Kryeministri Berisha: Qeveria do të bëjë gjithçka për t’u ndodhur sa më pranë dhe për të ndihmuar banorët në zonat e bllokuara nga reshjet e dëborës
- Është e domosdoshme që kryepleqtë, kryetarët e komunave, të përcaktojnë me përgjegjësi të madhe familjet më në rrezik dhe të hartojnë planin e ndihmës së tyre
- Është e domosdoshme që, në këtë periudhë, të përqendrohemi para së gjithash dhe mbi të gjitha tek njerëzit dhe tek shpëtimi i jetës së tyre
Kryeministri Berisha ishte sot në qytetin e Kukësit, ku drejtoi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, të ngritur për situatën e krijuar nga moti i keq në zonat verilindore dhe juglindore të vendit. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Fatmir Mediu, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, deputetë të zonës, Prefekti i Kukësit, kryetarë të komunave të këtij qarku dhe përfaqësues të tjerë vendorë.
Kryeministri diskutoi me anëtarët e Shtabit mbi situatën konkrete dhe problematikat kryesore të krijuara nga sasia e madhe e dëborës në këto zona, si dhe gjetjen e zgjidhjeve dhe ndihmën më efikase që mund të bëhet për banorët e këtyre zonave.
Kryeministri siguroi mbështetjen maksimale dhe vëmendjen më të veçantë të qeverisë, si me fonde ashtu edhe me mjete të tjera të nevojshme për përballimin e situatës dhe kërkoi një mobilizim total dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave përkatëse, me prioritet parësor jetët e njerëzve, por edhe ndihmën për ushqime, asistencë mjekësore e nevoja të tjera, si dhe për shpëtimin e gjësë së gjallë të tyre. “Dua t’i garantoj qytetarët se qeveria do të bëjë gjithçka për t’u ndodhur sa më pranë tyre. Është e domosdoshme që kryepleqtë, kryetarët e komunave, të përcaktojnë me përgjegjësi të madhe familjet më në rrezik dhe të hartojnë planin e ndihmës së tyre. Është e domosdoshme që, në këtë periudhë, të përqendrohemi para së gjithash dhe mbi të gjitha tek njerëzit dhe tek shpëtimi i jetës së tyre”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri shfrytëzoi këtë rast për të shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes Qarri për humbjen e pa kompesueshme të familjarit të tyre, që shënon edhe humbjen e parë të jetës nga i ftohti, në vend. Gjithashtu, ai i uroi shërim të shpejtë qytetarit tjetër që ndodhet në kushte spitalore dhe po del nga hipotermia që ka përjetuar dy net më parë.
Kryeministri theksoi se do t’i propozojë qeverisë shpalljen e gjendjes së emergjencës për zonën verilindore dhe zonën juglindore të vendit, sepse duhen mobilizime më të mëdha mjetesh dhe fondesh dhe ato mund të bëhen në kuadër të kësaj gjendjeje. Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi që ekipe të helikopterëve të jenë në gatishmëri të plotë dhe reparte të caktuara apo njësi të tjera të zhvendosen në këto zona, në ndihmë të banorëve, nëse do të jetë e nevojshme në vijim.
Kryeministri kërkoi një funksionim edhe më efikas të qendrave shëndetësore në çdo zonë, ku sipas tij, krahas mjekut dhe infermieres, çdo qendër duhet të ketë edhe një mami. Këto qendra shëndetësore duhet të jenë të parat, me çdo kusht, që duhet të furnizohen me ilaçe e me të gjitha mjetet e domosdoshme.
Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishëm solidaritetin mes vet banorëve dhe komuniteteve në këto zona në lehtësimin e pasojave të kësaj situate.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Mendova ta mbledhim këtu Komitetin qeveritar të situatës së krijuar nga reshjet e dëborës në rrethet verilindore e juglindore të vendit. Unë shfrytëzoj rastin për t’u përcjellë përshëndetjet më të përzemërta banorëve të këtyre zonave, të cilët përballen me vështirësi serioze të krijuara nga reshje dëbore që kanë kohë që nuk kanë qenë në sasi të tilla.
Dua gjithashtu të shpreh falënderimin për të gjithë qeveritarët vendorë, për angazhimin e tyre të pandërprerë, në mënyrë që pasojat e këtyre reshjeve të jenë sa më të vogla. Dua të falënderoj ministrin Nishani dhe ministrat e tjerë, Shtabin e Përgjithshëm, Policinë e Shtetit, për angazhimin e tyre dhe organizimin e punës në zvogëlimin dhe zgjidhjen e problemeve të krijuara nga reshjet e mëdha të dëborës.
Këto janë reshje, me sa duket, ndër më të mëdhatë edhe për Evropën dhe me një agresivitet shumë të madh në disa vende të Evropës. Këto janë reshje të cilat në Shqipëri kanë krijuar në mënyrë të pashmangshme problematikën e tyre. Përpjekjet e mëdha për të mbajtur të hapura akset kombëtare, deri dje kanë qenë të suksesshme. Dëbora e re e rënë dje pasdite dhe gjatë natës, ashtu siç më raporton Perfekti i zonës, i ka bllokuar ato.
