E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Angazhim total i qeverisë për të shpëtuar jetët, pasuritë e banorëve dhe për të hapur rrugët në zonat e bllokuara nga dëbora

 -          Komiteti i Emergjencës Civile, në bashkëpunim me qeveritë vendore, ka ndërmarrë dhjetëra e dhjetëra aksione, nga toka e ajri, për të dërguar ndihma banorëve të izoluar, ka bërë përpjekjet më të mëdha për të siguruar kalueshmërinë e akseve kombëtare dhe rrugëve të komunave.

-          Njerëzit e qytetëruar janë të bashkuar, sepse kjo është një forcë madhore natyrore, ndërsa ata që nga strofullat e tyre fërkojnë duart e gëzojnë duke vjellë vrer nga mëngjesi deri në darkë, me shpresën se do të mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë, të krijuar nga një situatë natyrore e paparë të paktën 35-40 vjetët e fundit, dëshmojnë se rendin jo në dëborë por në kënetën e primitivizmit apo në shpellën e primitivizmit të tyre.

Kryeministri Berisha thirri sot mbledhjen e qeverisë me qëllim shpalljen e gjendjes së emergjencës civile, për zonat e bllokuara nga reshjet e dëborës.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

"E thirra këtë mbledhje të qeverisë me qëllim që t’i përgjigjemi problematikës së krijuar nga reshjet e mëdha të dëborës, reshje këto që në ndonjë rreth arrijnë edhe në 2 metra - 2 metra e gjysmë, reshje këto që në ndonjë rreth arrijnë edhe në 2 metër deri në 2 metë e gjysmë, reshje që vazhdojnë me intensitet të madh dhe të pa ndërprerë në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Peshkopisë, Elbasanit, Korçës, por në mënyrë të veçantë, janë shumë të mëdha në qarkun Shkodër, Kukës, Peshkopi. Nga dje në drekë dhe deri sot, orteqet, por edhe vet reshjet, kanë bllokuar edhe rrugë kombëtare, siç është rruga Bajram Curri - Fierzë, Krumë -Kukës, rrugë të tjera, për të cilat ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do t’ju informojë më me hollësi.

Qeveria, mendoj se ngriti në kohë Komitetin qeveritar dhe e trajtoi problemin me të njëjtin standard të një emergjence civile. Gjatë javës që po kalon, ka pasur një angazhim total të qeverive vendore, këshillave të pleqve, qarqeve, kryetarëve të bashkive, një angazhim total të Komitetit të Emergjencave civile, të kryesuar nga zoti Nishani, të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë. Pra situata, me gjithë agresivitetin e saj, në tërësi është përballuar. Dje është shënuar edhe viktima e parë e lidhur direkt me hipoterminë. Dy punonjës të një kompanie telefonike private janë nisur pardje për të vendosur antenat në një majë mjaft të lartë dhe kanë mbetur në borë. Mbi 200 forca, nga ora 9 e mëngjesit të djeshëm deri vonë në darkë u angazhuan në shpëtimin e tyre dhe ata u gjetën në gjendje hipotermie, njëri prej tyre duket se po e kalon dhe i urojmë shërim, ndërsa tjetri, me gjithë ndihmën serioze mjekësore, ndërroi jetë dhe ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës.

Trashësitë e borës janë të mëdha dhe për definicion, potenciali i ortekëve është i madh. Por përveç ortekëve, një rrezik tjetër serioz në zonat me mbi 1 metër dëborë, janë çatitë, shembja e të cilave nga dëbora krijon fatkeqësi të vërtetë për ato familje.

Ndaj edhe në emër të qeverisë, duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve të zonave me reshje të mëdha dëbore, u bëj gjithashtu thirrje qeverive vendore, që, në mënyrë të programuar, të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim e humbje jete të qytetarëve në komunitetet e tyre, duke shmangur rreziqet më eminente, siç është dhe shembja e çative nga sasia e madhe e dëborës. Sigurisht, nuk po them asgjë të re për banorët e këtyre zonave, por po e theksoj këtë sepse ka jo pak familje të cilat vetë nuk kanë mundësi të kryejnë shërbimet e duhura në këto rrethana. Ndaj është në tagrin, në dinjitetin, nderin, detyrën e qeverive vendore, e kryepleqve, të organizojnë punën, në mënyrë që në këtë situatë të mos kemi familje në kërcënim. Bora me 2 metra – 2 metra e gjysmë trashësi, por edhe me 1 metër e gjysmë përbën një bllokim real të lëvizje, përbën një problem serioz për furnizimin.

Duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona, ne japim ndërmarrjen e përgjigjeve më të shpejta për hapjen e të gjitha rrugëve të komunave dhe fshatrave të zonave të reshjeve të mëdha, si kusht i të gjitha kushteve, për të ndihmuar këta banorë. Ndërkohë, Komiteti i Emergjencës Civile, në bashkëpunim me qeveritë vendore, ka ndërmarrë dhjetëra e dhjetëra aksione, nga toka e ajri, për të dërguar ndihma banorëve të izoluar, ka bërë përpjekjet më të mëdha për të siguruar kalueshmërinë e akseve kombëtare dhe rrugëve të komunave.

Ky moment është një moment i vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Evropën, në të cilën ky i ftohtë dhe kjo stuhi dëbore ka shkaktuar mbi 520 viktima. Kjo stuhi dëbore dhe ky i ftohtë, në disa vende, përsëritet pas një shekulli. Natyrisht, në këtë përpjekje, njerëzit e qytetëruar janë të bashkuar, sepse kjo është një forcë madhore natyrore, ndërsa ata që nga strofullat e tyre fërkojnë duart e gëzojnë duke vjellë vrer nga mëngjesi deri në darkë, me shpresën se do të mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë, të krijuar nga një situatë natyrore e paparë të paktën 35-40 vjetët e fundit, dëshmojnë se rendin jo në dëborë por në kënetën e primitivizmit apo në shpellën e primitivizmit të tyre.

Ndaj ju them sot se, sigurisht që është një situatë jo e lehtë, pasi gjysma e territorit të vendit është e rrethuar dhe e mbuluar nga sasi të mëdha dëbore, temperatura të ulëta, por për të gjitha këto, ne do bëjmë gjithçka që t’i kapërcejmë, do bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të dalin nga kjo situatë, të bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetët e tyre në radhë të parë, por edhe për të mbrojtur pasuritë e tyre, duke shfrytëzuar çdo mundësi, çdo potencial. Dua të falënderoj këtu Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Arvizu, Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi, Shefen e Misionit të BB-së Zonjën Kseniya Lvovsky, e cila me shumë preokupim e shumë dashamirësi ka treguar interesin më të madh për të mbështetur qytetarët shqiptarë dhe Shqipërinë në kapërcimin e kësaj situate.

Në këtë mbledhje, ne vendosim për të shpallur Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore në këto qarqe, synimi i parë i të cilës është të bëjmë gjithçka për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve jo vetëm kombëtare, por edhe atyre lokale, komunale. Të bëjmë gjithçka që t’u dërgojmë këtyre zonave ndihmat më të mëdha të mundshme, së pari me ilaçe, ushqime, por edhe me nevoja të tjera. Forcat tona të Armatosura janë plotësisht të mobilizuara për të përmbushur me saktësi detyrat e marra. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe forca të tjera të policisë janë shpërndarë në këto rrethe dhe po ndihmojnë qeveritë vendore. Ministritë kanë qenë që të gjitha në mbështetjen e operacioneve intensive të realizuara gjatë këtyre ditëve.

Prognoza nuk është ajo që do të donim. Përsëri stacionet metereologjike të vendit, rajonit dhe Evropës paralajmërojnë vazhdimësinësinë e kësaj situate, ndaj edhe ne duhet që me masat më energjike të bëjmë gjithçka për të parandaluar humbje të jetëve të njerëzve, të bëjmë gjithçka që jeta e këtyre banorëve të vijë drejt normalizimit. U bëj thirrje të gjithë këtyre banorëve të shmangin në maksimumin e mundshëm udhëtimet që kërcënojnë jetën e tyre, sepse me gjithë dëshirën e jashtëzakonshme për t’ju ardhur në ndihmë, jo në cdo rast jo në cdo kohë kjo ndihmë mund të arrijë në vendin dhe kohën e duhur.

