- BERZH dyfishon portofolin për Shqipërinë në strategjinë e re 2005 në 190 milion euro - - Kryeministri Nano zhvillon gjithashtu një takim me delegacionin, e Kryesuar nga Presidenti i BERZH
- BERZH dyfishon portofolin për Shqipërinë në strategjinë e re 2005 në 190 milion euro -
- Kryeministri Nano zhvillon gjithashtu një takim me delegacionin, e Kryesuar nga Presidenti i BERZH Lemierre dhe Ministri austriak i Financave Grasser -
Pas Konferencës rajonale mbi energjinë, Kryeministri Fatos Nano, Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jean Lemierre dhe komisioneri europian për energjinë, Andris Pibalgs dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kanë vlerësuar bashkëpunimin e suksesshëm mes Qeverisë Shqiptare dhe BERZH, vazhdimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe projektet e ardhshme në funksion të strategjisë së re 2005.
Z.Jan Lemierre vlerësoi progresin e dukshëm që ka bërë Shqipëria në të gjitha fushat, duke vënë theksin gjithashtu në rezultatet pozitive të reformave në sektorin energjitik, ku BERZH ka financuar një numër projektesh. Z.Lemierre garantoi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të BERZH me programe dhe projekte konkrete zhvillimi në Shqipëri në sektorë prioritarë ai energjitik, financimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme, turizmi, infrastruktura, sektori bankar, procesi i privatizimit etj.
Kryeministri Nano vlerësoi rolin konstruktiv të BERZH-it në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të vendit, në funksion të integrimit të Shqipërisë në strukturat europiane. Z.Nano u ndal në disa nga projektet e rëndësishme në fusha sensitive të këtij bashkëpunimi në promovimin e zhvillimit të sektorit privat, procesin e privatizimit, investimet në infrastrukturë, energjitikë, reformat në procesin e decentralizimit të pushtetit vendor etj..
Në sektorin energjitik, si një nga prioritetet themelore të bashkëpunimit me BERZH-in, z.Nano tha se partneriteti financiar me BERZH është përqëndruar për projektin e ri të energjisë termike në Vlorë me rreth 40 milion euro, rindërtimin e sektorit të energjisë prej 30 milion euro me dy pjesë, rehabilitimin e 4 hidrocentraleve: Ulëz, Shkopet, Vau u Dejës dhe Fierzë dhe me konsulencën në funksion të përmirësimit të administrimit të sistemit. Pjesa e dytë, prej 13 milion euro i shërben fuqizimin të sistemit të trasmetimit, që përfshin linjën prej 220 kV Elbasan 1, 2, Zëmblak-Korçë që ka përfunduar në shtator të 2003, nënstacioni i Zëmblakut që është në fazën e aktivizimit dhe projekti përfundon këtë vit. Gjithashtu BERZH financon kompaninë italiane ENEL me 2 milion euro për bashkëmenaxhimin e KESH-it në funksion të rritjes së kapaciteteve menaxhuese të tij si qendër e sistemit energjtik shqiptar.
Z.Nano theksoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të punojë me BERZH, me komisionin europian, me donatorë dhe qeveri të vendeve të rajonit dhe të BE për krijimin e komunitetit energjitik të Europës Juglindore në funksion të krijimit të një tregu energjie në këtë rajon, si dhe për shtimin e burimeve financiare që modernizojnë sistemin tonë energjitik dhe e bëjnë të strukturuar interkonjuksionin e tij me sistemin e rajonit dhe më gjërë.
Po ashtu, Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim edhe në procesin e privatizimeve strategjike, të cilat, theksoi ai "kanë qenë të suksesshme edhe për shkak të asistencës së BERZH dhe do të vazhdojnë të jenë të suksesshme edhe për Albtelekomin dhe për Armon".
Duke theksuar faktin se BERZH i ka kushtuar rëndësi financimit të projekteve edhe në infrastrukturën rrugore, z.Nano veçoi projektet për rrugën Elbasan-Librazhd me gjatësi 30.5 km dhe vlerë financimi prej 24.5 milion euro, financimi i 82 km të segmentit rrugor Fier-Tepelenë.
Në mbështetje të të zhvillimit të sektorit privat, BERZH është gjithashtu i pranishëm me investime në sektorin e industrisë, që, konstatoi Kryeministri, ka sjellë rritjen e produkteve prioritare vendase në treg si çimentoja apo produktet agroushqimore.
Z.Nano vlerësoi si tregues të progresit dhe besimit të arritur në këtë bashkëpunim faktin se BERZH ka dyfishuar portofolin e saj për Shqipërinë në rreth 190 milion euro nga 100 milion euro vitin e kaluar. "Ne, - tha z.Nano, - do të vazhdojmë të nxisim me strategjinë e re 2005, e cila ka arritur të sigurojë dyfishim e portofolit të BERZH për Shqipëri në rreth 190 milion euro nga 100 milion euro vitin e kaluar, të orientuar në infrastrukturë me 127 milion euro për projekte që vazhdojnë, në sektorin privat me investime direkte në ndërmarrje që privatizohen ose janë në proces, në sektorin financiar si determinues për zhvillimin e bizneseve të vogla e të mesme dhe rreth 45% e shumës së portofolit 2005 është në në fuksion të zhvillimit të sektorit privat".
Gjithashtu Kryeministri Nano zhvilloi, sot pasdite, një takim të veçantë me një të delagacion të zgjeruar, të kryesuar nga Presidenti i BERZH, z.Lemierre dhe Ministri i Finacave të Austrisë, Karl-Heinz Grasser, ku u diskutua mbi fushat e mëtejshme të bashkëpunimit dhe projektet në të ardhmen.
Ministri Grasser i përcolli Kryeministrit Nano përshendetjet e autoriteteve austriake dhe mbështetjen e tyre në rrugën e Shqipërisë drejt afrimit me strukturat europiane. Ai shprehu vullnetin e qeverisë austriake për intensifikimin e bashkëpunimit dhe gadishmërinë për të zgjeruar prezencën austriake në Shqipëri me projekte dhe investime të tjera në sektorë të ndryshëm.