Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, ka miratuar sot projektligjin Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Drafti i miratuar so
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, ka miratuar sot projektligjin Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Drafti i miratuar sot përmbush një prej angazhimeve prioritare të qeverisë shqiptare jo vetëm në drejtim të reformave institucionale dhe ligjore, por edhe në luftën kundër korrupsionit.
Projektligji synon garantimin e një vendimarrjeje të paanshme, transparente, në interesin më të mirë të publikut e të besimit të tij në institucionet e shtetit, nëpërmjet parandalimit të konfliktit të interesave publike dhe private të një zyrtari në ushtrimin e funksioneve të tij.
Ai përcakton rregullat, mjetet, procedurat, përgjegjësitë dhe kompetencat për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe ndëshkimin e rasteve të konfliktit të interesave.
Për hartimin e tij ka punuar prej më shumë se një vit një grup pune, i ngritur me Urdhër të Kryeministrit, me specialistë të ministrive, institucioneve qendrore të pavarura dhe koalicionit Shqiptar Kunder Korrupsionit, përfaqësuar nga Instituti i Studimeve Bashkëkohore.
Drafti është konsultuar gjërësisht me aktorë të ndryshëm të interesit, me ekspertë të Organizatës Europiane për Koordinim dhe Zhvillim (OECD), Këshillit të Europës, USAID-it, si dhe me ekspertë shqiptarë. Ndërkohë për hartimin e një ligji të tillë në disa vende si Kroaci, Sllovaki janë dashur më shumë se dy vjet apo më tepër, si në Itali, për përgatitjen deri në procesin e vendimarrjes të një projektligji të tillë.
Ky projektligj sëbashku me ligjin për deklarimin e pasurive të zyrtarëve, i cili është miratuar në mes të vitit 2003, përbëjnë elemente të rëndësishme të vullnetit të plotë politik e institucional të qeverisë për të zhvilluar në standartet e duhura procese të tilla.
Projektligji përcakton:
• Një vendimarje të paanshme dhe transparente në interes të publikut dhe forcimin e besimit të tij në institucionet publike;
• Përcaktimin dhe klasifikimin e interesave private të zyrtarëve;
• Detyrimin, standartet dhe procedurat për deklarimin e interesave, si ato të lidhura me çdo rast të veçantë në vendimarje, ashtu dhe deklarimin e përvitshëm;
• Ndalimin ose kufizimin e interesave private të zyrtarëve në mënyrë që të parandalohen rastet e veçanta të konfliktit të interesave, si psh. në rastet e lidhjes së kontratave ndërmjet institucioneve shtetërore dhe personave privatë, krijimit të të ardhurave ose përfitimeve për shkak të funksionit zyrtar;
• Mjetet dhe metodat e përshtatëshme dhe të përdorshme në çdo situate dhe nga çdo institucion, për zgjidhjen e një momenti me konflikt interesi.
• Gjithashtu drafti parashikon iligjimitetin e një akti të marrë në kushtet e konfliktit të interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
• Strukturën institucionale përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, i cili do të jetë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive;
• Po ashtu parashikohen sanksione në gjoba (në vlerë monetare) për kundravajtjet administrative, krahas masave disiplinore dhe mundësisë së procedimit penal.
Projektligji gjen zbatim në çdo fushë të vendimarrjes publike dhe vepron mbi çdo zyrtar që kryen detyra dhe ka përgjegjësi në vendimarrje.
Identifikimi dhe regjistrimi i konfliktit të interesit, i përmbahen parimit të vetdeklarimit paraprak nga çdo zyrtar, i çdo interesi privat që mund të përbëjë shkak për shfaqjen e një konflikti interesash.
Duke qenë një ligj me shumë sfida, projekti ka nevojë edhe ne vazhdim për një vullnet dhe mirëkuptimin të gjërë, ndaj diskutimi për të do të jetë i hapur edhe në te te ardhmen.
Diten e Hënë ky projektligj do të dorëzohet në parlament.