E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrimet e pronave të ish-zogistëve dhe të “kriminelëve të luftës”

Ligji që miratoi Kuvendi Popullor sekuestroi pronat e zyrtarëve të Mbretit Zog. Lista e personave që konsiderohen “kriminelë lufte” dhe heqja e pasurive

Më 22 nëntor 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor shpalli ligjin e votuar po atë ditë nga Kuvendi Popullor “mbi kontrollin e pasurive të vëna gjatë regjimeve të kaluara prej funksionarëve dhe sipërmarrësve të shtetit”. Mbi bazën e tij, të gjitha ndërtesat e ngritura ose të blera në kohën e regjimeve të kaluara prej ministrave, deputetëve, funksionarëve të shtetit ose bashkive, si dhe prej personave që kanë qenë gjatë këtyre regjimeve sipërmarrës të shtetit, ku nuk ishin në gjendje të justifikonin burimin e ligjshëm të tyre, deklarohej shtetëzimi me vendim të Ministrisë së Ekonomisë mbi propozimin e komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë të nënprefekturave (AQSH, F.490, V.1946, D.232, fleta 1). Në bazë të këtij ligji, të gjithë ata persona që nuk kishin pasur fare lidhje me luftën, por që kishin pasur poste të rëndësishme para vitit 1939, konfiskoheshin në bazë të dëshirës së atyre që kishin ardhur në pushtet.
Terenc Toçi
Komisioni vendosi më 22 nëntor 1946 se përderisa 3 personat në ngarkim të T. T. ishin larguar në vendin e origjinës, nuk gëzonin të drejtën e beneficës ligjore. Pasuria e Toçit përfshin:
- 2 parcela trojesh Tiranë me 3228.57 metra (vila Bardha) dhe shtëpia 2-katëshe si dhe trualli dhe banjat e Durrësit (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 75).
Fiqri e Dilaver Dine
Më 20 dhjetor 1946 komisioni në Peshkopi konfiskoi pronat e tij që përfshinin:
- trojet e 1 shtëpie të djegur prej 2 dynymësh, 1 furrë buke, trojet e 1 shtëpie të djegur me 1 dynym, 1 shtëpi 2 kate me 7 dhoma. Veç kësaj edhe pasuri e tundshme 2 kuajsh, 1 viç, 2 lopë, 1 çarçaf kravate, paratë e 208 kg rrush e 76 kg mollë e 810 kg misër. 14 copë ara prej 99 dynymësh, disa vreshta prej 2 dynymësh në Pocestë, 1 pemishte 1 dynym në Trepçe (AQSH, F.505, V.1946, D.146, fleta 255).
Qazim Mulleti
Më 31 dhjetor 1946 vendoset për sekuestrimin e pronave të prefektit Qazim Mulletit në Tiranë. Vendoset për ¾ e një shtëpie në lagjen “Sulejman Pasha” me 311 m2, truall 302.43, 4 dyqane të ngritura 1942-1943, parcelë në veri me rrugën “Ciano”. Dy baraka në rrugën “Dajti” (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 92).
“Kriminelët e luftës”
Më 27 janar 1947, Kryeministria njoftonte Ministrinë e Financave se u ka kërkuar komisioneve vendore konfiskimin e pasurisë së kriminelëve të luftës e të armiqve të popullit që t’i përfaqësojë sa më parë veprimet e në fund të muajit të dërgojë nga një raport.
Vlora dhe Korça
Më 27 janar 1947 komisioni i Vlorës mori vendim të gjithë personat që ishin në listat e “kriminelëve” (AQSH, F.490, V.1946, D.252, fleta 13 – 14). Vetëm Korça kishte 350 dosje të tilla.
Shpronësimi i kunatit të Enver Hoxhës
Më 10 shkurt 1947 kunatit të Enver Hoxhës, Bahri Omarit, i konfiskohet pasuria. Atij i merret 1/6 e 5 dyqaneve në tregun e Gjirokastrës, parcelë trualli prej 910 metrash katrorë në Tiranën e Re. 1/3 iu la familjes në lagjen “Cfakë” të Gjirokastrës (AQSH, F.505, V.1947, D.316, fleta 15).
Raporti i Elbasanit
Më 18 shkurt 1946 komisioni i Elbasanit i dërgoi një raport për konfiskimin e pasurisë private të Prefekturës Elbasan. Thuhej se kishte edhe 38 vendime dhe gati edhe 7 dosje të tjera, duke pasur në dorë edhe 25 të tjera (AQSH, F.490, V.1946, D.252, fleta 23).
Më 21 shkurt 1947 komisioni vendor i Kukësit i dërgoi raport Kryeministrisë në të cilin vëreheshin mangësi veprimesh.
Konfiskimi i Abdurrahman Dibrës
