Këshilli i Ministrave përcakton formën dhe formulën e privatizimit të INSIG
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministritë të paraqesin për privatizim pronat dhe shërbimet që ato ofrojnë, ende të paprivatizuara. “Të gjitha ministritë duhet të ofrojnë me shpejtësi privatizimin e pronave dhe shërbimeve që kanë mbetur.”
Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG-ut. Kryeministri Berisha, duke ritheksuar se ky është viti i privatizimeve, kërkoi që ky proces të shtrihet e të jetë sa më i gjerë.
“Ne kemi deklaruar se ky është viti i privatizimeve dhe sot vendosim për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG-ut. Dy javë më parë, vendosëm për privatizimin e ARMO-s, ndërkohë edhe procesi i shpërndarjes së energjisë, IFC së bashku me ERE-n po bën një punë intensive të shkëlqyer. Ne do të fillojmë edhe me përmbarimin, ndërsa Drejtoria e Kontrollit të Patentave duhet që me urgjencë të finalizojë vlerësimin. Ministria e Shëndetësisë duhet të vazhdojnë pandërprerë privatizimin e shërbimeve, proces i cili ka nisur tashmë, por duhet të shtrihet dhe të jetë sa më i gjerë”, u shpreh Kryeministri, duke vlerësuar se sektori privat mund të ofrojë shërbime të një cilësie më të mirë sesa shteti.