E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot në mbledhjen e radhës një numër projektligjesh, vendimesh dhe marrëveshjesh të rëndësishme. • U miratua pr

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot në mbledhjen e radhës një numër projektligjesh, vendimesh dhe marrëveshjesh të rëndësishme.

• U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8685, datë 9.11.2000 Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë".

Qëllimi i projektligjit është indeksimi ose rritja e masës së trajtimit të veçantë të minatorëve, si dhe njohjen periudhe sigurimi për efekt pensioni.

Ndryshimet parashikojnë që përfitimet e caktuara, sipas këtij ligji, do të rriten ose indeksohen sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pensionet e pleqërisë nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror. Ndërkohë, periudhë sigurimi për efekt pensioni do të njihet e gjithë periudha e pagesës me trajtim të veçantë, duke filluar nga data 16.12.2000, data e hyrjes në fuqi të ligjit "Për një trajtim të vecantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë", e në vazhdim.

Efekti financiar për indeksimin llogaritet në 22 milion lekë dhe është parashikuar në buxhetin e vitit 2005 për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ndërsa lidhur me njohjen e periudhës së trajtimit të veçantë si periudhë sigurimi, kontributi që duhet të paguajë shteti llogaritet në masën 80 milion lekë. Ky kontribut do të përballohet me fondet që lirohen nga pakësimi me 490 persona i numrit të përfituesve të trajtimit të veçantë, të cilët dalin në pension pleqërie.

• Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Strategjia Kombëtare kundër Trafikimit të fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima të trafikimit dhe për një shtesë në vendimin nr 8, datë 5.1.2002 të Këshillit të Ministrave "Për krijimin e Komitetit shtetëror të luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore".

Në kuadër të angazhimit dhe përgjegjësisë së plotë të qeverisë shqiptare për të luftuar dhe zhdukur këtë fenomen, strategjia ka si qëllim përshpejtimin e iniciativave të ndërmarra për të ulur dhe ndaluar fenomenin e trafikut të fëmijëve, duke intensifikuar dhe koordinuar aktivitetet e të gjitha institucioneve qeveritare, partnerëve ndërkombëtarë dhe OJQ-ve vendase dhe të huaja.

Në këtë Strategji prioritet ka identifikimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe organizatorëve, përmes rritjes së përpjekjeve të forcave policore në vend dhe përgjatë kufijve, si dhe masa që do të merren për fëmijët që janë në rrezik, ose që janë trafikuar, për t'u ofruar atyre ndihmë mjekësore, psikologjike, sociale dhe ekonomike.

Strategjia parashikon jo vetëm strehimin e përkohshëm, por edhe rehabilitimin afatgjatë dhe integrimin, si ndihmë familjare, zhvillimi i shërbimeve të përkujdesjes dhe adoptimit, të bazuar në të drejtën që cdo fëmijë ka për t'u rritur në familje.

Gjithashtu, strategjia parashikon krijimin e një strukture të veçantë në nivel prefekture për të koordinuar dhe monitoruar parandalimin e trafikut të fëmijëve, mbrojtjen dhe rehabilitimin, arsimimin, shërbimin mjekësor dhe social, punën policore, ndjekjen penale të rasteve.

Strategjia Kombëtare Kundër Trafikimit të Fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre është hartuar në përputhje me instrumentat ligjore vendase, me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, me udhëzimet e UNICEF-2003 për Mbrojtjen e fëmijëve dhe të tjera dokumenta ndërkombëtare.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së kredisë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për zhvillim (IDB), për financimin e projektit për spitalin e përgjithshëm të Kavajës".

Marrëveshja e kredisë, në shumën e 5.69 milion dollarë , ka për qëllim financimin e spitalit të përgjithshëm të Kavajës.

