E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurthe leximi që s’u shpëtoi dot as vepra e Kadaresë



(Vijon nga numri i djeshëm)

Behar GJOKA
Leximi sociologjik, në varësi të tij dhe si të prejardhura prej tij, edhe leximet ideologjike dhe biografike, përpos këtyre pasojave të hidhura në qëmtimin dhe shqyrtimin e letrares, kanë sjellë edhe ndikesa të tjera, çka preket sidomos nëpër derivatet e leximit sociologjik. Prej këtyre formave të prejardhura leximore, të rrafshit sociologjik, me gjitha trajtat e veta kryesore, fare lehtë do të veçoheshin, për ndikimin dhe rolin që luajnë edhe sot e gjithë ditën:
A- Leximi patriotik i letërsisë, një mjerim metodik dhe pseudoshkencor, gjë që ka bërë që letrares t’i kërkohet edukimi atdhetar, mbase formimi i kombit, i njeriut të ri në periudhën e diktaturës, e pse jo i njeriut demokratikas në kohën e demokracisë, vijon ruajtjen e sinoreve të mënyrës verifikuese të modelit të realizmit socialist. Ky lloji leximi, nga më të çuditshmit në shtjellimin e vlerave artistike, madje duke i rrudhur dhe përzënë ato, ndikoi ndjeshëm dhe drejpërdrejt në përtharjen e vlerave letrare, krijuar ndër shekuj, përmes aq sakrificash dhe vetëdije letrare. Leximi patriotik, pothuajse e mërgon nga shqyrtimi bukurinë e fjalës letrare, pra qëllimin dhe funksionin për të cilin është krijuar arti, duke e dënuar kështu me një detyrë që i kapërcen funksionet e tij, dhe duke e nxjerrë përfundimisht prej binarëve të interpretimit të letrares. Dija letrare, klasike dhe bashkëkohore, sa i përket këtij raporti, na mëson se arti, pra edhe letërsia me të gjithë format e saj të shprehjes në poezi, prozë ose dramë, nuk ka atdhe, në kuptimin klasik të kësaj fjale, sepse letrarja tenton dhe rrokë, përgjithësisht universalen, shenjën që i shpërfill dhe tejkalon ndarjet e përkohësisë, madje që i përket çdo pike të rruzullit. Kuptohet se ngushtimi i rrathëve shqyrtimor, deri në gramin e verifikimit patriotik apo anipatriotik, biografik ose sociologjik, e natyrisht duke përjashtuar me përdhuni mënyrat e tjera të leximit, në këto mjediset tona, e ka nxjerrë në zgrip letraren, duke e lënë realisht në periferi të intrepretimit tekstin letrar, me hapësirat e pafundme tekstore dhe ndërtekstore, ato që do të duhet të ishin të parat në radhën e shqyrtimit të letrares, në mënyrë që të depërtohej në vlefshmërinë e tij.
B- Leximi antipatriotik i letërsisë, tashmë i shpallur dhe i pranishëm gjerësisht në median e shkruar, si një model bashkëkohor i verifikimit dhe shqyrtimit të tekstit letrar, patjetër duke përmbysur leximin e mësipërm, ku vlera letrare kërkohej dhe shënohej si e tillë vetëm nëse përmbushte nevojat atdhetare dhe kombëtare, sociale dhe ideologjike, tipare të cilat anipse gjenden në shumicën e teksteve të letërsisë botërore dhe shqipe, nuk kanë rol dhe peshë specifike në vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e artit të fjalës, si gjurmë dhe dëshmi letrare, përkundrazi, së paku në letrat shqipe, këto dy tipare kanë qenë bashkudhëtare të letrares, madje duke ia marrë frymën asaj, sepse letrarja është ngushtuar dhe është vënë në shërbesë të tyre, pra duke dalë realisht prej funksionit kryesor, si art dhe estetikë. Patriotizmi dhe antipatriotizmi në letërsi dhe arte, tanimë në kohët moderne, kur shoqëria njerëzore, sipas Hobsbaum, e ka kapërcyer epokën e ekstremeve, sociale, politike dhe kulturore, kur modernia është zëvëndësuar prej pasmodernes së parë dhe të dytë dhe, tani po lëvrohet një tjetër moderne, nuk kanë kurrfarë vlerash në raport me letraren. Një tekst letrar, nëse i përmbush kriteret për t’u trajtuar si i tillë, si në formësim, në shprehësi dhe po ashtu në frymën që përcjellë, s’mund të jetë as patriotik e as jopatriotik, letërsia është diçka tjetër, në të gjitha rastet kur ka vlera letrare, i kapërcen caqet e ngushta të patriotizmit vulgar, i cili shpërfaqet edhe si shërbesë, edhe si antishërbesë letrare. Një gjendje e prejardhur, pikërisht nga dy mënyrat e mësipërme, pra leximi i patriotshëm dhe antipatriotik i letrares, fare natyrshëm ka sjellë në mjediset e shqipes:
