E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë e zhvilluar me rastin e nënshkrimit të privatizimit të Bankës së Kursimeve nga Raiffeissen Bank e Austrisë. Në këtë ceremo

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë e zhvilluar me rastin e nënshkrimit të privatizimit të Bankës së Kursimeve nga Raiffeissen Bank e Austrisë. Në këtë ceremoni Kryeministri Nano tha:

"Të nderuar zonja dhe zotërinj të pranishëm!

Ky është një çast i madh, kurorëzon procesin e kalimit të pronësisë të Bankës së Kursimeve të Shqipërisë në duart e Raiffeissen Bank të Austrisë. Është një ngjarje e shënuar për të gjithë ne dhe një stimul i rëndësishëm për të gjithë procesin e transformimeve dhe reformave që kalon vendi dhe tregu ynë. Ky fakt na jep një provë tjetër dhe një garanci më shumë se proçeset transformuese dhe reformat, vecanërisht ato që lidhen me krijimin dhe konsolidimin e sektorëve privatë, veçanërisht të rritjes së qëndrueshme ekonomike për strategjitë tona të zhvillimit, janë të studiuara dhe ecin në rrugë të drejtë.

Kjo ngjarje e gëzueshme tregon se Shqipëria jonë në këta pak vite tranzicioni ka arritur të ofrojë besim, pra të ofrojë rend dhe siguri, qëndrueshmëri makroekonomie dhe dinamizëm të zhvillimit ekonomik, sipërmarrje efikase edhe për aktorë të rëndësishëm të tregjeve globale, siç është dhe pronari i Bankës së Kursimeve, Raiffeissen Bank.

Mbi të gjitha këto, kjo që po përcjellim sot së bashku është një provë tjetër konkrete e rritjes dhe stabilitetit të kapaciteteve tona për partneritet institucional dhe afarist me botën e zhvilluar ku po integrohemi. E thënë ndryshe, kredibiliteti i Shqipërisë i vlerësuar nga audite të tilla të specializuara për interesat e veta është po aq i rëndësishëm sa kredibiliteti i Shqipërisë i vlerësuar nga Komisioni Europian. Pra institucionet financiare po e rrisin ndjeshëm dhe me këmbëngulje efikasitetin e ndërhyrjes dhe partneritetin e tyre me Qeverinë dhe institucionet financiare të vendit. Sot pra përurojmë një standart të ri të botës moderne në Shqipëri.

Emri dhe eksperienca e Raiffeissen Bank duket se garantojnë që në tregun bankar shqiptar dhe në dobi të shumë operatorëve vendas rajonalë dhe ndërkombëtarë të aplikohen metodat më të mira të administrimit të portofoleve, të kursimeve të kreditit, në dobi të sipërmarrjes dinamike dhe të vlerësuar vendase dhe të financimit, do të guxoja të thosha, të procesit të trasformimit të shtetasve të këtij vendi në qytetarë europianë.

Për më tepër prania e kësaj banke do të na ndihmojë te konsolidojmë standartet ndërkombëtare në tregun financiar në Shqipëri. Më lejoni të ndaj me ju bindjen se nga sot e tutje, është një bindje profesionale, të gjitha bankat e tjera që operojnë në vendin tone do të kenë një shembull për të ndjekur, do të kene një konkurent për të përballuar dhe unë këtë e them në emër të qeverisë së Shqipërisë, duke shprehur edhe vlerësimin për ngritjen e tregut bankar dhe të konkurencës në të, në dimensione mjaft më tepër mbështetëse për reformat që kryejmë për sipërmarrjen që po bëjmë gjithnjë e më shjumë miqësore me politikat tona për zhvillim, si dhe për portofolin që po zgjerohet të investimeve dhe të investitorëve të kontinentit apo të përtej detit, që po shfaqin interesa të strukturuara për resurset tona dhe për të rajonit.

Duket se gjithçka po shtrihet më mirë gjeografikisht dhe prandaj ardhja e Raiffeissenit do të orfrojë edhe një terren shërbimesh bankare më moderne, më të balancuara dhe do të na ndihmojë, ky është vlerësimi i qeverisë, në performancën e luftës sonë kundër informalitetit, pra kësisoj edhe në progresin e sigurisë së tregjeve, një hap i rëndësishëm drejt integrimit në Europën moderne.

Unë vlerësoj se ardhja e Raiffeissen Bank në Shqiperi konsolidon dhe nxit edhe lidhjet e vendit tonë me Austrinë mike, por ajo njëkohësisht i ofron biznesit ndërkombëtar dhe vendas një interlokutor dhe partner të fuqishëm në projektet e tyre të sipërmarrjes për zhvillim, apo në projektet e qyetarëve shqiptarë për t'u integruar në këtë zhvillim. Kështu pra Europa moderne, me institucionet konkuruese dhe efikase afrohet tek ne me aksione konkrete dhe me prani të rëndësishme si kjo që mban emrin Raiffeissen. Që sot të gjithë duket se kemi një frymëmarrje sipërmarrëse më të lirë, gjë që nga ana e vet na ndihmon të shtojmë ritmin dhe ta mbajmë vrapin në arritje të tjera.

Përgëzime dhe mbarësi për të gjithë!".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›