E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: E festojmë 92 vjetorin e themelimit të kryeqytetit, në një Tiranë që mbart sot vlera të mëdha evropiane

-          Përzgjedhja e Tiranës për kryeqytet të kombit ishte një nga aktet më madhore në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar  të ardhmen e tyre si një komb i lirë.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në konferencën me temë “Tirana në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë”, organizuar nga Bashkia e Tiranës,  me rastin e 92 vjetorit të shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë.

Së bashku me Kryeministrin, ishin të pranishëm në punimet e konferencës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulëzim Basha, Prefekti i Tiranës, zoti Keltis Kruja, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, drejtues të komuniteteve fetare, drejtues dhe anëtarë të shoqatës “Tirana”, profesorë, akademikë, etj. Konferenca nisi punimet e saj me një simpozium kushtuar historikut të zhvillimit të Tiranës  në një Shekull, ku referuan specialistë të fushës.

Duke marrë fjalën, në çeljen e Konferencës, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që  përshëndeste qytetarët e Tiranës dhe çdo shqiptar, në ditën e lindjes së kryeqytetit të vendit, të cilën e  cilësoi si një nga datat më të mëdha të historisë së përpjekjeve për ndërtimin e shtetit, si dhe të përpjekjeve për liri dhe dinjitet kombëtar.

Kryeministri risolli në kujtesë me respekt e nderim, emra të shquar të politikanëve shqiptarë, si Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Abdi Toptani, etj , të cilët 92 vjet më parë morën vendimin historik për të shpallur Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. “Përzgjedhja e Tiranës për kryeqytet të kombit ishte një nga aktet më madhore në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar  të ardhmen e tyre si një komb i lirë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri përgëzoi kryetarin e bashkisë, zotin Basha dhe ekipin e tij për punën me përkushtim në krye të bashkisë, për ti rikthyer Tiranës, frymën qytetare, brenda  një kohe të shkurtër. “Tirana pret dhe unë jam i bindur se ju, me përkushtimin më të madh me ekipin tuaj do ti jepni Tiranës zhvillimin e saj të dytë të madh, zhvillim të cilin fatkeqësitë politike ia mohuan asaj.” tha kryeministri.

Më te,j në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Është një privilegj i veçantë për mua dhe nder shumë i madh, tu përshëndes ju sot, të përshëndes në këtë ditë të lindjes së kryeqytetit tonë, çdo tiranas, çdo qytetar të kryeqytetit dhe çdo shqiptar,  në një nga datat më të mëdha të historisë së përpjekjeve tona për ndërtimin  e shtetit, të përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Përzgjedhja e Tiranës për kryeqytet të kombit ishte një nga aktet më madhore në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar  të ardhmen e tyre si një komb i lirë.

92 vjet më parë Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të zgjedhur ne Kongresin e Lushnjës, Kreu kolektiv i shtetit, Imzot Luigj Bumçi, Abdi Toptani, Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli, morën një nga vendimet më të mençura në tërë historinë tonë, vendimin për të bërë Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, kryeqytetin e shqiptarëve.

Cilido që lexon Sami Frashrin do të gjeje se ky profet tokësor i shqiptarëve, në përshkrimin  e kryeqytetit të kombit të tij kishte parashikuar një kryeqytet, i cili në të gjitha trojet  e vendit, nuk mund të ishte tjetër, përveçse Tirana, për pamjen, për rrugët, për të gjitha karakteristikat. Ata burra që morën vendimin për të shpallur Tiranën kryeqytet, në një akt madhor mençurie u nisën sigurisht nga shumë faktorë, por njeri ishte pa mëdyshje, më kryesori dhe kjo ishte zemra e tiranasve, bujaria  e tyre, mikpritja  e tyre, virtyti i tyre, atdhedashuria e tyre.

