E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave zhvillon mbledhjen e rradhës Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi në mbledhjen e sotme një sërë vendimesh dhe marreveshjesh. • U

Këshilli i Ministrave zhvillon mbledhjen e rradhës
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi në mbledhjen e sotme një sërë vendimesh dhe marreveshjesh.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mediocreditocentrale (MCC, S.p.A) për financimin e programit per ndërtimin e segmentit rrugor Lushnje-Fier dhe mbikqyrjen e punimeve për dy segmentet rrugore, Lushnje-Fier dhe Fier-Vlorë".
Me një vlerë prej 24 350 000 euro qeveria italiane do të financojë punimet e ndërtimit të segmentit rrugor Lushnje-Fier, si dhe supervizionin e punimeve të ndërtimit të dy segmentet Lushnje-Fier dhe Fier-Vlorë. Për realizimin e këtij programi do të kontribuojë edhe qeveria shqiptare me një financim prej rreth 4 900 000 euro për përballimin e kostove lokale. Projekti synon:
- Përmirësimin e segmentit rrugor Lushnje-Fier, sipas parametrave europiaë, duke favorizuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave si brenda vendit ashtu edhe me vendet kufitare;
- Garantimi i niveleve të larta të sigurisë rrugore;
- Zvogëlimi i kohës së udhëtimit dhe ulja e kostove operative të mjeteve;
- Përmirësimi dhe zhvillimi ekonomik dhe social i zonës jugore të vendit.

• Në mbledhjen e sotme Keshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për disa ndryshime në vendimin nr. 635, dt 25.9. 2003, të Këshillit të Ministrave, "Për kuotat financiare të ushqimit në mensat e konvikteve, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve e të studentëve".

Vendimi i Këshillit të Ministrave për kuotat financiare të ushqimit në mensat e konvikteve, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve e studenteve synon t'u vijë në ndihmë nxënësve dhe studentëve që vijnë nga familje me të ardhura të pakta, jetimëve dhe nxënësve të arsimit special.

Ndryshimet që behen në këtë vendim synojnë të realizojnë sigurimin e të drejtës për përfitim të bursës për shkak të specialitetit të zgjedhur: matematikë apo fizikë, jo vetëm nga studentët e Universitetit të Tiranës, por edhe nga studentë të këtyre specialiteteve në universitetet e tjera të vendit.

Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, për vitin shkollor 2004-2005, i jepen 900 bursa për arsimin e mesëm dhe 700 bursa për arsimin e lartë.

Mbulimi i gjithë bursave për vitin shkollor 2004-2005, do të bëhet nga buxheti i shtetit.

• Gjithashtu, Keshilli i Ministrave miratoi sot edhe vendimin "Per dhenien e lejes per hapjen e shkolles se larte jopublike "Marubi"

• U miratua vendimi "Për miratimin e Dokumentit të Politikave të Decentralizimit në fushën e kujdesit shëndetësor parësor dhe mbrojtjen e shëndetit publik".
Hartimi i Dokumentit të Politikave për decentralizimin në fushën e kujdesit shëndetsor parësor dhe mbrojtjen e shëndetit publik, bëhet në kuadër të zbatimit të Plan Veprimit për Decetralizimin dhe Autonominë Vendore. Në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor, parashikohet transformimi gradual i rolit të Ministrisë së Shëndetësisë nga një organ administrues i sistemit në një organ politikbërës, planifikues, koordinues dhe monitorues. Kjo realizohet nëpërmjet decentralizimit të kompetencave dhe përgjegjësive nga pushteti qendror në pushtetin vendor, në institucionet e saj vartëse në nivel rajonal dhe vendor. Hapi më i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë shtrirja e autoriteteve shëndetësore rajonale, që do të kenë përgjegjësi për hartimin e politikave rajonale të zhvillimit dhe menaxhimin e drejtpërdrejtë të programeve rajonale të shëndetit publik.

• Këshilli i Ministarve miratoi vendimim "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.227, dt. 18.6.1997 të Këshillit të Ministrave, "Për përfitimin nga Statusi i të Verbërit".

Në ndryshime që i bëhen vendimit të mëparshëm përcaktohet që Ministria e Punës dheÇështjeve Sociale të parashikojë çdo vit në buxhetin e saj, si zë të veçantë, një fond për financimin dhe subvencionin e Qendrës Kombëtare të të Rehabilitimit të të verbërve për ngritjen dhe administrimin e kësaj qendre. Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të verbërve të ofrojë shërbim deri në vitin 2014. Pra shtyhet edhe 10 vjet më shumë funksionimi i kësaj qendre. Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve përmbush detyrimet si institucion i posaçëm, i specializuar, në ofrimin e shërbimeve të veçanta për të verbërit.

