Keshilli i Ministrave ul me 60 pagesen per kasat fiskale

Këshilli i Ministrave ka marë dy vendime që lidhen përkatësisht me punimet artizanale dhe me kasat fiskale. Zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli gjatë një deklarate për media bëri me dije se qeveria ka vendosur ngritjen e një fondi të posaçëm për punimet artizane, ku fondi për artizanatin në vend fo të kapë shifrën 50 mln lekë. Ky vendim i qeverisë “Berisha”, sipas zëdhënëses Mëhilli vjen për asye se artizanati shihet si një potencial punësimi e vetëpunësimi. Për këtë arsye, vendorët duhet të krijojnë fonde për artizanatin.
“Me këtë Fond fillestar, prej rreth 50 milion lekësh, qeveria synon të krijojë një burim të ri financimi direkt të veprimtarive artizanale në të katër anët e vendit, por edhe zbutjen e interesave të kredive.
Qeveria u bën thirrje me këtë rast, të gjitha qeverive vendore që në interes të punësimit të qytetarëve të bashkive dhe komunave ku ata qeverisin, të krijojnë dhe ata, brenda mundësive që kanë, fonde të tillë dhe të parashikojnë të gjitha lehtësirat e mundshme logjistike për këtë degë të rëndësishme për punësimin e qytetarëve”, vuri në dukje Mëhilli.
Ndërkohë që, sipas saj, po sot, me një vendim të dytë, Kryeministri firmosi disa ndryshime në vendimin për kasat fiskale.
“Ky vendim parashikon uljen me rreth 60 % të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale. Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë. Pra, e theksoj, do të jetë më pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë”, deklaroi Mëhilli.
Gjithashtu, me këtë vendim të ri, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës fiskale vetëm një herë në vit dhe jo çdo 6 muaj, siç kërkohej deri tani.