Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot disa vendime në mbledhjen e tij të radhës. Këshilli i Ministrave miratoi vendimi për masën dhe kriteret për pë
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot disa vendime në mbledhjen e tij të radhës.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimi për masën dhe kriteret për përfitim paaftësie nga personat me statusin e invalidit të punës. Sipas këtij vendimi, invalidët e punës që marrin pension invaliditeti përfitojnë mbi pensionin: për personat me pension të plotë invaliditeti 3000 lekë (të reja) në muaj dhe për personat me pension të pjesshëm invaliditeti 2000 lekë (të reja) në muaj. Efekti financiar fillon më 1 shkurt dhe për vitin 2004 do të jetë 600 milion lekë.
Po ashtu u miratua vendimi për dhënien e një fondi Ministrisë së Drejtësisë për ngritjen dhe funksionimin e grupit të punës me ekspertë për reformën në fushën e drejtësisë, i njohur si "Komisioni i Reformës Ligjore". Komisioni është ngritur me urdhër të Kryeministrit Nano për të përballuar me sukses tërësinë dhe kompleksitetin e problematikave të zhvillimit të reformës legjislative dhe gjyqsore sipas parametrave bashkohorë, si dhe nga përvoja të ngjajshme ndërkombëtare tashmë të konsoliduara. Komisioni do të operojë si një strukturë e posaçme kolegjiale juridike, e organizuar në disa grupe pune sipas fushave kryesore të së drejtës.
U miratua marrëveshja me Malin e Zi për vendosjen e linjës ndërkombëatre liqenore për udhëtarë Shkodër-Virpazar. Kjo marrëveshje ka për qëllim krijimin e kushteve për komunitetet e të dy vendeve, por sidomos të pjesës veriore të Shqipërisë, duke zvogëluar në maksimum pengesat në infrastrukturën liqenore të dy vendeve. Ajo përcakton rregullat për zhvillimin e transportit liqenor mes dy vendeve, duke krijuar kushte të favorshme për lëvizjen e udhëtarëve, të grupeve të ndryshme turistike, kulturore e sportive, që do t'i shërbejë integrimit të dy popujve dhe të kulturave në rajon e më gjërë, si dhe për zhvillimin e turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në mbledhjen e sotme u miratua vendimi për fillimin e procedurës së dhënies me konçesion të formës "BOO" për ndërtimin e impiantit për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane në qarqet Tiranë - Durrës. Të ndodhur përballë situatave të vështira mjedisore për zgjidhjen e problemeve të trajtimit të mbetjeve urbane si dhe mundësive financiare për të përballuar koston e impianteve teknologjike konform kërkesave dhe normave të BE, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për dhënien me konçesion të kësaj veprimtarie.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për një shtesë në ligjin nr. 8607, datë 27.4.2000, "Statusi i dëshmorit të atdheut".
Ndryshimi i propozuar synon në dhënien e statusit Dëshmor i Atdheut, shtetasve shqiptarë që:
•Kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e paqes dhe lirisë së kombit shqiptar;
•Kanë rënë dhe bien në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së popujve të tjerë në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar;
•Bien në luftë për interesa të përgatitjes ushtarake për mbrojtjen e vendit; për mbrojtjen e pasurisë shtetërore;
•Humbasin jetën në krye të detyrës humbasin jetën nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore.
U miratuan projektligjet:
"Për ratifikimin e Konventës europiane antidoping, 1989".
Konventa Europiane kundër Dopingut në Sport është dokumenti bazë ndrkombëtar i Komitetit Drejtues për Zhvillimin e Sporteve i Këshillit të Europës, nënshkruar në Strasburg vitin 1989. Konventa njehson rregullat ndërkombëtare lidhur me luftën kundër përdorimit të substancave narkotike dhe medikamenteve farmaceutike të ndaluara në sport, nga organizatat sportive ndërkombëtare që përfshihen në listën e miratuar nga grupi monitorues.
Konventa parashikon masat që duhet të marrin autoritetet shtetërore të sportit dhe agjencitë e tjera përgjegjëse për luftën kundër përdorimit të medikamenteve me përmbajtje dopingu nga sportistët, nisur nga parimi i garës dhe lojës korrekte si dhe të mbrojtjes së shëndetit të pjesëmarrësve në to. Gjithashtu në fushën e marrjes së masave ndëshkimore, Konventa përcakton sanksione ëpr personat dhe institucionet që nxjerrin pengesa në zbatimin e rregullave për përdorimin e dopingur në sport.
Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, ëpr ripranimin e personave dhe të Protokollit të saj"
Kjo marrëveshje është një instrument ligjor, që ka rëndësi të veçantë në angazhimet që kanë ndërmarrë vendet respektive në kuadrin e luftës kundër migracionit të paligjshëm. Marrëveshja synon, bazuar në angazhimet tona në kuadër të procesit të stabilizim Asociimit, të krijojë mundësinë e parandalim it dhe gopditjes së migrimit të paligjshëm.
U miratua vendimi "Për disa shtesa në vendimin nr. 315, datë 23.6.2000, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin dhe funksionimin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike dhe Trajnimit të Nëpunësit Civil".
Qëllimi i krijimit të këtij Instituti është trajnimi dhe rritja e kapaciteteve profesionale punonjësve të administratës publik dhe nëpusve civilë.
U miratua vendimi "Për një shtesë në vendimin nr.363, datë 18.7.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për vendosjen e oponencës teknike për projektet e ndërtimit të objekteve".