Ndaj dhe ta trajtojmë pa panik këtë situatë. Nuk ka asgjë për të rënë në panik në këtë situate. Absolutisht jo. Por duhet ta trajtojmë me urtësinë dhe maturinë më të madhe.

Unë do t'i jap fjalën zotit Nishani që t’ju njohë ju dhe qytetarët me veprimtarinë disa ditore të Komitetit të Emergjencës Civile dhe pas tij, me radhë, ministrave të tjerë, lidhur me situatën.

Më pas, Ministrat përkatës informuan mbi masat dhe veprimet konkrete në terren për përballimin e situatës.

Ministri Nishani informoi se në zbatim të urdhrit të Kryeministrit, që në datën 7 u ngrit Shtabi Qendror i Emergjencave për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dëborës. Në vijimësi të funksionimit të Shtabit Qendror, në të gjitha prefekturat e prekura nga moti i keq u ngritën shtabet lokale nën drejtimin e prefektëve, nga ku u hartua, u miratua dhe nisi zbatimi i një plani veprimi konkret, i cili përcaktonte detyrat për të gjitha agjencitë dhe institucionet.

Prioritet kanë qenë 3 drejtime;

Së pari, dhënia e asistencës mjekësore dhe shëndetësore për të gjithë individët dhe familjet në nevojë të tillë, si prioritet mbi prioritete. Për këtë arsye, ministria e shëndetësisë, gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur në dispozicion ekipin e helikopterëve të saj, përmes të cilëve është bërë i mundur intervenimi dhe shpëtimi i mjaft rasteve, duke realizuar rreth 38 fluturime gjatë gjithë kësaj jave, kryesisht në rrethin e Tropojës. Hasit, në qarkun e Kukësit, në Malësinë e Madhe. Është bërë i mundur shpëtimi i disa fëmijëve dhe i 2 rasteve të nënave në lindje.

Momenti i dytë ka qenë ofrimi i ndihmës në ushqime për familje dhe individë në fshatra shumë të izoluara, kryesisht në qarkun e Dibrës, rrethin e Librazhdit, qarkun Shkodër, rrethi Pukë, rrethi i Tropojës, Kukësi, etj. Për këtë arsye, ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë angazhuar jo vetëm ekipin e tyre dhe helikopterët, por njëkohësisht kanë bërë të mundur edhe koordinimin e gjithë lëvizjes së trupave në terren, në akset kryesore nacionale.

Ministria e Punëve Publike, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së rrugëve dhe drejtorive rajonale, ka pasur në dispozicion të saj në gjithë territorin e këtyre qarqeve problematike rreth 46 borëpastruese dhe rreth 40 fadroma, që kanë bërë të mundur gjatë gjithë kësaj periudhe mbajtjen të hapur të gjithë  akseve nacionale dhe në tërësinë e tyre dhe të rrugëve rurale. Sigurisht, kanë mbetur problematike rrugë komunale sidomos ne komunat më të thella të vendit.

Moment i rëndësishëm ka qenë mbajtja në monitorim e situatës në shkolla dhe kushtet e mësimit, nga ana e ministrisë së Arsimit.

Zoti Nishani theksoi se falë angazhimit tërësisht të forcave të Ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit, duke angazhuar mjete mekanike me kalueshmëri të lartë, është bërë i mundur adresimi i ndihmave ushqimore, të cilat brenda ditës së sotme kanë arritur në 1120 pako me ushqime. Shpërndarja e tyre është bërë në bazë të kërkesave të ardhura nga kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave, si njerëzit e lidhur drejtpërdrejtë me popullatën e zonave të tyre. Gjithashtu, Nishani tha se mbetet në gatishmëri Agjencia e Rezervave të Shtetit,  të cilët kanë angazhuar gjatë këtyre ditëve 100 forca pune që  punojnë me 3 turne për përgatitjen e pakove ushqimore e higjienike.

Z. Nishani bëri të ditur se në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile funksionojnë 3 numra telefoni 24 orë, të cilët janë në dispozicion kryesisht të kryetarëve të komunave, të prefektëve,  por natyrisht edhe të qytetarëve të ndryshëm, të cilët mund  t’i adresohen për informacion dhe për ndihmë kësaj drejtorie.

