Presidenti i Lombardisë Formigoni: Italia mbështet aspiratën e Shqipërisë për integrim në NATO

Kryeministri Berisha dhe Presidenti i rajonit të Lombardisë Roberto Formigoni, pas takimit mes tyre, bënë këto deklarata për mediat:
Kryeministri Berisha: Sapo pata një bisedë shumë të frytshëm me Presidentin e Lombardisë Formigoni. Unë e konsideroj këtë vizitë të rëndësishme për marrëdhëniet mes Shqipërisë e rajonit të Lombardisë, Shqipërisë dhe Italisë.
Unë gjeta rastin të falënderoj shumë përzemërsisht Presidentin Formigoni për të gjithë mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, për të cilën shqiptarët janë shumë mirënjohës.
E falënderova gjithashtu Presidentin Formigoni për qëndrimin shumë të rëndësishëm të Italisë mike për Kosovën. Ne jemi të vendosur të punojmë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pavarësisht nga disa probleme të momentit, unë jam i bindur se e ardhmja e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve do të jetë një ardhme europiane.
Diskutimet tona u përqendruan në inkurajimin e investitorëve të Lombardisë për të investuar në Shqipëri. E njoha Presidentin Formigoni me të gjitha përpjekjet tona për ta shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës për investitorët e huaja në tërësi dhe investitorët italianë në veçanti.
E falënderova me mirënjohje Presidentin Formigoni, i sigurt se kjo vizitë është një inkurajim i madh për investitorët e Lombardisë për të investuar në Shqipëri. Shpreha kënaqësinë se aktualisht qindra kompani italiane kanë ndërtuar projekte për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë të të gjitha llojeve, nga eolike në nukleare, hidrike dhe të gjitha format e saj. E njoha edhe me projektet e parqeve industriale që po ndërmarrim, potencialin turistik dhe minerar të vendit. E falënderova me shumë mirënjohje për këtë vizitë, i sigurt se do të jetë gjithashtu një inkurajim i madh për investitorët e Milanos dhe Lombardisë në tërësi, për të ardhur e investuar në Shqipëri.
Milano është kandidati kryesor për ekspozitën universale të vitit 2015. Shqipëria do të mbështesë kandidaturën e Milanos dhe unë e pranova ftesën e Presidentit Formigoni për të marrë pjesë në këtë ekspozitë.
Presidenti Formigoni: Kryeministri Berisha tha pothuajse gjithçka. Unë dua të them se ishte vërtet nder i madh për mua të kryej sot këtë vizitë, në Shqipëri, në një bisedë kaq zyrtare dhe në të njëjtën kohë kaq të ngrohë e miqësore me Kryeministrin Berisha, këtu në Tiranë.
Gjatë bisedës sonë pata rastin, së bashku me ambasadorin italian, të nënvizonim edhe një herë mbështetjen që Italia do t’i japë aspiratës së integrimit të Shqipërisë në NATO dhe unë shpresoj që të ndodhë menjëherë në samitin e Bukureshtit që do të mbahet në prill.
Marrëdhëniet midis Italisë e Shqipërisë, midis rajonit të Lombardisë dhe Shqipërisë janë vërtet shumë të rëndësishme dhe treguesit e shkëmbimeve të tregtare dhe ekonomike janë vërtet në rritje.
Ligjet e reja që qeveria shqiptare ka miratuar apo që janë në proces miratimi, hapja e rëndësishme e Shqipërisë ndaj investimeve të huaja, ligjet e miratuara së fundi për lehtësirat fiskale dhe, në radhë të parë, lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të thosha janë nxitësit kryesorë për investitorët e huaja dhe ata italianë në përgjithësi për të ardhur e investuar në Shqipëri në sektorët tradicionalë, por edhe në sektorët më të rinj.
Kryeministri Berisha sapo më informoi se në muajt e ardhshëm synon të kryejë një vizitë në Itali dhe në rajonin e Lombardisë. Prandaj shpreh kënaqësinë time më të madhe ta pres së shpejti Kryeministrin Berisha në Lombardi.