E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i librave, në pritje të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financave



Prindërit do t’i marrin lekët që kanë shpenzuar për blerjen e librave të fëmijëve të tyre pasi të dalë udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave për këtë proces. Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga nisja e vitit të ri shkollor, ende Ministria e Arsimit nuk ka bërë të ditur se kur do të nisë kompensimi i teksteve shkollore. Por kushti kryesor që prindërit dhe nxënësit e arsimit bazë 9-vjeçar të marrin kompensimin është pasja e faturës tatimore që ata kanë marrë pas blerjes së librave. Për herë të parë, nga kompensimi i librave shkollorë këtë vit do të përfitojnë edhe nxënësit e shkollave private. Rreth 2.8 milionë euro ose 310 milionë lekë të rinj është fondi që Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion këtë vit për kompensimin e librit shkollor. Skema e kompensimit të teksteve shkollore në arsimin parauniversitar këtë vit do të përqendrohet në arsimin 9-vjeçar, por duke përfshirë edhe arsimin privat. Buxheti i shtetit parashikon çdo vit një fond për kompensim të librit shkollor, i cili shpërndahet sipas një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Arsimit dhe atij të Financave. Qëllimi është mbështetja financiare e përdoruesve, pra nxënësve dhe prindërve, me qëllim zvogëlimin e kostos së librave shkollorë, që blen çdo familje për çdo vit shkollor.

Bie suvaja, rrezikon të pezullohet mësimi te “Sami Frashëri”

Rrezikon të pezullohet mësimi për nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet. Shkak për këtë është bërë rënia e suvasë së tavanit në një nga klasat e kësaj shkolle. Pas rënies së suvasë është rritur pasiguria për të qëndruar në ndërtesë. Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Jovan Kristiqi, bën të ditur se është në pritje të përgjigjes nga Bashkia e Tiranës për këtë problem. Sipas tij, Bashkia e Tiranës duhet t’i garantojë drejtuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle që godina ku ata kryejnë mësimin nuk përbën asnjë rrezik për ta. Në vitin 2004 është bërë rikonstruksioni i plotë i godinës së kësaj shkolle me një fond të akorduar nga Ministria e Arsimit. Sipas drejtorit të “Sami Frashërit”, fondi ka qenë i konsiderueshëm dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësinë e punimeve që janë bërë në ndërtesë, një kompetencë kjo e Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e ndërtesave të sistemit parauniversitar.
Godina e shkollës së mesme “Sami Frashëri” është ndërtuar në vitin 1964.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›