Ai garantoi se i gjithë mekanizmi ka funksionuar me efikasitet dhe ka bërë të mundur përballimin e situatës dhe se ekzistojnë të gjitha kapacitetet dhe gatishmëria e të gjitha institucioneve për t’ju gjendur pranë çdo qytetari kudo që ai gjendet.

Ministri Petrit Vasili raportoi se Ministria  e Shëndetësisë ka aktivizuar shtabin e saj, që po funksionon në bashkëpunim të ngushtë me shtabin qendror dhe mbi bazën e një plani të hartuar për raste të tilla emergjencë, në përputhje me kriteret e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të organizatave  ndërkombëtare për trajtimin shëndetësor, në të tilla situate.

Ministri siguroi se janë marrë të gjitha masat për furnizimin me të gjitha medikamentet e nevojshme, jo vetëm në zonat e prekura, por dhe në ato që ndodhen në kufij me to; se nuk ka pasur asnjë rast vdekjeje për shkak të mungesës së shërbimit mjekësor; se ka pasur një aktivitet intensiv të helikopterëve sanitar, të cilët vazhdojnë të jenë në gatishmëri edhe për transportimin e barnave; se edhe personeli mjekësor po funksionon non stop; se nuk ka ndodhur asnjë vonesë në dhënien e ndihmës mjekësore e se ka mirefunksionuar dhe dhënia e ndihmës ambulatore shtëpi më shtëpi.

Pas informacionit te sjelle nga ministri Vasili, Kryeministri Berisha përcolli vlerësimin që kryetari i komunës në Kukës i shprehu gjatë vizitës së sotme në atë zone, për ndërhyrjet dhe ndihmën e dhënë nga autoritet shëndetësore, sidomos nga njësitë e helikopterëve, që u janë përgjigjur në kushte shumë të vështira kërkesave të banorëve, në këto zona.

Duke theksuar se në këto komuna qendrat shëndetësore kanë funksionuar me përgjegjësi të lartë, Kryeministri kërkoi që ato të furnizohen  me paketa të plota të ilaçeve. Kryeministri kërkoi gjithashtu të shmangen komplikimet në lindje, duke propozuar për qendrat shëndetësore, që kanë mungesë në organikat e tyre, kontraktimin e mamive me kontrata të përkohshme.  Kryeministri kujtoi rastin e një viti më parë në Lezhë, kur në kushte krejt të vështira, infermierët, me një varkë të vogël, iu përgjigjën në mesnatë,  thirrjes për asistencë në një lindje që rezultoi e suksesshme.

Edhe ministri Olldashi, bëri një panoramë të situatës së akseve rrugore deri në pasditen e sotme. Ai bëri të ditur situatën në disa qarqe e prefektura.

Prefektura Diber: Rr.Ura e Topojanit – Peshkopi eshte e kalueshme me zinxhirë; Rr.Maqellarë – Bllatë eshte e kalueshme me zinxhirë; Rr.Peshkopi-Muhur- Qafë Draj - deri në Arras kalohet me zinxhirë,  pjesa deri në Draj Reç eshte e bllokuar dhe po punohet per hapjen.

Për sa i përket rrethit Bulqizë: Rr.Qafë Bualli - Ura e Topojanit kalohet me zinxhirë; Rr.Bulqizë - Zona "D" kalohet me zinxhirë; Rr.Qafë Bualli -  Krastë kalohet me zinxhirë; Rr.Bulqizë (U.Cerenecit) – Steblevë ka problem dhe mbetet e bllokuar

Rethi i Matit nuk paraqet probleme te mëdha, rrugët janë te gjitha te kalueshme. Rrethi i Fierit nuk ka probleme. Rrethi i Mallakastrës nuk ka probleme, rrethi i Beratit gjithashtu nuk ka probleme.

Ne prefekturën e Vlorës ka pasur problem vetëm ne qafen e Llogorasë, që ka pasur reshje dëbore, por rruga është e kalueshme me zinxhirë. Në prefekturën e Gjirokastrës nuk ka probleme.