Spitali i ri do të ketë mjedise moderne dhe pajisje mjekësore në përputhje me kërkesat. Në këtë spital do të përfshihen shërbimet e ndryshme si: patologji, pediatri, obstetri-gjinekologji, si dhe kirurgji embrionale kryesisht urgjencë dhe një njësi të vogël reanimacioni.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit, ndërmjet këshillit të Ministrave të republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për rindërtim e zhvillim, për zbatimin e projektit "Menaxhimi i integruar i ekosistemit të liqenit të Shkodres"

Liqeni i Shkodrës është një nga ekosistemet natyrore me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai është një pikë e shkëmbimit floristik dhe faunistik me vendet fqinje dhe përkatësisht me Malin e Zi. Liqeni i Shkodrës përfaqëson një kompleks habitatesh të përshtatshëm për praninë e një larmie organizmash të gjallë.

Granti prej 175 mijë dollarë do të shërbejë zbatimit nga ana e Ministrisë së Mjedisit të një projekt të karakterit mjedisor që do të synojë në zvogëlimin e ndotjes dhe ruajtjen e liqenit dhe te biodiversitetit të tij.

• U miratua Vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për përgatitjen e projektit "Menaxhimi i integruar i ekosistemit të liqenit të Shkodres"

Banka Botërore së bashku me Ministrinë e Mjedisit janë duke zhvilluar një seri projektesh për mbrojtjen e mjedisit tokësor dhe ujor. Në kuadër të këtij procesi zhvillimi është dhe projekti "Menaxhimi i Integruar i Ekosistemit të Liqenit të Shkodrës".

Granti prej 50 mijë dollarë do të përdoret për përcaktimin e gjendjes aktuale ndërkufitare për menaxhimin e integruar të ekosistemit rë liqenit të Shkodrës.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes detare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë".

Kjo marreveshje ka për qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për transportuesit e të dyja vendeve dhe përcakton rregulla të plota dhe të detajuara per zhvillimin e transportit detar ndermjet dy vendeve, duke krijuar kushte të favorshme për shkëmbimin e mallrave dhe të udhëtarëve, të grupeve të ndryshme turistike, kulturore e sportive dhe zhvillimin e turizmit ndërmjet dy vendeve.

• U miratua vendimi "Për fillimin e procedurës së dhënies me koncension të formës "BOO" të një sipërfaqjeje përreth fabrikës së çimentos Fushë-Krujë".

Vendimi ka për qëllim fillimin e procedurës së dhënies me koncesion të një sipërfaqeje përrreth fabrikës shoqërisë "Fushë Krujë Cement Company" sh.p.k, e cila ka një projekt me teknologji moderne, për të prodhur çimento me kapacitet prej 1.33 milion ton në vit. Investimi total i projektit kap vlerën prej 130 milion USD, me bashkëfinancim të vetë kompanisë, IFC dhe BERZH. Ky është një projekt i rëndësishëm, si nga kapaciteti i fabrikës ashtu edhe nga volume i investimit, duke qenë një nga investimet më të mëdha të bëra në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit kohët e fundit.

Realizimi i këtij projekti ka përfitime ekonomike si për komunitetin vendas të Fushë-Krujës, ashtu edhe për Shqipërinë, të cilat konsistojnë në:

- Zhvillimin e qytetit të Fushë-Krujës;
- Krijimin e vendeve të reja të punës për komunitetin vendas nëpërmjet punësimit direkt dhe indirekt;
- Rritja e prodhimit vendas të cimentos, duke stimuluar sektorin shqiptar të ndërtimit;
- Krijimi i mundësisë për të rritur eksportin shqiptar.

• U miratua projektligji "Për gjuhën shqipe"

Ky projektligj synon të sigurojë një zhvillim të qëndryueshëm e të studiuar të gjuhës shqipe dhe për ta mbrojtur atë nga disa dukuri që dëmtojnë karakterin kombëtar dhe visarin e trashëguar të saj. Përmes neneve të këtij projektligji bëhet e mundur vlerësimi i korrektësisë dhe saktësisë së shprehjes gjuhësore dhe kërkohet që në veprimtarinë shtetërore e publike, veçanërisht në trajtën e shkruar të gjuhës shqipe, të zbatohen me përpikmëri rregullat e drejtshkrimit, të gramatikës dhe përdorime të gabuara të fjalës.