Dje kemi pasur humbjen e parë të jetës, e lidhur direkt me të ftohtit, nga hipotermia. Unë, duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Qarri për këtë humbje të pa kompensueshme, duke i uruar shërim të shpejtë qytetarit që ndodhet në kushte spitalore dhe po del nga hipotermia që ka përjetuar natën e parmbrëmshe në malin Oplas, dua gjithashtu t’u bëj thirrje që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetët njerëzore. Dëbora e madhe përbën një problem për çdo vend të madh, përbën një problem serioz, pasojat e së cilës kërkojnë një mobilizim total. Unë dua t’i garantoj qytetarët se qeveria do të bëjë gjithçka për t’u ndodhur sa më pranë tyre. Por, siç është në dijen e plotë të këtyre qytetarëve, asgjë nuk zëvendëson për ta njëri – tjetrin, solidaritetin që ata duhet të dëshmojnë në këto rrethana. Është e domosdoshme që kryepleqtë, kryetarët e komunave, të përcaktojnë me përgjegjësi të madhe familjet më në rrezik dhe të hartojnë planin e ndihmës së tyre. Është e domosdoshme që, në këtë periudhë, të përqendrohemi para së gjithash dhe mbi të gjitha tek njerëzit dhe tek shpëtimi i jetës së tyre. Natyrisht do të donim shumë që qoftë edhe një gjë e gjallë të mos ngordhte për ushqim apo shkaqe të tjera, sepse edhe ajo është një pasuri e dhimbshme. Ndaj, në këtë rast, do t’u bëja thirrje mbarë qytetarëve për një solidaritet maksimal, që jam i sigurt që atyre nuk u mungon, për të mbështetur njëri - tjetrin dhe komunitetin, për t’i kapërcyer këto pasoja me sa më pak dhimbje. Në çdo rast, qeveria është e vendosur të angazhojë të gjitha mundësitë, të gjitha fondet, për të mbështetur e ndihmuar këto familje, por të jemi realistë, kushtet e motit punojnë shumë kundër nesh, punojnë shumë kundër fluturimeve me mjeteve ajrore, punojnë shumë kundër hapjes së akseve rrugore, sepse i mbyllin ato me shpejtësi.
Do të jetë e domosdoshme që të bëjmë një kontroll të të gjitha qendrave shëndetësore, gatishmërisë së funksionimit të tyre. Ndoshta është e domosdoshme që në këto qendra të dërgojmë edhe mami. Tani më informojnë se nga Kolosiani është nisur drejt Kukësit për të lindur, një nënë e re. Rruga nuk është e lehtë ndaj ne duhet të shohim mundësinë që çdo qendër shëndetësore, për këtë periudhë ku rrugët janë problematike, të ketë krahas mjekut e infermierit, edhe maminë. Qendrat shëndetësore duhet të jenë të parat, me çdo kusht, që duhet të furnizohen me ilaçe e me të gjitha mjetet e domosdoshme. Unë mendoj se në këtë situate, - dhe unë do ta propozoj këtë -, qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës për zonën verilindore dhe zonën juglindore të vendit, sepse duhen mobilizime më të mëdha mjetesh dhe fondesh dhe ato mund të bëhen në kuadër të kësaj gjendjeje. Është pothuajse gjysma e territorit të vendit në kushte vështirësie serioze, për shkak të sasisë së madhe të dëborës. Jam në kontakt të vazhdueshëm si me autoritetet vendore, me anëtarët e komitetit, por edhe me qytetarët, të cilët bëjnë thirrje për të mbështetur ata me ndihma. Veçanërisht, deri tani problematike janë ndihmat për bagëtinë, sipas informacionit, por edhe ndihma për ushqime të popullatës.
Zoti ministër, në çdo moment skuadra e helikopterëve duhet të jetë në gatishmëri të plotë. Të gjitha furnizimet duhet të jenë të paketuara dhe të gatshme. Duhet të shfrytëzojmë çdo dritare të mundshme kohe. Ushtria, pas shpalljes së gjendjes së emergjencës, duhet të marrë një rol kryesor në përballimin e situatës, në rast se është e nevojshme dhe mund të jenë të nevojshme, reparte dhe njësi të saj të zhvendosen këtu, të sistemohen në shkolla a mjedise të tjera, në mënyrë që të jenë gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e qeverisjes vendore. Po kështu, edhe policia e shtetit.
Shpresojmë që ditët e ardhshme të ketë një lloj përmirësimi. Megjithatë, në variantin klasik të motit, është e njohur që shkurti është muaji i dëborës. Kjo është e vërteta. Pra, mund të presim sërish ditë të tjera me dëborë. Sepse shkurti është muaji i reshjeve kulmore të dëborës.
Megjithatë, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që t’ju mbështesim ju në përpjekjet për të lehtësuar komunitetet që ju drejtoni. Natyrisht, aftësitë tuaja organizative, aftësitë e kryetarëve të komunave, të kryetarëve të bashkive, të kryepleqve, janë të një rëndësie shumë të madhe, për ta kapërcyer me pasoja sa më të vogla gjendjen e krijuara nga këto reshje të mëdha. Këto janë reshje të mëdha, janë reshje të cilat ka shumë kohë që nuk kanë qenë të këtyre përmasave.
12/02/2012