Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të vecantë Drejtorin Ekzekutiv të Article XIX, Andrew Puddephat. Në këtë takim të dy personalitetet diskutuan rreth zhvillimeve në media dh
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të vecantë Drejtorin Ekzekutiv të Article XIX, Andrew Puddephat.
Në këtë takim të dy personalitetet diskutuan rreth zhvillimeve në media dhe rëndësisë që ka liria e shtypit dhe e drejta e informimit publik.
Kryeministri Nano vuri në dukje se në Shqipëri ka një ligj për të Drejtën e Informimit që është nga më të përparuarit në legjislacionin perëndimor. Në bazë të këtij legjislacioni, informacioni në Shqipëri nuk është më një tabu për publikun e gjere.
Më tej, Kryeministri Nano e informoi z. Puddephat se në 7 vjet të qeverisjes socialiste nuk ka asnjë rast të vetëm të ushtrimit të dhunës ndaj gazetarëve për shkak të detyrës, qoftë edhe një rast i vetëm i burgosjes së tyre. Në këtë drejtim, ai përmendi si shembull incidentin e ndodhur me ish Ministrin e Rendit, duke nënvizuar se qëndrimi që u mbajt në këtë rast ndaj tij, është provë e përgjegjësisë së qeverisë ndaj lirisë së mediave që konsiderohet e shenjtë.
Duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë në mbështetje të lirisë së mediave, Kryeministri nënvizoi gjithashtu se një vit më parë qeveria inicoi një ndryshim në ligjin kundër piraterisë televizive, në bashkëpunim me pronarët dhe drejtuesit e televizioneve dhe ky ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Po ashtu, zoti Nano theksoi se mbeshtet iniciativen qe masat ligjore kunder shpifjes dhe deformimit te fakteve nga mediat, te parashikohen ne Kodin Civil dhe jo ne Kodin Penal.
Duke bërë një pasqyrë të ecurisë së mediave në Shqipëri, Kryeministri theksoi se tashme ushtrojne veprimtarine e tyre 126 subjekte private të mediave elektronike radiotelevizive, kombëtare dhe lokale, nga zero që ishin para vitit 1997, para ardhjes në pushtet të socialistëve. Gjithashtu, botohen 22 gazeta të përditshme. Në këtë mënyrë, tha kryeministri, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e të përditshmeve për frymë.
Zoti Puddephat ka vleresuar kete fakt si nje shenje e rëndësishme e zhvillimit të medias në vend dhe hapesirave të krijura në këtë funksion.
Të dy personalitetet ndanë te njejtin mendim se media nuk duhet të jetë në shërbim të individëve, por në shërbim të informimit publik.