C- Leximin historik të letërsisë, si një mënyrë e çuditshme dhe fare e mjerë e shqyrtimit të tekstit dhe vlefshmërisë së tij, madje si një mënyrë efikase për ta vrarë dhe përzënë letraren nga binarët e shqyrtimit real. Thelbi i kësaj mënyre të pamundshme të leximit të letërsisë, qëndron në barazitizmin e historisë me letërsinë, të cilat qysh më herët, së paku prej antikiteti e këndej janë të ndara, dhe prandaj në shqyrtimin e letërsisë si faktologji artistike, e ngjyrosur me tharm historik, humbasim adresimin dhe funksionin. Në këtë rast, jemi më tepër në situatë absurde dhe krejt të përkundërtë me gjasat për ta prekur dhe shijuar letraren. Mediokriteti i pandritur i barazimit të letërsisë me historinë, pra të letrares me histroriken, nuk është rastësi, përkundrazi është krhtyer në një rregull dhe normë e pashpallur e shqyrtimit dhe verifikimit të letrares. Një skotë e madhe analistësh, të të gjitha ngjyrave dhe të tipologjisë bashkëkohore, që ngandonjëherë mbajnë edhe tituj, mozomakeq kur janë tituj përmbi letraren, shpërndajnë, siç shprehet fare qartësisht Kundera “opinione mesatare” pa lidhje me letraren, duke e groposur kështu çdo shans dhe rrethanë për ta trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi letraren. Opinionistët, ky lloji i ri verifikuesish të kohëve moderne dhe pasmoderne, i “kopshtit shkëmbor”, siç e pati quajtur Konica Shqipërinë, pra kopshtit letrar, me dije mesatare, gjykim mesatar, ide dhe hipoteza mesatare, pra me gjithçka mesatare, e cila nuk të çon asgjëkundi, në raport me letraren, të fshehur nën veladonin e gjithdijes, gjë që në fakt nuk mbulon dot as vetë paditurinë në secilën fushë ku e vënë dorën pa mëshirë, që e lëvrojnë me bujë opinionbërjen, shpërndanë me shumicë opinionet e mjera dhe gjysmake, të bjerrjes së vlerave letrare. Po të shtosh edhe “lukuninë” e komentatorëve, që me komentet e tyre, pa një grimë komenti rreth dukurisë dhe tekstit letrar, lëshuar nëpër rreshtat e bojënxirjes, atëherë gjendja bëhet edhe më serioze, dhe andaj mjerimi intelektual ecën këmba-dorës nëpër lakadredhat e mungesës së debatit përmbi letraren, e cila nuk ka gjasa të ketë as hipotekë, e as pronar, se përndryshe do të humbiste shansin ekzistencial si frymë e qenies dhe kohës, pa konvencione përmbyllëse. Leximi historik i letërsisë, përveç përzierjes dhe ngatërrimit të dy formave të ndryshme të përjetimit të realitetit, historik dhe letrar, fsheh edhe nivelin mediokër të shkruesve të këtyre shkarravinave. Pasojë e kundrimit të letrares në optikën e barzimit të letrares me historiken, në mjediset e shqyrtimit letrar, është edhe prania e formave të tjera të leximit, në fakt mosleximit të letrares, siç janë:
- Leximi biografik i letrares është një mënyrë tjetër e shqyrtimit të pranishëm në mjediset tona. Ky lloji leximi, as më pak e as më shumë, vë në epiqendër jetën e autorit, bëmat dhe të pabëmet e tij, të cilat edhe mund të kenë ndonjë lidhje me veprën, tërthorazi apo drejtpërdrejt, por nuk janë i vetmi faktor për të shpjeguar dhe kuptuar tekstin, me shumëformësinë e vetë, si me thënë me të gjithë rrjetën ndërtekstore, që parakupton prurjen autoriale, por edhe rimarrjen paratekstuale, të pashmnagshme.
