E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet çeljen e ekspozitës fotografike “Njerëz që i bëjnë nder Tiranës”

10 shkurt 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e çeljes së ekspozitës fotografike “Njerëz që i bëjnë nder Tiranës”, të realizuar nga “Foto Studio Rreli”, në prani të mjaft intelektualëve dhe qytetarëve të shquar tiranas në Muzeun Historik Kombëtar.

Ekspozita fotografike u çel me fjalën përuruese të mbajtur zoti Bujar Kapexhiu, i cili duke folur për qëllimin e realizimit të kësaj nisme që është shpalosja dhe evidentimi i vlerave intelektuale e njerëzore të rreth 195 personaliteteve, vuri në dukje se aktivitete të tjera të këtij lloji do të vijojnë të bëhen edhe në të ardhmen për të nxjerrë në pah kontributin e vyer që edhe qytetarë të tjerë kanë dhënë e japin për kryeqytetin e Shqipërisë.

Më pas e mori fjalën Presidenti i Republikës, i cili, duke përshëndetur të pranishmit, u shpreh: “Mirëmbrëma zonja e zotërinj! Padyshim që kam një emocion të veçantë. Unë nuk do t’i referohem shumë Profesor Kapexhiut, i cili në rolin që ka, patjetër që e ka parë ekspozitën. Madje ka qenë pjesë integrale e përgatitjes së kësaj ekspozite. Do të preferoja që emocionet e kësaj ekspozite t’i shprehja pas vizitës, por unë jam këtu për të falenderuar zotin Rreli, me të cilin na lidh jo vetëm një miqësi e vjetër, por një pasion për qytetin e përbashkët. Vazhdimisht ne kemi parë nëpër ekspozita njerëz pasionantë që ekspozojnë pjesën urbanistike të qytetit: ato ndërtesa me shumë vlerë për zhvillimin urban të kohës, por edhe për zhvillimin kulturor të kohës, pjesa më e madhe e të cilave, për hir të së vërtetës na mungon. Kjo ka qenë një dëshmi e qartë e zhvillimit gradual dhe shumë evropian të kryeqytetit tonë të përbashkët. Por për fat të keq, kohë pas kohe, në vendimmarrjet emocionale të politikave të papërgjegjshme do të thoja, të të gjitha kohërave, janë zhdukur vlera arkitekturore, urbanistike, kulturore, një trashëgimi e vyer dhe e papërsëritshme e Tiranës. Dhe unë do të falenderoja të gjithë ata që me pasionin e tyre, me kujdesin e tyre kanë grumbulluar dhe i kanë pasqyruar të gjitha këto bukuri, këto vlera të Tiranës sonë dhe i kanë bërë këto pjesë të edukimit të brezave që vijnë prapa. Për fat të keq, brezi i ri, brezi i sotëm nuk e ka në kujtesë Tiranën përveç se nëpërmjet fotografive.

Ekspozita e sotme ka një tjetër këndvështrim për të treguar se në këtë kryeqytet, në qytetin tonë të dashur e të bukur kanë shërbyer figura, një pjesë e vogël e të cilave sot kujtohet. Pjesa tjetër ka kaluar në errësirë. Kjo edhe për shkak të mosrisjelljes në vëmendje. Edhe kjo për shkak të emocioneve dhe të kontradiktave të thella politike që e kanë shoqëruar në dekada qytetin tonë.

Kështu që ky është një mision shumë qytetar i një intelektuali të Tiranës, i cili pa asnjë lloj dallimi ka ditur të sjellë pikërisht ata që i shërbyen me shumë zemër, me shumë dashuri jo vetëm qytetit, pro edhe banorëve të tij.

Kështu që unë do ta shikoj me shumë dëshirë këtë ekspozitë, por jam i bindur për diçka: duke ditur pasionin, zellin, dashurinë e zotit Rreli për Tiranën, për banorët e saj, për banorët, të cilët sot nuk janë më njëzet mijë vetë apo dyzet mijë vetë. Jo! Është një metropol me një milion banorë. Për t’i sjellë në vëmendje që Tirana nuk është thjesht qyteti ku ne jetojmë e ku i krijojmë komoditet vetes, por është qyteti të cilit duhet t’i dimë edhe historinë. Të dimë se si është zhvilluar. Të mos i gëzohemi thjesht momentit, por të dimë të vlerësojmë historinë. E ardhmja nuk ndërtohet duke humbur në labirinthet e historisë shpeshherë të paragjykuar. E ardhmja e këtij qyteti që është simbolikë shumë e rëndësishme e historisë së vendit, është duke i kujtuar jo thjesht zhvillimin e kohës, por duke i kujtuar të gjithë personazhet. Secili ka pasur vlerën e vet. Jam i bindur se secili ka kontribuar. Historia bën të vetën, dikë e gjykon pozitivisht, diku me nota negative, pra jam i bindur që të gjithë kanë qenë aktorë dhe protagonistë të administrimit të këtij qyteti. Unë edhe njëherë ju falendroj për ftesën dhe jam i bindur që kjo do të shërbejë për të evidentuar në një etapë të caktuar këtë zhvillim, por jam i bindur gjithashtu se në atë bagazh të madh fotografik që ka zoti Rreli, do të hapë eskpozita të tjera dhe patjetër do të jenë një kontribut i madh për ata që e kanë jetuar, për ta rikujtuar, por mbi të gjitha për brezin e ri për të parë se si është zhvilluar qyteti jonë. Ju falemnderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›