Në fillim të vizitës zyrtare në Bruksel, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me z. Franko Fratini, Zëvendëspresident dhe Komisioner i Komisionit Europian përÇështje të Drejtësi
Në fillim të vizitës zyrtare në Bruksel, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me z. Franko Fratini, Zëvendëspresident dhe Komisioner i Komisionit Europian përÇështje të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.
Zoti Fratini e konsideroi takimin me Kryeministrin Nano si shumë të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së, si dhe për diskutimin e çështjeve kryesore për integrimin e vendit.
Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim lidhur me progresin e dukshëm që ka realizuar Shqipëria në procesin e reformave të gjithanshme që janë ndërmarrë në kuadër të integrimit të vendit tonë në strukturat Euro-Atlantike. Zoti Fratini vlerësoi veçanërisht hapat e hedhur në legjislacionin shqiptar për përafrimin e tij me standartet e BE-së, si dhe miratimin e një sërë ligjesh të rëndësishme në Kodin Penal, që forcojnë luftën ndaj korrupsionit, trafiqeve ilegale, financimit të terrorizmit, etj. "Shqipëria është shembull përsa i përket legjislacionit në fushën e drejtësisë", u shpreh Z. Fratini, duke shtuar se- "jam informuar për progresin e Shqipërisë në çështjet e drejtësisë dhe të punëve të brendshme dhe e kam shkëmbyer këtë informacion dhe me anëtarët e tjerë të Komisionit".
Z. Fratini vlerësoi reformën ligjore që është në vazhdim për sistemin elektoral në Shqipëri, si dhe inkurajoi hapat e mëtejshëm në luftën kundër trafiqeve të të gjitha llojeve. Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të tij dhe të Komisionit Europian në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Nga ana e tij, Kryeministri Nano rikonfirmoi vullnetin maksimal të qeverisë që drejton për të garantuar zgjedhje të lira të drejta dhe demokratike. "Për ne,- tha zoti Nano- standarti i këtyre zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm dhe ne kuptojmë qartë rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Kryeministri Nano shprehu vullnetin maksimal të Qeverisë Shqiptare për përfundimin me sukses të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ai tha se Qeveria Shqiptare ka angazhimin e duhur dhe ka marrë të gjitha masat legjislative dhe administrative për të garantuar zbatimin me sukses të kësaj marrëveshjeje.
Gjithashtu, zoti Nano vuri në dukje se çështjet e brendshme po shihen me impenjim maksimal nga qeveria shqiptare dhe është bërë progres i rëndësishëm në këtë fushë, vecanërisht në përmirësimin e legjislacionit dhe çështjet penale, shoqëruar me paketën e amendamenteve komplekse në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale për krimin e organizuar, luftën kundër terrorizmit, si dhe për amendimet në ligjin për të huajt për t'u përshtatur me standartet ndërkombëtare. Gjithashtu, Kryeministri tha se është bërë progres në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, përmes një koordinimi më të gjerë mes institucioneve shqiptare dhe iniciativave legjislative për konsolidimin e sistemit gjyqësor.
Më tej, Kryeministri Nano theksoi se mjaft i rëndësishëm është dhe miratimi i ligjit për masat kundër financimit të terrorizmit, miratimi i disa dispozitave penale dhe amendamentet lidhur me luftën kundër krimit ekonomik e financiar, etj. "Në këtë drejtim,- shtoi Kryeministri- me prioritet është vlerësuar edhe marrëdhënia me institucionet partnere dhe marrja e eksperiencës në këtë funksion".
"Qeveria shqiptare ka marrë masat e nevojshme për përmirësimin e standarteve të kontrollit në pikat kufitare të të gjitha llojeve, rritjen e sigurisë dhe rregullsisë së dokumentacionit për qytetarët shqiptarë, për të luftuar pa kompromis trafiqet ilegale, u shpreh Kryeministri Nano. Ai shtoi se, me asistencën edhe të institucioneve të huaja, janë përgatitur dhe miratuar Strategjia e Menaxhimit të kufijve, Strategjia antidrogë, Strategjia antitrafik dhe Strategjia Kombëtare e Emigracionit.
Në këtë takim, Kryeministri Nano diskutoi edhe mbi rëndësinë e impakteve që krijohen nga lehtësimi i regjimit të vizave nga Bashkimi Europian për Shqipërinë dhe vendet e tjera të përfshira në procesin e Stabilizim- Asociimit. Në këtë funksion, Kryeministri Nano shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar dhe për të përcaktuar një listë të qartë të veprimeve konkrete në mënyrë që të realizohen nga pala shqiptare. Për këtë çështje z. Fratini u shpreh se janë pjekur kushtet për ndërrmarrjen e hapave konkretë për lehtësimin e regjimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të njerëzve.
Në zbatim të dokumentit të Bashkimit Europian, Kryeministri tha se Qeveria Shqiptare ka miratuar edhe një Plan Kombëtar veprimesh afatshkurtër dhe afatmesëm, si dhe po harton Planin Kombëtar të përafrimit të Legjislacionit, veprime që do të garantojnë zbatimin e marrëveshjes dhe afrimin e vendit me BE-në.
"Imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar shumë në mënyrë pozitive dhe tashmë ka ardhur koha që ky ndryshim t'i përcillet edhe publikut ndërkombëtar", u shpreh Zëvendëspresidenti dhe Komisioneri i Komisionit Europian përÇështje të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.