Projektligji bën të qartë se nuk ndalohet përdorimi i formave dialektore e krahinore nga krijuesit për qëllime të caktuara letrare ose për zgjedhje vetjake.

Projektligji detyron subjektet që të zbatojnë rregullat gjuhësore në tabelat e në mbishkrimet e tjera publike dhe për të rregulluar përdorimin e emërtimeve të huaja e të gjuhëve të huaja në to. Ndërkohë, edhe formularët dhe dokumentat e tjera që u jepen për veprime të ndryshme qytetarëve shqiptarë nga përfaqësitë e huaja, fondacionet e organizatat e ndryshme, duhet të jenë detyrimisht edhe në gjuhën shqipe.

Për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e saj nga dukuri e procese të dëmshme, projektligji i hap rrugë edhe krijimit të një Komisioni të përhershëm shtetëror që do të organizojë, planifikojë dhe kontrollojë veprimtarinë dhe zbatimin e standarteve të gjuhës shqipe.

• U miratua vendimi "Për krijimin e entit të turizmit"

Miratimi i këtij vendimi është në kuadër të realizimit të politikave të qeverisë në fushën e turizmit dhe kthimin e Shqipërisë në një destinacion pushimi për tregun vendas dhe ndërkombëtar me çmim konkurues ne detin Mesdhe. Objekti i veprimtarisë së këtij enti është:

- Koordinimi i aktiviteteve të marketingut dhe masave për krjimin e imazhit për përfshirjen e Shqipërisë në tregun turistik ndërkombëtar;
- Inkurajimi ndaj mbështetjes dhe kooperimit të sektorit privat në aktivitetet promovuese dhe pjesëmarrje në formimin e politikavedhe praktikave kombëtare të turizmit;
- Përfaqësimi i vendit në panaire dhe ekspozita turizmi;
- Prodhimi dhe shpërndara e broshurave, videove dhe materialeve dhe masave të tjera në fushën e marketingut;
- Koordinimi me zyrat rajonale turistike;
- Kryerjen e kërkimit dhe analizave të tregut,
- Financime bazë nga qeveria dhe industria, gjithashtu edhe nga donatorë ndërkombëtarë;
- Koordinimi me zyrat e përfaqësive turistike të Entit brenda dhe jashtë vendit, etj

• U miratua vendimi "Për krijimin e Komiteteve të menaxhimit të zonave të mbrojtura".

Komitetet e menaxhimit krijohen për herë të parë në vendin tonë dhe me to synohet të hidhet një hap i rëndësishmë institucional për të garantuar administrimin dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura, duke harmonizuar kërkesat ligjore për zonat e mbrojtura me organizmat përgjegjës për zbatimin e tyre.

• U miratua vendimi "Për disa ndryshime dhe shtesa ne vendimin nr.405, datë 8.1.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për administrimin e rrjetit rrugor kombëtar dhe rrjetit rural të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

Nga verifikimi i sistemit rrugor të Republikës së Shqipërisë si dhe me kërkesë të autoriteteve vendore, një pjesë e akseve rrugore përmbushin kriteret për të kaluar nga rrjeti rrugor rural në atë kombëtar për vetë rëndësinë e tyre ekonomike dhe sociale, pasi lidhin qytete ose kalojnë nëpër zona me një popullsi të konsiderueshme.

Në inventarin ekzistues të rrjetit kombëtar rrugor kombëtar në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve shtohet segmenti prej 10 km, Fier-Krapas-Lalar. Ky segment përdoret nga një komunitet prej më shumë se 10 mijë banorë, si dhe është një pjesë e rëndësishme lidhëse ndërmjet pjesës juglindore të vendit me pjesët jugore dhe veriore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›