E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria po përmbush detyrimet dhe zotimet e ndërmarra

Komiteti i Planifikimit të Strategjive diskutoi sot, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratimin e tavaneve buxhetore afatmesme për vitet 2009-2011.
Kryeministri Berisha përgëzoi Komitetin e Planifikimit të Strategjive për parashikimet e bëra, ndërsa i cilësoi këto zhvillime si shumë pozitive dhe që i japin vendit mundësi të përmbushë projektet dhe objektivat që përcakton.
Më tej, Kryeministri theksoi se në shpërndarjen e tavaneve buxhetore për vitet 2009-2011 parashikohet përmbushja e detyrimeve dhe zotimeve që ka ndërmarrë qeveria.
“Në këto zhvillimet janë parashikuar të gjitha fondet për indeksim dhe rritjen e pagave e pensioneve në vitet 2009-2011”, u shpreh Kryeministri.
Rritje e shpenzimeve është parashikuar dhe në infrastrukturë, përfshi këtu  mirëmbajtjen e shkollave, rrugëve, urave, ujësjellësve, spitaleve si dhe përmirësimin e sistemit të burgjeve.
Rritje e financimeve parashikohet dhe për policinë, për pushtetin gjyqësor dhe për mjedisin.
“Ka rritje të fondeve për policinë e rendit, mjedisin dhe për pushtetin gjyqësor. Unë shpresoj që në kuadrin e reformës në drejtësi, pas ligjit për funksionimin e sistemit gjyqësor, të bëhet dhe ligji i funksionimit të administratës gjyqësore. Sistemi gjyqësor duhet të plotësohet me administratën që meriton. Gjykatësit duhet të kenë ndihmësa dhe ne duhet të vendosim në këtë sistem ato standardet që kanë vendosur vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Kryeministri.
Shtesa në fonde janë parashikuar dhe për Ministrinë e Mbrojtjes, buxheti i së cilës nuk do të zbresë pasi është domosdoshmëri të ruhet niveli prej 2 përqind i GDP-së.
Fonde shtesë janë parashikuar dhe për institucionet e tjera si Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) që merret me zbatimin e projektit për rrugët rurale.
Kryeministri bëri të ditur se për shkak të projekteve për digjitalizimin do t’i shtohen fondet edhe Televizionit Publik Shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›