Përfituesit e pajisur me librezë verbërie paguajnë çdo vit përkatësisht: Grupi i parë 6 përqind të masës së pagesës së verbërisë ndërsa grupi i dytë 5 përqind.

Vendimi synon që institucioni t'iu mundësojë të verbërve edukimin, arsimimin special, përgatitjen profesionale për t'i bërë ata konkurentë në tregun e punës, rehabilitimin e personave me pluridefekt për t'i aftësuar sipas mundësisë së defektit për përballimin e nevojave të përditshme të vetshërbimit, krijimin e hapësirave për zhvillimin dhe aftësimin intelektual nëpërmjet shtypjes në Brail dhe regjistrimin në kaseta të teksteve shkollorë dhe materialeve të tjera me karakter formues dhe informues.

Gjithashtu vendimi synon që të krijojë hapësira për mundësira e lehtësira për thithjen e donacioneve, duke bashkëpunur më mirë me institucionet e posaçme të interesuar për të verbërit.

• U miratua edhe vendimi "Për miratimin e Letrës së Politikave të Zhvillimit, për kredinë e tretë, në mbështetje të uljes së varfërisë (PRSC 3)".
Qeveria Shqiptare, pasi ka përfituar dy kredi, ka realizuar me sukses në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të Bankës Botërore kushtet e fazës së parë dhe të dytë, po ndjek ecurinë e përmbushjes së kushteve për përfitimin e kredisë së tretë. Edhe në këtë fazë kredia mbështet Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social nëpërmjet katër komponentëve të saj:
1)Nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e zhvillimit të sektorit privat;
2) Fuqizimi i hartimit të monitorimit dhe të vlerësimit të politikave;
3) Përmirësimi i sigurimit të shërbimeve dhe efektivitetit të rrjetit të sigurimeve;
4) Rritja e përgjegjshmërisë dhe permirësimi i administrimit të shpenzimeve publike dhe marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare.

• Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare "Për asistencë të ndërsjelltë administrative në çështjet doganore".
Parimi bazë i Konventës është bashkëpunimi më i ngushtë dhe më efektiv ndërmjet administratave doganore, parim i cili bazohet tek reciproriteti dhe që lind menjeherë pas anëtarësimit në këtë Konventë. Ajo siguron një bazë ligjore për shkëmbim informacioni dhe asistencë administrative ku përfshihen: hetime të përbashkëta, bashkëpunim për ngarkesat e kontrolluara, shkëmbime ekspertësh, teknikash të suksesshme, vënia nën vëzhgim e mallrave, mjeteve dhe ambienteve të operatorëve ekonomikë të dyshuar, dëshmitë në gjykata etj. Konventa përmban një gamë të gjerë dispozitash përfshi dhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe informacione si pjesë të dhënash globale,me synim asistimin e palëve kontraktuese në fushën e luftës kundër krimit ndërkufitar, evazionit fiskal dhe sigurimit të kufijve.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Eksport-Import të Koresë, për projektin e elektrifikimit të zonave rurale".
Qeveria e Republikës së Koresë do të financojë projektin e elektrifikimit të zonave rurale nëpërmjet një huaje në shumën e 25 milion USD nga Fondi i Bashkëpunimit për Zhvillimin Ekonomik. Projekti përfshin riforcimin e sistemit trasmetues nëpërmjet ndërtimit të një linje trasmetuese 220 kv dhe do të jetë i lidhur me projekte të tjera të energjisë veçanërisht me ndërtimin e TEC në Vlorë.

Projekti synon të rrisë cilësinë e furnizmit me energji dhe të zvogëlojë ndërprerjet e energjisë në zonat rurale të vendit, të rivendosë mbështetjen rajonale, të kontribuojë në rimëkëmbjen dhe ezhvillimin ekonomik të zonave rurale, të rrisë aftësitë menaxhuese dhe vepruese të KESH.

