitin 1992 që kërkonin eleminimin e akcizës së karburanteve, si shumë të rëndësishme për të shtuar prodhimin dhe përfitimet, por edhe si një instrument për të përballuar konkurencën ndaj produkteve të importit. Realizimi i kësaj reforme është edhe një tregues tjerër i kujdesit për politikat nxitëse dhe lehtësuese, që Qeveria ka ndërmarrë në dobi të zhvillimit, modernizimit dhe integrimit të vendit", u shpreh Kryeministri .
Sipas zotin Nano, "politika si këto aplikohen në ekonomitë e zhvilluara perëndimore, vende anëtare të Komunitetit Europian". Prej këtij momenti , theksoi Kryeministri, "63 mijë ferma do të kenë mundësinë ta blejnë naftën për punimet bujqësore me një cmim prej 52-53 lekë për litër, nga 95 lekë per liter që eshte blerë deri dje".
Në këtë fazë të parë të këtij projekti pilot, i cili është ambicioz dhe transparent, janë përfshirë 48 komuna fermere të Lezhës, Fushë Krujës, Fierit dhe Lushnjës.
Duke shprehur bindjen në suksesin e këtyre projekteve, Kryeminitri garantoi se ky hap do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit brenda 2 viteve të adhshme. Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se Qeveria ka bërë gati të heqë akzicën e karburanteve për 8.4 mijë tonë naftë dhe 3 mijë ton solarë që do të përdoret për serat. "E gjithë vlera, që hiqet nga buxheti i shtetit, do të shkojë drejtpërdrejtë në dobinë tuaj dhe të fermerëve të tjerë", u shpreh Kryeministri.
Në bazë të përllogaritjeve paraprake, nëpërmjet heqjes së akcizës parashikohet të ketë rritje të sipërfaqeve të punueshme rreth 70 përqind, për shkak se tarifat e proceseve të punës në mekanikën bujqësore, do të ulen 25-30 përqind. Vetëm si pasojë e kësaj sipërmarrjeje të Qeverisë, parashikohet që rendimenti i produkteve bujqësore e blektorale në zonat pilot, të rritet me 25-30 përqind.
Kryeministri Nano vlerësoi në fjalën e tij punën e gjithë specialistëve të bujqësisë, të komunave dhe bashkive, specialistët e projektit 2 KR, si dhe ARMO Sha, për realizimin e kësaj nisme. Z. Nano bëri të ditur se në reformat per zhvillimin e bujqesise, qeveria parashikon edhe nisma të tjera qe nxisin dhe stimulojne prodhimin vendas.