Vendimi parashikon tarifat për oponencën teknike për projektet e ndërtimit të objekteve. Këto tarifa i referohen tarifës në përqindje të projektimit, drejtimit dhe likuidimit të punimeve të ndërtimit. Hartimi i tarifave për kryerjen e oponencës teknike do të rrisin efektivitetin e investimeve, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e veprave dhe anën ekonomike të tyre, ku moskryerja e oponencës ndaj tyre ka ndikuar në të kudnërt në këto elementë.
Për përcaktimin e këtyre tarifave është tërhequr dhe mendimi i institucioneve studimore e shkencore si Instituti i Studimeve Teknologjike të Ndërtimit, Institutit të studimeve dhe projektimeve Hidroteknike, Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe të Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë.
Vendimi plotëson dhe detyrimin ligjor për zbatimin e ligjit "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit" dhe do të ndihmojë shumë për rritjen e cilësisë dhe konkurencës në projektim dhe efektivitetin e investimeve buxhetore ose me financime të huaja.
U miratua vendimi "Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të objekteve të ish-repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (Kombinat), Berat, dhe të ish repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, 755, Elbasan, nga Ministria e Rendit Publik Ministrisë së Drejtësisë".
Në bazë të këtij vendimi bëhet kalimi i ish repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Berat dhe Elbasan në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Rendit Publik nën administrim e drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve, me qëllim sistemimin dhe funksionimin e sistemit të paraburgimit brenda parametrave ligjorë.
U miratua vendimi "Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të mjediseve të katit të parë të degës së mobilizimit në Bilisht, të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, daqtë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes".
Me anë të këtij vendimi bëhet kalimi në administrim të Qarkut të Korçës të katit të parë të degës së mobilizimit në qytetin e Bilishtit, me qëllim sistemimin e sektorit të P.M.N.Z.SH-së. Kjo pronë është e lirë dhe nuk përfshihet në planin e përhapjes së të forcave të Armatosura.
U miratua vendimi "Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të objektit të ish-magazinave ët ish qendrës ekonomike të arsimit, Sarandë, nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve".
Vendimi synon kalimin në administrim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të ish-magazinave të ish qendrës ekonomike të arsimit, Sarandë, për shkak se në këtë zonë si rezultat i studimeve arkiologjike të bëra në Bazilikën e qytetit Sarandë, janë zbuluar materiale arkeologjike (stema hebraike).
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së paradhënies së kredisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për përgatitjen e projektit të menaxhimit të burimeve ujore".
Me anë të këtij vendimi miratohet Projekti i Menaxhimit të Burimeve Ujore, me një fond prej 324 000 USD, i cili do të shtrihet në skemat ujitëse ku fermerët nëpërmjet shoqatave të ujit, do të jenë të gatshëm të paguajnë kontributin, ndërsa në skemat kulluese do të trajtohet mbrojtje nga gërryerjet e lumenjve, si dhe rritja e sigurisë së digave të rezervuareve.
Ky projekt vjen pas përfundimit me sukses të Projektit të Dytë të Ujitjes dhe Kullimit, ku këtë vit do të disbursohen 3 milion USD si garanci e punimeve të kontratave të fazës së fundit, i cili përfundon 1.5 vjet para afatit, nëpërmjet të cilit në skemat ujitëse është arritur të rehabilitohen 58 000 ha nga 50 000 të parashikuara, ndërsa në skemat kulluese 88 000 ha nga 50 000 ha të parashikuara.
Gjithashtu u miratuan vendimet:
•Për ngritjen e Bordit të Kullimit në zonën e shërbimit të kullimit të Tiranës, Vlorës, Korçës, Shkodrës, Fierit, Durrësit, Lezhës, Krujë-Kurbin, Elbasanit;
•"Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.490, datë 16.10.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin e bordit të Kullimit të rrethit Kavajë";
Këto vendime parashikojnë krijimin e Bordeve të Kullimit në këto zona, duke synuar rritjen e efiçencës së investimeve në fushën e kullimit, trasparencën e këtij investimi, mundësinë e aktivizimit të përfituesve të kullimit që, më vonë kur të arrihet konsolidimi i Bordit të Kullimit, financimi të realizohet nga kontributi i secilit prej përfituesve, si dhe mundsinë e kontrollit të këtij investimi nga përfituesit. Në vendim përcaktohet zona e shërbimit të kullimit të Bordit dhe përbërja e Këshillit të përfaqësuesve të Bordit.
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të Marërveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Polonisë, për mbrojtjen e përbashkët të informacionit të klasifikuar".
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim".
Lufta kundër migrimit të paligjshëm dhe masat për parandalimin e tij përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për vendet dhe rajonet. Marrëveshja synon, bazuar në angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit, t krijojë mundësinë e parandalimit dhe goditjes së migrimit të paligjshëm.
U miratua vendimi "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 205, datë 13.4.1999, "Për miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor".
Në zbatim të objektivave të moderniimit të sistemit doganor në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me Strategjinë e Modernizimit për Administratën Doganore Shqiptare, ndryshimet që propozon vendimi synojnë:
•Përmirësimin e strukturës dhe organikës analitike të Administratës Doganore;
•Përmirësimin e mëtejshmë të sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore në sistemin doganor, mbi bazën e përafrimit të parimeve, procedurave dhe praktikave për punësim, transferim, ngritje në detyrë dhe zhvillim karriere brenda sistemit doganor me parimet, procedurat dhe praktikat e përcaktuara nga Ligji për Nëpunësit Civilë.