Më 14 shkurt 1947 merrej vendimi i konfiskimit për Abdurrahman Dibrën në lidhje me kontrollin e pasurive të zyrtarëve të regjimit antipopullor të Ahmet Zogut. Theksohet se pasuria e tij me pajisjet moderne dhe të kushtueshme nuk kishte mundësi të ishte vënë nga shitja e ndonjë çifligu në Dibrën e Madhe, por i burimeve të jashtëligjshme dhe dallavereve. Komiteti i propozonte Ministrisë së Financave nxjerrjen e vendimit të shtetëzimit të pasurisë së tij: një ndërtesë prej 7 dhomash; afërsisht prej 200 metrash katrorë në lagjen “1 Maji” (lagjja “Abdulla bej”) e transkriptuar më 19 nëntor 1943. Vendimi doli më 14 mars 1947 (AQSH, F.505, V.1947, D.184, fleta 88).
Pandeli Evangjeli
Më 14 shkurt 1947 komisioni i Tiranës vendosi të propozojë shtetëzimin e pronave të Pandeli Evangjelit, ish-politikan i lartë i regjimit zogist dhe aksioner në SITA, Stamles, Maliq, Portland Çimento, Banka Kombëtare dhe kinema “Majestik” në Korçë. Theksohej se nuk kishte mundësi që një pasuri e tillë ta kishte vënë përveçse me dallavere. Pasuria ishte 1 pallat 2-katësh në lagjen “11 Janari”, i regjistruar më 30 qershor 1928 (AQSH, F.505, V.1947, D.185, fleta 86). Vendimi u mor më 14 mars 1947.
Kolë Thaçi
Më 14 shkurt 1947 komisioni i Komitetit Ekzekutiv të KP të Nënprefekturës Tiranë, me të njëjtën arsye, kërkoi shtetëzimin e pronave të tij që ishin një truall 1510 metra katrorë dhe dy ndërtesa mbi të, të regjistruara më 13 maj 1933 dhe 23 maj 1934. Ish-ministri i Financave ishte larguar nga politika në vitin 1939 dhe kishte vdekur më 1941-shin.
Zef Kadarja
Më 6 mars 1947 komisioni vendor i Qarkut Tiranë vendosi konfiskimin e pasurisë së tij:
- truall në Selitë Tirana e Re prej 1100 m2 truall, Tirana e re 182 m2 me shtëpi dhe një shtëpi me 8 dhoma. Pasuria e tundshme ishte shumë e madhe, përfshirë këtu gardërobën e tij, kolltukë, bibliotekë. Në Durrës Kadarja kishte një vilë dhe dy troje, ndërsa në Shkodër dy shtëpi të tjera.
Safet Butka
Komisioni vendor pranë Komitetit Ekzekutiv të KP të Prefekturës së Korçës konfiskoi gjysmën e shtëpisë në Butkë, 5 dhoma, 2 divane, 2 ballkone. Pasuri e tundshme 1 ka, 5 dhen, 1 mëshqerrë (AQSH, F.505, V.1947, D.315, fleta 77).
Daut Çarçani
Komisioni në Tiranë, më 28 mars 1947, vendosi konfiskimin e 4/5 e një trualli në “Ismail Efendi” (504 m2) dhe 4/5 e një shtëpie po aty (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 21-22).
Thoma Orollogaj
Komiteti Ekzekutiv i KP të Prefekturës Tiranë më 5 prill 1947 vendosi që t’i propozojë Ministrisë së Financave konfiskimin e pasurisë pasi nuk kishte mundësi që ai “ta kishte vënë vetë këtë pasuri”. Një shtëpi në lagjen “Ismail Efendi” (regjistruar më 1 mars 1935), një truall 1100 m2 me ndërtesë, 1/2 e një objekti në Rrugën e Barrikadave (regjistruar më 4 prill 1936) (AQSH, F.505, V.1947, D.186, fleta 122). Po ashtu edhe 1 shtëpi më 22 mars 1945 dhe aksionet nga kinema “Majestik”. Më 6 qershor 1947 del edhe vendimi i ministrisë.
Faik Shatku
Më 14 prill KE e KP të Prefekturës Tiranë vendosi për shtetëzimin e pronave pasi kishte vdekur ky person, duke kundërshtuar të venë Razie Shatku se pasurinë Faiku e kishte nga vjehrra, Zyhra Krisfca. Iu shpronësuar 583 m2 truall e shtëpia në lagjen “Abdulla bej” (rruga “Qemal Stafa”) e transkriptuar më 22 shtator 1942. Vendimi u mor në bazë të vërtetimit nr. 32 datë 1 prill 1947 (AQSH, F.505, V.1947, D.186, fleta 208).
Mehdi Frashëri
Më 19 prill 1947 nga komisioni i Gjirokastrës, mbi pasurinë e Mehdi Frashërit, e sekuestruar më 17 shtator 1946. Një shtëpi e djegur, gërmadhë, me një dynym në Frashër (AQSH, F.505, V.1947, D.316, fleta 155) dhe një truall në Tiranë 1100 m2 në lagjen “9 Korriku” si dhe shtëpia me 17 dhoma e pasuria brenda saj (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 80).

Në numrin pasardhës do të lexoni:

Pasuritë që qeveria komuniste u mori “kriminelëve të luftës”

Pronat e listuara në Arkivën e Shtetit, që iu bllokuan personave të shpallur armiq të sistemit

Emrat e Nush Bushatit, Ndoç Naraçit, Fejzi Alizotit, Muharrem Bajraktarit, Jakup Shalsit etj.

Shtrirja e procesit të konfiskimeve në të gjitha rrethet e vendit tonë dhe masat që mori qeveria komuniste

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›