E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave shpall Gjendjen e Emergjencës Civile (Fatkeqësisë Natyrore) për zonat e bllokuara nga reshjet e dëborës

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, shpalli sot në mbrëmje në një mbledhje jashtë radhe, Gjendjen e Emergjencës Civile (Fatkeqësisë Natyrore), në njësitë e qeverisjes vendore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin e Librazhdit.

Më poshtë vijon i plotë vendimi i Këshillit të Ministrave:

VENDIM

PER

SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS CIVILE (FATKEQËSISË NATYRORE), NË NJËSITË E QEVERISJES VENDORE TË QARQEVE SHKODËR, KUKËS, DIBËR, KORÇË DHE RRETHIN E LIBRAZHDIT.

Në mbështetje të neneve 100 e 174 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 2, shkronja “c”, e 6, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1-     Shpalljen e gjendjes së emergjencës civile (fatkeqësisë natyrore, si pasojë e përkeqësimit të kushteve natyrore të motit, në njësitë e qeverisjes vendore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin e Librazhdit

2-     Ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, i cili kryesohet nga Kryeministri dhe në përbërjen të ketë këta anëtarë:

- Ministrin e Brendshëm:

- Ministrin e Mbrojtjes;

- Ministrin e Financave;

- Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit;

- Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe mbrojtjes së Konsumatorit;

- Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;

- Ministrin e Shëndetësisë;

- Ministrin e Arsimit dhe Shkencës;

- Ministrin e Mjedisit , Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;

- Shefin e Shtabit të Përgjithshëm;

- Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;

- Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile

3. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile të bashkërendojë punën me ministritë e linjës, me institucionet qendrore dhe rajonale në varësi të ministrive të linjës, me institucionin e prefektit të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe nënprefektin e Librazhdit, si dhe me gjithë njësitë e qeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e emergjencës civile, për zbatimin e detyrave në varësi të situatës, për garantimin e sigurisë së jetës së banorëve, për sigurimin e veprimtarisë normale për jetesën e komuniteteve të prekura nga situata e krijuar, si dhe për marrjen e masave parandaluese, mbrojtëse dhe rehabilituese në infrastrukturën dhe mjedisin e prekur nga situata e krijuar.

4. Ngarkohet Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ministri i Brendshëm, ministritë e linjës, prefektët e qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe nënprefekti i Librazhdit, si dhe njësitë e qeverisjeve vendore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”

KRYEMINISTRI

SALI BERISHA 


12/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›