Si sot, 92 vjet më parë, në këtë qytet të bekuar u vendos qeveria e Lushnjës. Jo pak kilometra nga qyteti do ti priste ata, Kryetari i Bashkisë Ismail Ndroqi dhe do të bënte gjithçka  që ata të fillonin punën në kushte sa më normale. Do ti priste Ismail Ndroqi  sepse ai, së bashku me burra e tjerë të shquar të Tiranës, e vërteta është se, kur panë që vendi po rrokullisej në një mënyrë katastrofale u bënë pararendës dhe organizatorë kryesorë të Kongresit të Lushnjës. Ata që themeluan Tiranën si kryeqytet, jo vetëm bënë një nga vendimet më të mençura në historinë kombit, por ata Tiranën, e cila kishte gjithsej 8 vite shkëputur nga porta dhe perandoria e Lindjes, do ta themelonin si një qytet kryekëput perëndimor.

Do ti jepnin asaj, në një kohë të shkurtër rrugë dhe bulevarde ndër më të bukurat, do ti hartonin Tiranës, projektet e njërit prej qyteteve më moderne në rajon dhe ne Evropë. Kjo është e vërteta e tyre, kjo është trashëgimia  e tyre. Tirana, para së gjithash dhe mbi të gjitha ishte kryeqyteti politik i shqiptarëve i cementimit dhe i udhëheqjes së lëvizjeve të mëdha politike të kombit. Këtë qëndrim mbajti ajo me pushtimin nazifashist. Rrugët dhe rrugicat e saj organizuar qëndresën më të shkëlqyer. Tirana ra në kthetrat e një grupi, e një bande barbare, e cila u përqendrua në bllok dhe s’u integrua dot kurrë në qytetin e Tiranës, ndërtoi bunkerin e vet, por nuk penetroi dot kurrë, në rrugët, rrugicat ,në mendjen, zemrën dhe shpirtin e qytetarëve të Tiranës. Vërtetë nga bunkeri projektoi të gjitha planet dhe veprimet katastrofale, barbare për shqiptarët, por në rastin më të parë Tirana iu dha përgjigjen  e merituar, pasi do të ishte qyteti që do të përmbyste diktatorin, do të udhëhiqte Shqipërinë, do të themelonte partinë  e parë opozitare, do të shndërrohej sërish në një udhëheqje të progresit, në një promotor të madh të udhëheqjes dhe zhvillimit.

Tirana është epiqendra politike e shqiptarëve, është zemra dhe truri i kombit, por mbi të gjitha Tirana është ëndrra e shqiptarëve, ëndrra më e bukur e tyre, ndaj dhe zoti Kryetar i Bashkisë duhet tu përgëzoj për frymën qytetare që keni rikthyer me të gjithë ekipin tuaj, në një kohë të shkurtër, në këtë qytet të mrekullueshëm, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha, kërkon tu frymëzoje ju, të na frymëzojë ne, të frymëzojë gjithë politikanët, drejtuesit, me virtytet e shpirtit dhe zemrës së saj. Tirana pret dhe unë jam i bindur se ju, me përkushtimin më të madh, me ekipin tuaj do ti jepni Tiranës zhvillimin e saj të dytë të madh, zhvillim të cilin fatkeqësitë politike ia mohuan asaj. Tirana pret vazhdimin e veprave të mëdha të Ismail Ndroqit dhe të atyre burrave që e kthyen që i dhanë qytetit drejtimin e tij perëndimor dhe  e projektuan si epiqendër perëndimore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këto vite përpjekjet kanë qenë të mëdha. Sot, ne festojmë 92 vjetorin e lindjes së kryeqytetit. Datën si qytet e ka shumë më të largët, por e festojmë në një kryeqytet të një vendi anëtar të NATO-s, e festojmë në një kryeqytet, i cili krijoi çdo ditë, çdo jave, çdo muaj, vlera të mëdha evropiane, e festojmë në një kryeqytet që është  sot, lokomotivë  kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit. E festojmë në një kryeqytet që i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje, kudo që ndodhet në Shqipëri dhe në botë.

Edhe njëherë, le të urojmë ne, këtë ditë të bardhë, këtë ditë të madhe për tiranasit, Tiranën dhe mbarë kombi shqiptar.


11/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›