E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Formigoni: Reformat e thella që keni ndërmarrë, shtysë për investime të shumta lombarde në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot në takim Presidentin e rajonit të Lombardisë, zotin Roberto Formigoni. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Formigoni për vizitën si shprehje e zhvillimit të raporteve mjaft të mira midis Shqipërisë dhe Rajonit të Lombardisë, më i zhvilluari në Itali  dhe më gjerë midis Shqipërisë dhe Italisë.

Presidenti i rajonit të Lombardisë shprehu vlerësimin e tij dhe e përgëzoi Kryeministrin për progreset e admirueshme të Shqipërisë në shumë fusha të zhvillimit. Ai i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta të Presidentit të Forca Italia, Silvio Berlusconi dhe përgëzimet e këtij të fundit për arritjet e mëdha të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë vjen si një inkurajim real për investimet italiane dhe lombarde në vendin tonë, investime që qeveria shqiptare i ka mbështetur dhe do i mbështesë në mënyrë të veçantë.

Më pas, ai e njohu Presidentin Lombard Formigoni me ecurinë e reformave në vend, me hapat që po ndërmerr qeveria shqiptare për të krijuar një klimë të favorshme për investitorët e huaj, veçanërisht ata italianë, si dhe për të shfrytëzuar në maksimum potencialet e vendit në turizëm, pasuri hidrike, minerale, tekstile, agrikulturë, etj..

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se ekonomia shqiptare, me një rritje prej 6 për qind, bazohet mbi një ligj mjaft eficent të partneritetit publik e privat e mbi një paketë fiskale që e vendos atë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Këto rezultate, tha Kryeministri, dhe lufta kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, dixhitalizimi i mjaft procedurave dhe rritja e transparencës, ka bërë që Shqipëria të jetë një vend tërheqës për investimet e huaja që janë në rritje.

Kryeministri Berisha u ndal edhe në luftën e pandërprerë që qeveria dhe institucionet përkatëse po ndërmarrin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që më parë ishin kthyer në sistem, por që tani njohin një rënie drastike në indekse. Presidenti Formigoni shprehu vlerësimet për rezultatet në luftën kundër korrupsionit, duke u shprehur se qeveria shqiptare ka fituar beteja konkrete në këtë luftë.  

Presidenti Formigoni vuri theksin veçanërisht në qëllimin kryesor të vizitës, nxitjen e investimeve lombarde në Shqipëri. “Unë jam këtu për të inkurajuar investimet lombarde në Shqipëri, duke ju përgjigjur mesazheve të qarta që ju shpesh keni dërguar në drejtim të investimeve italiane, si dhe duke u tërhequr nga reformat e thella dhe të suksesshme që qeveria juaj ka ndërmarrë. Grupi me biznesmenë, gazetarë, bankierë e politikbërës që unë kryesoj sheh premise të qarta për investime të suksesshme në turizëm, banka, infrastrukturë, energji, tekstile, projekte kulturore e në arsim,” u shpreh zoti Formigoni.

Kryeministri Berisha përcolli, përmes Roberto Formigonit, mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen dhe luajalitetin e popullit dhe qeverisë italiane në çështjen e Kosovës, duke kontribuar kështu në një pavarësi që e bëri Ballkanin më të lirë e më të drejtë se kurrë, duke i dhënë dy vendeve Kosovës dhe Serbisë perspektiva të qarta europiane.

Presidenti i rajonit të Lombardisë, zoti Formigoni ndodhet për një vizitë në vendin tonë, me qëllim inkurajimin real të investimeve lombarde në Shqipëri dhe për këtë qëllim shoqërohej nga një delegacion i gjerë me bankierë, përfaqësues të mediave italiane, biznesmenë të fuqishëm të Rajonit të Lombardisë, politikbërës të Forca Italia etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›