Gjendja është me e vështirë në Korçë,. Në pjesën juglindore të vendit ku ka pasur reshje të vazhdueshme të dëborës, ku kemi rrugën Korcë - Qafe Qarri, pa probleme (pa zinxhirë), deri në Qafë Qarri, ku këshillohen zinxhirët (rreth 10 km); Rr.Libonik - Lozhanë – Grabovë pjesërisht kalohet me zinxhirë (si pasojë e ngricave); Rr.K/Boboshticë – Dardhë eshte e bllokuar dhe po punohet me tre mjete për hapjen e rrugës. Shume shpejt do jetë e hapur; Rr.Libonik - Rëmbec – Plasë pjesërsisht kalohet me zinxhirë (si pasojë e ngricave); Rr.K/Zëmblak - Goricë – Doganë, me përjashtim të Qafës së Zvezdës e cila kalohet me zinxhirë, pjesa tjetër kalohet pa zinxhirë; Rr.Korçë – Voskopojë, deri në Gjenomadh kalohet pa zinxhirë, pjesa tjetër me zinxhirë. Rrugët e tjera nuk kanë problem në këtë qark.

Për sa i përket rrethit te Kukësit: Rr. Kukës - Qafë Shllak është e bllokuar pasi kanë rënë dy orteqe bore, po punohet për hapjen e rrugës; Rr.Kukës - K/Krumë është hapur rruga nga orteku i rënë, qarkullimi behet me zinxhirë; Rr.Kukës - Draj Reç (Peshkopi), deri në K/Domaj është hapur dhe qarkullimi behet me zinxhirë, ndersa pjesa deri në Draj Reç eshte e bllokuar; Rr.Kukës – Shishtavec deri në Topojan, qarkullimi behet me zinxhirë, pjesa tjetër është e bllokuar sepse ka reshje të shumta bore.

Rrethi i Hasit, rrugët janë të kalueshme, por me zinxhirë.

Gjithashtu, z. Olldashi i njohu ministrat dhe publikun edhe me situatën në shumë rrethe të tjera, ndërsa siguroi se po punohet intensivisht për hapjen e të gjitha akseve të bllokuara, ndërsa siguroi se ka një koordinim shumë të mirë më të gjitha strukurat përkatëse.

Kryeministri Berisha, pas diskutimit të z. Olldashi u shpreh sërish: Dua të përgëzoj ministritë, drejtoritë rajonale, qeveritë vendore, deputetët që janë në mënyrë konstante në këto zona dhe janë të përkushtuar totalisht, për të garantuar kalueshmërinë e rrugëve dhe për çdo ndihmë tjetër.

Ne sot vendosim për gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe kjo do të thotë, ndër të tjera, disbursim i fondeve për çdo komunë që do të kontraktojë mjetet për hapjen e rrugëve brenda komunave. Unë i gjeta kryetarët e Komunës, gjatë vizitës sime sot në Kukës, në krye të detyrës dhe ata më garantuan se, me këtë masë, ata, me kapacitetet locale private, garantojmë kalueshmërinë  rrugëve të komunave dhe fshatrave të tyre. Ju në Kukës, zoti Olldashi, propozuat që të bllokohet qarkullimi i mjeteve me tonazh të madh, ne rrugën e Kombit. Dhe unë mendoj se ky është një propozim i drejtë, për arsye se kalueshmëria në këto kushte është një kalueshmëri e vështirësuar dhe bllokimi me një mjet të madh i rrugës krijon një problem shumë të mëdha. Ndaj edhe mund të vendosim këtë standard, sikurse mund të caktojmë orë të veçanta, të shoqëruara nga policia, ku autokolona e kamionëve të jetë e disiplinuar dhe e shoqëruar nga policia.  