• U miratua vendimi "Për fillimin e procedurës së dhënies me koncesion të formës "BOO", për ndërtimin e hidrocentralit të Helmësit në rrethin e Kolonjës".
Me anë të këtij vendimi lejohet fillimi i procedurës për ndërtimin me koncesion të formës BOO nga shoqëria "Pinderi" sh.p.k, Kolonjë, të hindrocentralit të Helmësit. Vlera totale e investimit është 72 milion lekë. HEC i Helmësit do të prodhojë energji elektrike gjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar ujrat e rezervuarit të Helmësit. Ai do të kete një fuqi totale të instaluar prej 800 kË dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 1.7 milion kWh.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit, ndrmjet Këshilli të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, për përgatitjen e projektit "Laguna e Karavastasë-ruajtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm".
Laguna e Karavastasë është një nga zonat më me vlerë në ekosistemet natyrore të vendit, duke patur statusin më të lartë të mbrojtjes në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Duke parë vlerat e biodiversitetit të kësaj zone, Ministria e Mjedisit ka aplikuar pranë Fondit Botëror të Mjedisit nëpërmjet Bankës Botërore për një projekt me karakter mjedisor që do të synojë ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të zonës. Projekti me një vlerë prej 1 milion USD përfshin disa aktivitete:
1-Vlerësimi mjedisor dhe socio-ekonomik që do të realizohet në bashkëpunim me komunitetin së bashku me një proces të gjërë konsultimi në lidhje me menaxhimin e zonës;
2-Asistencë teknike për hartimin e kuadrit ligjor dhe institucional, zonimi i territorit i Parkut Kombëtar të Divjakës;
3- Hartimi dhe përcaktimi i kostove për ndërhyrjet në infrastrukturën e zonës së lagunës që do të përfshijë rehabilitimin e qëndrueshëm të kanaleve komunikues, kullën e vrojtimit, ngritjen e qendrës së informacionit dhe rivendosjen e tokave të lagura në jug-perëndim të zonës;
4-Krijimin e Komitetit të Menaxhimit me ëprbërje të të gjithë aktorëve.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive të caktuara kulturore".

Marrëveshja ka për synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive të të dy vendeve në fushën e mbrojtjes së pasurive kulturore, duke zgjeruar në këtë mënyrë spektrin e bashkëpunimit mes tyre. objekti i kësaj marrëveshjeje është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore: vendet e kultit qendrat historike, monumentet, varrezat, memorialet, arkivat, të të gjitha grupeve kombëtare, fetare dhe etnike që jetojnë ose kanë jetuar në territoret e palëve, përfshirë edhe viktimat e genocidit të Luftës së II Botërore.

Mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore do të arrihet përmes identifikimit të objekteve të kësaj trashëgimie, sidomos të atyre më të rrezikuara, hartimit dhe shpalljes nga një Komision i Përbashkët i trashëgimisë, të listave përkatëse të objekteve të një rëndësie të veçantë, si dhe shfrytëzimit të këtyre objekteve nga publiku.
Marrëveshja do të ndihmojë në shtrirjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisië kulturore, si dhe në forcimin e kontakteve ndërshtetërore në funksion të dialogut ndërkulturor, duke respektuar dhe vlerësuar trashëgiminë e të gjitha kulturave.

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për stërvitjen "Adriatic Phiblex 04-6", (Adriatic Shield 04).
Qëllimi i këtij Memorandumi është të vendosë politikat dhe procedurat për sigurimin e mbështetjes së vendit pritës (Kroacisë) ndaj forcave pjesëmarrëse në stërvitje, për arritjen e objektivave të përcaktuara për stërvitjen "Adriatic Phiblex 04-6".

• Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi në parim edhe Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për mbrojtjen e përbashkët të informacionit të klasifikuar.

Miratimi në parim i kësaj Marrëveshjeje nga Këshilli i Ministrave dhe ratifikimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të plotësonte procedurat ligjore për mbrojtjen e Informaciont të Klasifikuar, të shkëmbyer ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës.

• Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin e strukturës dhe organikës së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit".

Numri limit i punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit të jetë 12 veta, ndërsa numri limit i punonjësve të kësaj policie në qarqe të jetë gjithsej 712 veta.

Ngritja e Drejtorisë së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit diktohet nga disa faktorë si përqëndrimi i popullsisë në qytetet kryesore dhe zgjerimit te tyre, të cilat sollën ndryshime te mëdha social-ekonomike dhe lëvizje demografike në këto 10 vitet e fundit.

• Këshilli i Ministrave miratoi në vendime të veçanta listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në Bashkinë e Durrësit, në Komunën e Bubullimës dhe në Bashkinë e Kukësit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›