Kryeministri Fatos Nano dhe Kryeministri i Turqisë, Resep Tayyip Erdogan, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, morën pjesë sot pasdite në takimin e Këshillit të Biznesit shqipta
Kryeministri Fatos Nano dhe Kryeministri i Turqisë, Resep Tayyip Erdogan, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, morën pjesë sot pasdite në takimin e Këshillit të Biznesit shqiptaro-turk. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare, si dhe një grup prej rreth 100 sipërmarrësish privatë turq, që shoqërojnë Kryeministrin Erdogan në këtë vizitë.
Në fjalën e tyre përshëndetëse, dy personalitetet e larta e vlerësuan takimin si mjaft të rëndësishëm për forcimin dhe promovimin e nismave të reja të bashkëpunimit ekonomik e tregëtar mes dy vendeve.
"Ky takim, u shpreh zoti Nano, na jep mundësinë ne Kryeministrave të të dy vendeve, të jemi akoma më të mbështetur dhe më të motivuar për ta sjellë partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë në një bashkëpunim të gjithanshëm, të frytshëm dhe konkurues midis sipërmarrësve".
Bashkëpunimi ekonomik, shtoi Kryeministri Nano, mbështetet në një numër marrëveshjesh që mbulojnë shumë fusha të zhvillimit, si dhe një numër instrumentesh bashkëkohore që nxisin lëvizjet e lira të siparmarrësve, tregëtarëve, të investimeve kapitale dhe të qytetarëve.
"Turqia po konsolidohet në tre vendet e para si partner tregëtar dhe ekonomik i Shqipërisë. Volumet janë dinamike edhe për eksportet shqiptare në tregun turk dhe kjo po zgjeron njohjen dhe interesat afariste reciproke. Këto dy vitet e fundit, shkëmbimet tregëtare janë në shifren e 160 milionë dollarë, nga rreth 12 milionë që kanë qenë në vitin 2003. Dhe ky realitet është bërë i mundur për shkak të fazës së rëndësishme të zhvillimit në të cilin ka hyrë Shqipëria, fazën e bashkëpunimit rajonal dhe të afrimit me standartet e tregjeve europiane, në kuadrin e asociimit me BE", vijoi Kryeministri. Ndërsa Kryeministri Erdogan theksoi se Turqia do shfrytëzojë të gjitha mundesitë për të qene në vendin e parë në shkëmbimet tregëtare, si dhe në investimin e kapitaleve në ekonominë shqiptare.
Zoti Nano vuri në dukje se sektori privat në Shqipëri kontribuon në 75 % të prodhimit të brendshëm bruto dhe 62 % të punësimit, duke shtuar se vetëm në vitin 2004, ritmika e sipërmarrjeve të reja njeh 7 mijë investime dhe ndërmarrje që u themeluan për herë të parë në tregun shqiptar.
"Ne po zbatojmë një strategji reformash dhe strategji ekonomike që po na afrojnë me Bashkimin Europian dhe po tërheqin mbështetjen dhe vëmendjen, jo vetëm të institucioneve financiare ndërkombëtare, por edhe të një numri gjithnjë e më cilësor bankash të rëndësishme private që operojnë në tregun e Shqipërisë", tha ai..
Gjithashtu, zoti Nano theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e bashkëjetesës po nxisin krijimin e një hapësire tregëtare më të madhe sesa ajo e vendeve të vecanta. "Po zgjerohet shkëmbimi dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, po krijohet një sistem rajonal i energjisë, po krijohen infrastruktura dhe korridore që standartizojnë komunikacionin dhe telekomunikacionin, po adaptohen lehtësi e standarte për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe vecanërisht të sipërmarrësve, po forcohen lidhjet dhe shkëmbimet ne fushën e arsimit, të shkencës, të kulturës, po forcohen garancitë për qytetarët, për sipërmarrësit, për shkak të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar e trafiqeve ilegale", tha z. Nano.
Më tej, Kryeministri u shpreh se Shqipëria po zbaton me sukses Marrëveshjet e Tregëtisë së Lirë me 8 vende në rajon, të cilat kanë zgjeruar oportunitetet e tregut për sipërmarrësit rajonal dhe për këtë shkak eksportet e vendit në rajonin e Europës Juglindore janë trefishur brenda një viti. Pjesa e tregut të eksporteve brenda këtyre shkëmbimeve është rritur nga 2.6 përqind në 8.3 përqind të totalit të eksporteve.
Dy Kryeministrat ndanë të njëjtin vullnet për të përshpejtuar dhe përfunduar sa më parë të jetë e mundur marrëveshjen e shkëmbimit dhe te Tregëtisë së Lirë midis dy vendeve, duke nënvizuar faktin se kjo do të ndihmojnë për të eleminuar barrierat jotarifore të tregut, për të njehësuar procedurat doganore me ato të rajonit, për të liberalizuar shërbimet dhe lëvizjen e lirë të kapitaleve, për të siguruar standarte për biznesin në të dy vendet.
Gjithashtu, Kryeministri Nano dhe Kryeministri Erdogan shprehën besimin se zgjerimi i marrëdhënieve midis institucioneve të të dy vendeve, midis Dhomave të Tregëtisë, shoqatave të biznesit, etj, do të shërbejë për të rritur fluksin e investimeve të drejtpërdrejta turke në ekonominë e Shqipërisë. Biznesi turk, tha zoti Nano, po e zhvillon dukshëm aktivitetin e tij në tregun shqiptar. "Sot, u shpreh ai, në tregun lokal operojnë më shumë se 30 kompani turke në fusha të ndryshme dhe të rëndësishme si banka, transport ajror, ndërtim, kantiere detare, metalurgji, industri, turizëm, arsim. Rreth 3000 punëtorë shqiptare janë të punësuar nga sipërmarrës turk në ekonominë vendase, prandaj 100 milionë dollarë të investuara nga biznesi turk në Shqipëri janë elementë të rëndësishmë të zhvillimit të Shqipërisë".
Kryeministri Nano ftoi sipërmarrësit turq të jenë të pranishëm me investimet e tyre në sektorin e turizmit, të industrisë së agropërpunimit dhe asaj të lehtë, si dhe në privatizimet e sektorëve strategjikë si të telefonisë fikse dhe mobile, në industrinë e naftës dhe në industrinë energjitike, në krijimin e parqeve dhe të zonave industriale.
Të dy personalitetet e larta shprehën besimin se të dy vendet mund të rrisin aftësitë konkuruese të produkteve, të teknoligjive dhe të sipërmarrjeve tona në këtë fushë dhe sëbashku mund të arrijnë të konkurojnë më mirë dhe me më pak kosto për të përballuar kostot e proceseve të integrimit në tregjet dhe në Bashkimin Europian.
Kryeministri turk Erdogan siguroi se Turqia do të vazhdojë t'i nxisë investitorët e saj për të bërë më shumë investime në Shqipëri. "Sipërmarrësit privat turq po i japin rëndësi gjithnjë e më të madhe prezantimit tregëtar në Shqipër", tha z. Erdogan, ndërsa inkurajoi rritjen e mëtejshme të eksporteve shqiptare në Turqi, duke vlerësuar si pozitiv faktin që eksportet e Shqipërisë në Turqi janë rritur 3 herë më shumë, se vitet e tjera.