Rritet bilanci i viktimave nga moti i ftohtë, edhe dy të vdekur në Korçë
KORÇË – Edhe dy persona të tjerë kanë gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit. Pas viktimave të regjistruara në Durrës dhe Elbasan gjatë katër ditëve të fundit, dy persona të tjerë kanë pasur probleme shëndetësore me pasojë vdekje për shkak të acarit dhe temperaturave të ftohta, të cilat kanë përfshirë vendin tonë gjatë javës së fundit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës njoftuan dje se janë gjetur të vdekur shtetasit Edison Sala, banues në fshatin Pojan të Korçës, si dhe Agim Najkolli. 39-vjeçari Sala është parë nga kalimtarë të rastësishëm në mëngjesin e djeshëm në vendin e quajtur ish-stallat e fshatit. Ndërsa 52-vjeçari Najkolli ka pësuar një infarkt në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë teksa po udhëtonte me mjetin e tij. “Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e kufomave kemi të bëjmë me vdekje natyrale të dy personave”, - thonë burimet e policisë vendore. Por nga ana tjetër, policia tha se ka nisur hetimet për të nxjerrë përfundime të sakta në lidhje me vdekjen e dy personave. Dyshimet janë se edhe i ftohti mund të ketë ndikuar në këto vdekje. Tri ditë më parë gjeti vdekjen në qytetin e Elbasanit një person, i cili teksa po kthehej nga lokali në shtëpi, në gjendje të alkoolizuar, ka pësuar atak kardiak. Një ngjarje tjetër e ngjashme u regjistrua edhe në rrethin e Durrësit.
Legalizimi në Gjirokastër, së shpejti jepen 56 tapitë e para
GJIROKASTËR - Nga 2 134 objekte informale që janë ndërtuar në 16 vjetët e fundit në Qarkun e Gjirokastrës, 700 janë verifikuar në terren, ndërsa 56 pronarët e parë shumë shpejt pritet të pajisen me tapi. Burime zyrtare nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në Gjirokastër, pohuan se deri tani janë kualifikuar për legalizim mbi 56 objekte të ndërtuara pa leje dhe se numri i përgjithshëm i tyre në shkallë prefekture arrin në 1920. "Nga 1920 dosjet e përgatitura, 700 janë verifikuar në zonat përkatëse kadastrale dhe qytetarët kanë nisur tashmë të paguajnë tarifat përkatëse", - nënvizuan burime zyrtare. "Punonjësit e zyrës së legalizimeve kanë përfunduar skicat fushore, gen-planin, planimetrinë dhe dixhitalizimin për 700 objekte në terren dhe shumë shpejt pritet që ky numër të rritet ndjeshëm", - thanë të njëjtat burime. “Falë bashkëpunimit të ngushtë me përfaqësuesit e njësive vendore, procesi i legalizimeve ka ecur me ritme të shpejta dhe se tashmë mund të thuhet se verifikimi në terren po shkon drejt përfundimit, - thanë burimet. Sipas statistikave zyrtare të zyrës rajonale të ALUIZNI-it, rrethi i Gjirokastrës renditet i pari sa u përket ndërtimeve informale, me shifrën 1 200 objekte, në rrethin e Përmetit janë 460 ndërtime informale, në rrethin e Tepelenës janë regjistruar 474 ndërtime informale.
BOX 1
Ndërtimorët nisin prishjen e objekteve në Ujin e Ftohtë
VLORË – Pas tri javësh paralajmërimi, Inspektorati Ndërtimor në Bashkinë e Vlorës nisi dje aksionin për prishjen e një numri të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje të ngritura përgjatë bregdetit. Operacioni nisi në Ujin e Ftohtë, që konsiderohet si një ndër zonat problematike të qytetit të Vlorës, për shkak të numrit të madh të ndërtimeve informale. Puna për prishjen e këtyre objekteve është mbështetur edhe nga policia bashkiake, si dhe nga forcat e gatshme të policisë së rendit. Disa nga pronarët e këtyre objekteve kanë dalë kundër vendimit të Inspektoratit. Tri javë më parë, ata ishin lajmëruar nga Inspektorati Ndërtimor për zhvendosjen e materialeve që kishin në objektet e tyre.
27 Nentor 2008