Nga ana tjetër, zoti Nishani, Drejtoria e Rrugëve dhe ministria e Punëve Publike informon qytetarët se akset janë të kalueshëm me apo pa zinxhirë dhe policia rrugore nuk mund dhe nuk duhet të lejojë qarkullimin pa zinxhirë të asnjë mjeti në këto akse. Por kjo nuk bëhet me kontroll në mes të rrugës, por kontroll në hyrje të rrugës. Në qoftë se do të shkosh nga Burreli drejt Peshkopisë, pas zinxhirë nuk mund të shkosh, ose nëse do të shkosh nga Tirana në Kukës, nuk mund të shkosh pa zinxhirë, sigurisht nuk mund t’i vendosin zinxhirët aty ku nuk janë të nevojshëm, por duhet t’i kenë me vete zinxhirët. Në këto akse është shumë e domosdoshme, sepse nuk është kalim aq i lehtë, por është i vështirësuar. Ndaj edhe çështjen e tonazheve të kamionëve duhet shqyrtuar edhe njëherë. Nëse gjendet një mënyrë për ta disiplinuar dhe për të garantuar kalueshmërinë e tyre, në të kundërt jam dakord me propozimin që, për mjetet me mbi 4 ton, për një periudhë kohe, të mbahet i kufizuar qarkullimi.

Rëndësi të jashtëzakonshme ka një përqendrim të madh tek rruga e Kombit. Ajo është e kalueshme plotësisht, por ka edhe zona realisht të kërcënuara, sidomos nga mundësia e ortekëve, pasi ka sasi kolosale dëbore në të dy anët e saj. Faktikisht, ajo ka mbetur rruga e vetme për komunikim për Kokësin, Hasin, Tropojën.  

Më tej,  fjalën e mori ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili raportoi se të gjitha sallat operative po punojnë 24 orë për 24 orë dhe se po bashkëpunohet ngushtë me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve, për të mbajtur të hapur arteriet kryesore të kalimit.  Në lidhje me Librazhdin, ministri Imami theksoi se situata është nën kontroll e së pushteti lokal e deputetët janë në terren për të përballuar pa probleme këtë situatë.

Kryeministri Berisha, duke i përgëzuar edhe një herë të gjitha Forcat e Armatosura për ndihmesën e madhe që kanë dhënë, theksoi besimin e madh se këto forca së bashku me forcat e Policisë së Shtetit do t’i përmbushin me sukses detyrat e tyre, për të shmangur humbjet e jetëve dhe problemet e tjera, ashtu siç ia kanë dalë mbanë edhe në fatkeqësitë e mëparshme natyrore.

Edhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,  Genc Ruli, raportoi se po ndiqet me përgjegjësi furnizimi me bazën ushqimore, apo dhe me medikamente për bagëtitë e zonave të bllokuara. Në këtë pikë, Kryeministri Berisha theksoi se duhet të përgatitemi dhe të merren masat për të përballuar edhe përmbytjet e mundshme, pasi krahas reshjeve të dëborës, në shumë zona të tjera, të shumta kanë qenë dhe reshjet e shiut. “E vërteta është se reshjet e shiut kanë qenë të mëdha për fat të keq jo aty ku na duhen. Rezervuaret, digat, janë pothuajse të boshatisua, ndërsa Mati e lumenjtë e tjerë janë bërë vërshues. Duhet të përgatitemi për çdo lloj eventualiteti, të daljes nga shtrati të lumenjve të ultësirës”- ka theksuar Kryeministri Berisha.

Më tej, fjalën e ka marrë ministri i Arsimit Myqerem Tafaj i cili ka raportuar mbi grupin e monitorimit të shkollave. Ministri Tafaj ka theksuar se, ndërsa shkollat e mbyllura do të hapen vetëm kur rrugët të jenë të sigurta për fëmijët,  ministria, në bashkëpunim me pushtetin vendor, po merr të gjitha masat për sigurimin e ngrohjes dhe kushteve normale në shkollat ku procesi mësimor vazhdon rregullisht.

Ministri i Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera raportoi se janë marrë të gjitha masat për furnizimin e qendrave rezidenciale, si dhe për shpërndarjen e buxhetit të duhur për personat më aftësi të kufizuar e për personat që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike.

Në përfundim të mbledhjes, duke vlerësuar angazhimin të gjitha strukturave dhe institucioneve qendrore dhe vendore në përballimin e situatës, bëri të ditur përmbajtjen e vendimit të  Këshillit të Ministrave dhe detyrat që dalin për Komitetin ndërministror të Emergjencave Civile, të kryesuar nga Kryeministri. Pavarësisht se vendimi përfshin qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Korcë dhe rrethin e Librazhdit, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të ketë në vëmendje të plotë çdo lokalitet që do të jetë në nevojë.

.


12/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›