- Sipas dijes teorike-letrare, duke nisur qysh prej strukturalizmit frëng, që kulmon me Zhenet dhe Barthes, jeta e autorit, madje edhe vetë autori në raport me tekstin letrar, pra me tekstin në poezi, prozë apo dramë, nuk ka asnjë vlerë. Autori dhe hija e tij, egoja dhe mungesa e saj, gjenden të shtampuar në shkronjë, si “mall i shtampës”, që e lë në vetmi autorin, krijuesin e vetë.
Kjo bëri, që Roland Barthes, strukturalisti më i shquar në interpretimin e tekstit letrar, shumë kohë më parë, të shkonte deri aty sa të sugjeronte “vdekjen e autorit”, si metaforë dhe simbolikë e lirimit të tekstit letrar prej hijes dhe fantazmës së shkrimtarit. Vijimësia e leximit biografik të letrares, edhe kësaj ndërkohje, madje edhe nga shkruesë që mbajnë tituj, si doktor apo profesor, në këto punët e ngatërruara të letrares, e shpërndërron në një çështje të ndërlikuar. Ata, pra analistët dhe komentatorët, që parësore kanë temën dhe zhurmërimat rreth e përqark saj, leximin biografik të letrares, pra realisht përfaqësuesit e gjithdijes së padijes, puna me ta, pra me specien e analistëve, nga sa kemi parë dhe dëgjuar, rrëshqet vetëm në sipërfaqe të problemit të letrares dhe të gjithçkaje që trajtojnë. Si të thuash, skota e analistëve e lexon dhe shqyrton letraren si famë ose mungesë fame, si masivitet i opinionit mesatar, pa pikën e lidhjes me tekstin letrar. Nga ana tjetër, të dëshpëron pa masë fakti, i rihedhjes dhe funksionalizmit të leximit biografik të letrares edhe prej atyre pak profesionistëve, që e kanë për detyrë parësore ta shohin letërsinë para së gjithash si prani vlerash letrare, e jo tjetërsoj. Ky nivel keqleximi dhe trajtimi i letrares në këtë formë të shpërfilljes së vlerave letrare, dëshmon më qartë se gjithçka se si lexues dhe veçmas si mënyra leximi, jemi thartuar gjer në asht, deri në palcë nga leximi sociologjik, variant i të cilit është edhe leximi biografik. Pasojat e leximit sociologjik, të ngjyrosur me tharmin e ideologjisë komuniste, padyshim edhe të formave të tjera të ideologjisë, me të gjitha format e veta, të leximit patriotik dhe antipatriotik, filozofik dhe ideologjik, historik dhe biografik, i ka vuajtur pa ndërpreje letërsia shqipe me të gjitha vonesat e mundshme në pranimin dhe interpretimin e letrares, shenjës së artistike të vetëmjaftueshme për të prekur dhe shijuar artin e fjalës. Pjesë e këtij dhunimi sistematik dhe detyrues të mënyrës së shqyrtimit të letrares ka qenë edhe letërsia e pas viteve 1944, që bulëzon nën vellonë e brendisë së letërsisë së realizmit socualist. Në një kuptim të ngushtë, letërsia e socrealzimit, duke qenë e projektuar dhe ideuar si e tillë, së paku gjer më tani, i është bërë lexim dhe verifikim i brendisë, me të gjithë lementët e vetë përbërsë, dhe jo i formës letrare, ku edhe fle arti. Këtij kurthi të shqyrtimit përmbajtësor, të shtrirë në kohë dhe hapësirë, nuk i ka shpëtuar as vepra letrare e Kadaresë, pavarësisht nivelit letrar dhe famës së arritur, pavarësisht jo pak trajtesave të realizuara gjatë kësaj ndërkohje, të cilat vuajnë nga inetrpretimi “bardhë e zi” i çështjes, e cila sidoqë të vijë puna në rastin e shqyrtimit të letrares është ngjyrimi spektral, sepse vetë krijimtaria letrare është e tillë. Kjo situatë, e cila ngërthen një absurd të radhës, në trajtimin dhe vlerësimin e letrares së këtij shkrimtari dhe përgjithësisht të veprës letrare të autorëve të formatit letrar bashkëkohor, të përkujton shprehjen e Orhan Pamuk, kur nënvizon “...nevoja e pavetëdijshme për t’u pëlqyer nga ata, e kishte kthyer në rob të lëvdatave.”, si për të davaritur diçka prej kësaj mjegullnaje të stisur enkas për të ngatërruar edhe mendjet e kthjellta në punët e letrares. Krijimtaria e Kadaresë, sidomos proza e tij, e bart dhe e sendërton brendinë madhështore, si një nuancë e prekshme e konteksteve shkrimore, gjë që lidhet me ndikimin e parakushteve letrare dhe jashtëletrare, doemos në aspektin e lëvrimit të temës së qëndresës shqiptare. Tema e qëndresës, po të kihet parasysh proza e tij, veçmas romanet e shkruar para viteve 90’, është e qartë se kemi të bëjmë me një lajtmotiv të krijmitarisë së tij, të shtrirë dhe të zhvilluar në përmasa të përfillshme, veçse me distancën e pamjaftueshme kohore, tashmë si lexim dhe rilexim i shprangosur i letrares, qëndresa është një tregues dhe shenjë e pastër e dyzimit letrar, pra e ikjes prej aktualitetit të zyrtarizuar gjer në gen, dhe atypëratyshëm e kthimit në atmosferën e jetës së përditshme, në formën e tingëllimit aktual. Dysia letrare, e ikjeardhjes në kohën e shpërfytyrimit, ngjet me tekstet e romaneve “Kështjella”, që i vendos ngjarjet në motin e madh, në kohën e Skënderbeut, por si të pranishme ka edhe “përsëdytjen” e madhështisë së qëndresës shqiptare në shekullin e njëzet, e cila tani rezulton që ishte fiktive dhe pa vlerë. Po ashtu ndodh edhe me faqet e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një tekst që ka si sfond të qëndresës kohën e luftës të gërshetuar edhe me kohën e mbarimit të saj, por që nuk i ka shmangur ende pasojat e shkatërrimit apo me tekstet e poemave “Përse mendohen këto male”, “Shqipëria dhe Tri Romat” etj. Tema e qëndresës bashkëkohore, por edhe si përgjigje e flakëpërflakshme e nevojave të kohës, pra të kohës shkrimore, si me thënë e atyre konteksteve kur edhe ngjizen për të parën herë si tekste, shpërfaqet në faqet e romaneve “Dimri i vetmisë së madhe”, i cili në botimet e tjera emërtohet “Dimri i madh” dhe “Koncert në fund të dimrit”, dy romanet më të gjata të autorit. Tanimë, kuptohet thjesht se ka rënë dhe është përmbysur madhështia që mëtonin të paraqisnin këto tekste, madje edhe si variante të përpunuara dhe ripunuara, kohë mbas kohe prej autorit, por teksti i secilës prej librave të sipërpërmendura ka mbetur dhe rishtas mund dhe duhet të rilexohet, e ç’është më kryesorja të interpretohet vetëm si fakt letrar, më përtej faktorëve jashtëletrarë. Teksti, substanca e vetme që mundëson prekjen dhe shqyrtimin e letrares, është në librat e botuar, atëherë, por edhe si të ripunuar në këtë kohë, si dëshmi e përpunimit autorial të pafundëm. Kundrimi i letrares, përtej metodës së verifikimit sociologjik, me të gjitha variantet dhe format e mundshme, të lexim-rilexmit patriotik dhe antipatriotik, ideologjik dhe dogmatik, biografik dhe historik, të shprehura në studimtarinë e shqipes, vetëm e vetëm në materien e teksteve, duke e shfletuar dhe rilexuar si të tillë, me siguri që tek Kadare dhe çdo shkrimtar tjetër i letrave shqipe, do të zbulonte shenja të pavëna re më parë. Në rastin e Kadaresë dhe të disa autorëve të tjerë të letërsisë bashkëkohore, ky proces, pra rileximi i teksteve, të mëparshme dhe të ripunuara, do të duhet shoqëruar edhe me ndarjen e letrares me joletraren, me synimin e vetëm që të shpëtohet çdo gjurmë letrare, dhe ajo letrare e gërshetuar me jolteraren të mbetet pjesë e panteonit të letrave shqipe.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›