E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit debaton për misionin EULEX në Kosovë

Ki Mun ka marrë parasysh pa paragjykime qëndrimet e të dyja palëve. Varma: “Kurrë nuk kemi bërë thirrje për ndarjen e Kosovës”

Pas paraqitjes së raportit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka diskutuar dje planin e debatueshëm të sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për t’i hapur rrugën funksionalizimit të misionit të BE-së në Kosovë, në fillim të muajit dhjetor. Sipas dokumentit, i cili iu shpërnda vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, Ban ka marrë parasysh pa paragjykime qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës lidhur me statusin. Ai është shprehur se plani gjashtëpikësh i OKB-së do të zbatohet në Kosovë, megjithëse autoritetet në Prishtinë e kanë hedhur poshtë atë si në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Zëdhënësi i kreut të OKB-së, Brenden Varma, gjatë një interviste është shprehur se sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ishte i vetëdijshëm se autoritetet e Kosovës e kishin kundërshtuar planin e tij, por ai vuri gjithashtu në dukje anën pozitive se autoritetet e Prishtinës kanë thënë se ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me EULEX-in. Ndërkaq, në lidhje me frikën e autoriteteve të Kosovës që zonat e populluara nga serbët do të shkëputen nga Kosova, Varma tha se komenti i tij i thjeshtë është se, “ne asnjëherë nuk kemi bërë thirrje për ndarjen e Kosovës dhe nuk po e bëjmë këtë as tani”. Varma tha se UNMIK-u vazhdon të jetë zyrtari kryesor i OKB-së në terren dhe ai do të vazhdojë të jetë i tillë. “Sigurisht, misioni i OKB-së në Kosovë duhet të evoluojë me ndryshimin e ngjarjeve në terren dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ne do të vëmë re gjithashtu edhe një reduktim të tij, që përfaqësuesi ynë e ka përmendur tashmë si pjesë të procesit të rikonfigurimit. Por ai do të vazhdojë të mbetet zyrtari kryesor i OKB-së në terren dhe do të vazhdojë detyrat e tij”, - tha Varma. Që në momentin që Kosova u nda nga Serbia, Rusia dhe fuqitë perëndimore kanë zhvilluar negociata me dyer të mbyllura në Këshillin e Sigurimit, në përpjekje për të arritur marrëveshje për çëshjen e Kosovës. Lidhur me çështjen e misionit EULEX, diplomatët thonë se Rusia dëshiron një deklaratë që në mënyrë eksplicite do ta përkrahte planin 6-pikësh të OKB-së, që mbështetet nga Serbia, por që është hedhur poshtë nga Kosova.
Megjithatë, amerikantët dhe disa europianë ngurrojnë që Këshilli i Sigurimit ta mbështesë këtë plan. Ata do të preferonin një deklaratë të përgjithshme të mbështetjes për vendosjen e misionit EULEX, që OKB-së i jep mandat të qartë për të filluar transferimin e autoritetit te Bashkimi Europian, por jo mbështetje të qartë për planin e Kombeve të Bashkuara, i cili është refuzuar nga Kosova.

Kosova revoltohet: Në asnjë mënyrë planin 6-pikësh

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë dalë në një deklaratë të përbashkët lidhur me raportin e sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për vendosjen e EULEX-it. Ata e kanë kundërshtuar implementimin e 6 pikave që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. Autoritetet kosovare bënë thirrje që masat për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës. Në deklaratë sqarohen arsyet se pse Prishtina zyrtare hedh poshtë këtë plan të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Kjo kundërshti e kosovarëve tashmë është shënuar edhe në raportin e sekretarit të Përgjithshëm që u bë i njohur në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit në OKB. “Deklarata jonë është e qartë. Ne mirëpresim vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën dhe do të punojmë për të lehtësuar atë vendosje. Por e refuzojmë planin 6-pikësh”, - thuhet në deklaratën e përbashkët të presidentit dhe kryeministrit të Kosovës. Krerët kosovarë shprehen të bindur se kërkesa e tyre do të merret parasysh. “Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë”, - thuhet mes të tjerash në deklaratën për shtyp.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›